Franka „e përdhunuar“

Franka „e përdhunuar“
Franka është një vajzë 17 vjeçare. Ajo është shumë krenare e nuk lejon kollaj që të tjerët t’ia vënë në dukje gabimet, duke jetuar kësisoj jetën e vet, plot energji. Shoqet, një shok, kërcimi, të bërit babysitter, shkolla … gjithçka është fare normale, derisa Franka një ditë, gjatë rrugës për në shtëpi sulmohet në terrin e natës nga një i panjohur dhe përdhunohet. Autorja Jutta Treiber duket se harxhon shumë energji për të treguar se sa e vetëdijshme është Franka. E parë nga kjo perspektivë, duket paksa e çuditshme, por bëhet me qëllimin që të tregohet më pas se sa shpejt dhe me ç’ekstremitet ndikon akti i përdhunimit, për transformimin e personazhit të saj primar, Frankës. Nga një vajzë e gjallë dhe krenare, nuk mbetet shumë. Franka rrudhet gjithnjë e më shumë përballë asaj çka asaj i përsëritet para syve pandalim.

Në fillim një psikolog e më vonë një kohë që kalon në Lanzarote ( njëri nga 7 ishujt e arkipelagut Kanarie në Spanjë), ndikojnë që Frankës t’i rikthehet një copëz normaliteti. Me këmbëngulje dhe jashtëzakonisht me shumë ndjenjë, Jutta Treiber paraqet pasojat e përdhunimit të një vajze adoleshente. Ajo përqëndrohet ekskluzivisht në jetën shpirtërore të viktimës dhe tregon njëkohësisht fare qartë se sa e fortë është lufta për t’iu rikthyer „normalitetit“. Një roman që të trondit e mrekullon njëherësh.

Këto ishin disa sentenca të shkëputura nga mendimi kritik dhe vlerësimet që lexuesi e media austriake kanë rezervuar për njërën nga veprat më të goditura të autores austriake, Jutta Treiber, fatkeqësisht, pak ose aspak e njohur në Shqipëri. Vetë përkthyesi i saj, në prezantimin që i bën, e cilëson këtë vepër diku si një „perlë“ të dalë nga duart e saj. Tashmë është bërë e mundur ardhja e këtij romani, edhe në shqip, falë punës tejet profesionale, por edhe pasionit të poetit e përkthyesit, Ferdinand Laholli. Iniciativa e këtij të fundit, bëhet edhe më kuptimplotë, ndërsa kuptojmë se prej pak kohësh, ai tashmë operon me logon e shtëpisë botuese me të njejtin emër, të cilën e ka ngritur me qëllimin për të afruar më shumë letërsinë gjermanike e ekskluzivisht atë austriake, tek lexuesi shqiptar. Dhe duket se ai, me një sukses për t‘u admiruar, këmbëngul te letërsia, pasi në katalogët e botimeve të kësaj shtëpie, nuk gjen gjini të tjera artistike, dhe madje as gjuhë të tjera, përpos shqipes dhe gjermanishtes, duke angazhuar për këtë qëllim, një grusht bashkëpunëtorësh të apasionuar. Por edhe botimet shkencore pritet të jenë së shpejti një shtyllë tjetër e rëndësishme e botimeve të saj.
Këtë radhë kemi të bëjmë me një prerje ndryshe në tregun e librit në Shqipëri, pasi pronari i shtëpisë botuese, është edhe vetë një autor, shkrimtar, poet e përkthyes aktiv, prej të cilit burojnë një mori veprash e që gjithashtu është përkthyer në disa gjuhë. Një njohës në detaje i gjuhës e stileve të shumë autorëve gjermanofonë e propagandues i tyre. Ai duket se i rri vetë në kokë dhe e sheh me lupë çdo frazë e gërmë të librit, derisa mbërrijmë në produktin përfundimtar, nga i cili na vjen „një roman që të trondit e mrekullon njëherësh”.

Duket se përkthyesi me siguri ka dhënë diçka edhe nga jeta e vet në këtë vepër, duke parë si në pasqyrë të shkuarën e vet të dhimbshme në baltën e Gradishtës: fëmijërinë, adoleshencën e një pjesë të rinisë që i është vjedhur e dhunuar, para se të ndërmerrte një udhëtim drejt Gjermanisë, më shumë se dy dekada më parë, e cila do të bëhej edhe streha e tij e mëvonshme artistike.

Megjithëse me pak tendenca stilistikore individuale, që devijojnë paksa nga shqipja jonë standarde, tashmë “i strukur” prej vitesh nën çatinë e vet krijuese, duket se Laholli ia ka dalë të përcjellë me ndjenjë e përpikmëri artistike Frankën “e përdhunuar” dhe dramën e saj, që përkon me tronditjet e krizat shumëplanëshe, me të cilat përballen çdo ditë edhe segmente të rinisë e shoqërisë së sotme shqiptare, si pjesë e një bote e realiteti global.

