Ambasadori amerikan Donald Lu është i kudondodhur. Në një aktivitet që ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati ka bërë me të rinj në Shkodër, në setin e fotografike të publikuara vihet re dhe prezenca e ambasadorit amerikan. I veshur sportiv dhe me një buzëqeshje të pandashme në fytyrë, Lu ka marrë pjesë në aktivitetin e quajtur, ‘Dita e Hapur’ e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Ky është një aktivitet që u mbaj në Shkodër ku të rinj e të reja njihen me alternativat më të mira për shkollim universitar përmes bursave që ofrojnë shtete të ndryshme.
“Si vatër e dijes dhe figurave të çmuara kombëtare #Shkodra ishte mikpritësja e #OpenDay pas #Tiranës, për të gjithë ata të rinj dhe të reja të cilët dëshirojnë të shkollohen në institucione prestigjioze.
Teksa bashkëbisedoja me studentë dhe kolegë nga trupi diplomatik për mundësitë e shkollimit që ofrojnë shtete të ndryshme dhe impaktin e edukimit për transformimin e shoqërisë në mendje kisha fjalët e urta të Patër Anton Harapit i cili thoshte: "...po nuk patët mendje me u kujtue, Shqipërinë të keni së paku zemër për me ndie".
Interesi i jashtëzakonshëm i të rinjve e të rejave të Shkodrës për nismën tonë ma shton bindjen se do ta përdorim dijen dhe talentin në funksion të përmirësimit dhe zhvillimit të atdheut tonë”, shkruan Bushati në Facebook.
Duket se dhe ambasadori ka ndjekur fjalët e Harapit dhe ka vendosur, ‘me ndie’ vetë cdo aktivitet në vend.
(d.b/Shqiptarja.com)