PARIS, 13 mars /ATSH-ANA-MPA/ - Kryeministri grek, Aleksis Cipras ka shpallur reformat e qeverisë së tij gjatë një fjalimi në selinë e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik e Zhvillim (OECD).
"Prioritete të menjëhershme të përpjekjes reformuese janë përballimi i krizës humanitare dhe nevoja emergjente për t'u përballuar problemi kronik në Greqi në lidhje me evazionin fiskal dhe korrupsionin", deklaroi Cipras.
"Qeveria do të synojë luftën kundër kontrabandës me karburante dhe duhan, do të ashpërsojë legjislacionin për financimin e partive politike dhe do të forcojë pavarësinë e sekretariatit të përgjithshëm të të ardhurave publike", shtoi ai.
"Reformimi i sektorit publik është ndërmarrja më e vështirë. Kemi filluar faktikisht, me racionalizimin e vetë qeverisë. Për shembull, kemi reduktuar numrin e ministrive", tha Cipras.
"Nëse ditët e ardhshme nuk do të ketë disbursim të këstit të kredisë, Greqia është e sigurt se do t'u përgjigjet detyrimeve të veta", deklaroi kryeministri Cipras, në konferencën e përbashkët për shtyp me sekretarin e përgjithshëm të OECD-së, Angel Gurria.
Gjatë takimit të zyrtarëve të lartë u nënshkrua një marrëveshje dypalëshe, me anë të së cilës OECD-ja merr përsipër ofrimin e asistencës teknike ndaj palës greke, lidhur me planizimin dhe zbatimin e reformave, që përbëjnë prioritetet e qeverisë greke./ a.jor.