FIER- Azgan Mërnica, autori vrasjes së policit në Fier ka qenë pjesë e Strukturës së Armatosur të PD për Mbrojtjen e Votës (SMV) në zgjedhjet parlamentare të 2021. Shqiptarja.com sjell këto foto të Mernicës krah deputetit të Sali Berishës, Luan Baçit.

Ai ka qenë i angazhuar në Strukturën e Armatosur të PD për Mbrojtjen e Votës në 2021, madje këtë e pohon edhe vetë deputeti Baçi përmes një fotoje të postuar në Facebook më 3 prill 2021.

Baçi ka ndarë foto me një grup djemsh që ishin pjesë e kësaj strukture, ndërsa mes tyre dallohet edhe Azgan Mërnica. Baçi pohon në këtë postim se janë gati për të mbrojtur votën, teksa ka ndarë foton me djemtë që ishin pjesë e kësaj strukture.

"Me të tillë djem, ka vetëm fitore! Jemi gati, për mbrojtjen e votës! Azgan Mërnica, Shkëlzen Selaci, Pajtim Gashi, Marjus Sheka, Brahim Gashi", shkruante Baçi më 3 prill 2021.

Nga protesta para Bashkisë së Tiranës, Luan Baçi, tha se i riu Azgan Mërnica e ka merituar foton me të pasi ka qenë punëtor dhe i ndershëm, ndërsa dënoi vrasjen e efektivit.

"Unë shpreh ngushëllime shumë të sinqerta me gjithë zemër për policin e vrarë. E njoh Azgan Mërnicën. Në 2021 kur ka bërë atë foton me mua nuk ka qenë kriminel, ka qenë qytetar, punëtor, i ndershëm, familjar dhe absolutisht meritonte edhe foton me mua, ai dhe shumë të tjerë. Absolutisht e dënoj veprimin e tij, më vjen shumë keq dhe shpreh keqardhje", tha Baçi. 

Mërnica është ende në kërkim pasi vrau me një plumb në kokë policin Novruz Cenalia pas një sherri për radhën e kalimit me makinë.

Skandali me Strukturën e Armatosur të PD për Mbrojtjen e Votës

Skandali i Partisë Demokratike për ngritjen e kësaj Strukture të Armatosur për Mbrojtjen e Votës, ku bënte pjesë edhe Mernica, u zbulua pas vrasjes së Pjerin Xhuvanit më 21 prill 2021. Kjo strukturë e paligjshme e ngritur nga Partia Demokratike për të mbrojtur votat, ndaloi makinën e Mehmet Greces, me pretendimin se po shpërndante para në këmbim të votave për Partine Socialiste. Ky i fundi thirri në ndihmë Pjerin Xhuvanin, i cili mbeti i vrarë nga shkëmbimi i zjarrit.

Vetë sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, aso kohe e pranoi këtë skandal, duke pohuar se kanë ngritur një grup të armatosur për mbrojtjen e votës për zgjedhjet e 25 prillit 2021. Bardhi pranoi se Arbër Paplekaj që vrau Xhuvanin ishte pjesë e kësaj strukture.

1715676620_1231232123.jpg

Postimi i Luan Baçit me Azgan Mërnicën, 3 prill 2021

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:24
Deputeti i Berishës pranon njohjen me vrasësin e policit: Nuk ishte kriminel, por punëtor dhe i ndershëm! E meritonte foton me mua

 

Pas lajmit të publikuar nga Sqhiptarja.com, ku deputeti i Berishës Luan Baçi shfaqet krah vrasësit të policit të Fierit, ai edhe njëherë pranon njohjen me Azgan Mërnicën.

Nga protesta në Bashkinë e Tiranës, Luan Baçi thotë se kur e ka bërë foton me Mërnicën, ai s’ka qenë kriminel, por një qytetar i ndershëm. Më tej, Baçi tha se dënon ngjarjen e rëndë.

“Jam për t’iu dhënë përgjigje shumë gazetarëve e mediave që kërkojnë prononcimin tim për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Fier. Shpreh ngushëllime shumë të sinqerta me gjithë zemër për policin e vrarë. Konfirmoj për të gjitha mediat, si deputet i Qarkut të Fierit, absolutisht njohja ime shumë e madhe, kam shumë foto, video, takime darka me shumë qytetarë demokratë dhe jo vetëm.

Edhe një nga ata, vrasësi i atij polici, ju media që e keni nxjerrë, po iu përgjigjem live, e njoh Azgan Mërnicën. Në 2021 kur ka bërë atë foton me mua nuk ka qenë kriminel, ka qenë qytetar, punëtor, i ndershëm, familjar dhe absolutisht meritonte foton me mua. Ta keni këtë përgjigje këtu, e dënoj veprimin e tij, shpreh keqardhje, do t’iu lutesha kot mundoheni të më presioni me foto të tilla, me thirrje në SPAK, me denoncimi e kallëzimi të hartuara nga patronazhistë.

Po u jap përgjigje këtu, jam Luan Baçi dhe do vazhdoj punën time të ndershme, nuk tërhiqem nga presionet, nga SPAK, nga BKH”, tha Luan Baçi.