Për shkrimtaren Jutta Treiber, e cila shkruan për çdo moshë ( një autore moderne austriake, veprat e saj tashmë janë botuar në 23 gjuhë dhe ajo ka marrë disa çmime) nuk bëhet fjalë që të harxhojë kohë e të merret me përshkrimet dedikuar kërkimeve që ndërmerren për të gjetur përdhunuesin. Kjo pak rëndësi ka për të. Ky i fundit, sigurisht, përmendet, por nuk luan ndonjë rol të rëndëisshëm. Ajo përqëndrohet përkundrazi, plotësisht dhe vetëm tek Franka dhe fazat e ndryshme, të cilat ndjekin periudhën pas përdhunimit. Prindërit përpiqen ta ndihmojnë aq sa munden, por hasin shpejt në kufinj të pakalueshëm. Është një rrugë vërtetë e mundimshme, derisa Franka mëson të jetojë me fasho në shpirtin e saj.

A paraqet Franka një shembull realist për një viktimë përdhunimi, kjo ndoshta nuk mund të gjykohet apriori. Historia e Frankës të prek vetvetiu dhe fundi i historisë së saj, deri diku çuditërisht pozitiv, na e lë shtegun të hapur për interpretim e sjell pakëz frymëmarrje. Gjithsesi, libri nuk duhet konceptuar si një manual ndihmës për ata që preken nga ky fenomen. Për këtë ka shumë dyshim, porse ai me siguri mbetet padyshim një përsiatje artistike e padiskutueshme me mesazhe të thella. Dikush nga lexuesit austriakë, do të shprehej dikur për të: mbresëlënës dhe tronditës, e njëkohësisht edhe me një fund plot shpresë. Libri i Jutta Treiber është kësisoj një leksion i detyrueshëm që nuk lidhet me një moshë të caktuar. Një libër që të bën të ndjehesh i përfshirë.

Kush është Ferdinand Laholli?

Ferdinand Laholli u lind më 16 qershor 1960 në Gradishtën moçalore, ku familja me prejardhje nga Vidohova e Korçës qe dërguar të përjetonte ferrin e regjimit enverhoxhian, si pasojë e emigrimit të atit të tij në Amerikë. Më pas familja Laholli dërgohet në kampin e internimit Savër, ku për tridhjetë vite vuajti mohimin total të sistemit monist. Si i internuar iu mohua ndër të tjera edhe studimi i lartë. Në moshën 15-të vjeçare dërgon për botim dorëshkrimin e librit të tij të parë, porse botimin e librit të parë në Shqipëri e përjetoi vetëm pas rënies së diktaturës. Më 1990 emigron në Gjermani e sot është autor i një sërë librash. Poezitë e tij janë përkthyer e botuar në gjuhën gjermane, italiane, angleze, suedeze, turke, hollandeze, kerntisht, rumanisht dhe frëngjisht. Është bashkautor i më shumë se 20-të antologjive në gjuhë të ndryshme, autor i 11-të librave për fëmijë e të rritur. Nga viti 2011 drejtues i "Shtëpisë Botuese Laholli". Pas diplomimit në Institutin Gëte merret kryesisht me përkthime letrare nga letërsia gjermanofone. Gjer më sot ka shqipëruar mbi 20-të libra.

Kush është Jutta Treiber?

Jutta Treiber, ka lindur në vitin 1949 në Oberpullendorf të Burgenlandit (Austri). Ka studiuar gjermanistikë dhe anglistikë dhe ka punuar si mësuese e gjuhës gjermane dheasaj angleze. Prej vitit 1988 është autore në profesion të lirë. Ajo shkruan për njerëzit e çdo moshe. Vepra e artistike e Jutta Treiber përmbledh libra të ilustruar për fëmijët e grupmoshave të ndryshme, romane për të rinj dhe të rritur, poezi, pjesë muzikore të inskenuara për fëmijë, radiodrama, rrëfenja nëpër antologji të ndryshme dhe filma me metrazh të shkurtër. Librat e saj janë përkthyer në 23 gjuhë. Ajo ka marrë çmime dhe vlerësime të shumta, ndër të tjera “Çmimin e librit për fëmijë dhe të rinj të qytetit të Vjenës” si dhe “Çmimin kombëtar të librit për të rinj”. Treiber është e martuar dhe ka dy fëmijë.

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Një muaj më parë KPK e konfirmoi në detyrë, kush është kryeprokurori i Vlorës që u kap nga SPAK

Një muaj më parë KPK e konfirmoi në detyrë, kush është kryeprokurori i Vlorës që u kap nga SPAK