Franz Kafka dhe Ridvan Dibra
Letra për atin dhe për të birin

Franz Kafka, veprën e të cilit e kemi në dorë falë mikut të tij, biografit Max Brod, shquhet edhe për letërsinë epistorale, e veçantë dhe plot ndjenjë e rrëfim siç është libri “Letër babait”. Një letër me përmasa të një vepre reale, fillim e fund e stisur me elemente autobiografike. Fakti që kjo letër asnjëherë nuk i ra në dorë njeriut të cilit iu drejtua, e bën librin edhe më interesant, por edhe shumë më emocionues, sepse gjithçka tregohet me besnikëri, sidomos disa nga momentet e caktuara kur vetë autori është gjendur përballë sfidave të ndryshme personale dhe familjare. E gjithë mrekullia e shkrimit qëndron në rrëfimin “tmerrësisht të sinqertë”, i dhënë me shumë mjeshtri, i cili bëri bujë dhe nxiti shumë studiues që të merreshin me të, madje edhe të provojnë të krijojnë diçka të ngjashme. Kështu bëri edhe shkrimtari ynë i njohur, Ridvan Dibra, me librin e tij “Franc Kafka i shkruan të birit”, një hipertekst model, i cili në të gjitha leximet e mundshme ka përmasat e një vepre tipike me shenja të modernizmit të thellë.
KAFKA I SHKRUAN BABAIT
Ky tekst ka karakteristika të shumta duke filluar nga gërshetimi i mrekullueshëm i përshkrimit (p.sh. kur ai i përshkruan vetveten si “frikac e kokëfortë, me arsyetimin se të tillë ishin të gjithë fëmijët”) me rrëfimin, element ky që e bën këtë vepër shumë të rrallë. Në pjesën më të madhe, narratori flet në vetën e dytë, shenjë kjo e zhanrit epistolar, për faktin se i drejtohet babait të tij, Hermann Kafkës (“Ti ke ndikuar tek unë ashtu siç duhej të ndikoje...”). Duke qenë kjo një letër personale, patjetër se narratori i takon tipit autobiografik. Ai tërë kohën flet për jetën e tij nën diktatin e të atit. Duke u munduar që ta paraqesë çdo detaj, e t’i tregojë të atit se asnjëherë nuk i ka pëlqyer mënyra e sjelljes së tij, te kjo letër gjejmë shndërrimin tematik si lëvizje autoriale nga një ngjarje në një tjetër.
Edhe pse është e shkruar në formë letre, kjo vepër ka personazhet e veta, anëtarët e tjerë të familjes Kafka, si dhe shumë të afërm të cilët, në njëfarë mënyre, kanë hequr njëlloj si vetë Franci, por që asnjë nga ta nuk pati idenë e shkrimit të një letre si vetë autori. Një letër e shkruar qysh në vitin 1919, e që më pas u shndërrua në një vepër të mirënjohur, përmban elemente postmoderne, por elementi që e shoqëron veprën në çdo faqe të saj është infatilja (fëmijërorja), element ky që shpreh një rrëfim të sinqertë dhe aq të drejtpërdrejtë, pikërisht siç i tregon ngjarjet vetë gjermani Franc Kafka, e siç i quan edhe Georges Bataille – “mizorisht të sinqerta”. Kjo letër thyen edhe kufijtë e zhanrit, por gjithnjë ka vetëm një temë në qendër të tekstit – shprehjen e ndjenjave të tij për çdo situatë të jetës. Madje, edhe kur shkruan letrën, ai thotë se “ndihet i kapluar nga frika që më ke kallur dhe nga pasojat e saj”.
Edhe pse jo qëllimisht, gjithsesi kjo letër i mban lexuesit të interesuar tërë kohën. Në këtë mënyrë, prania e diskursit të informatës (personale) e çon këtë letër pak kah biografizmi,e me shumë kah autobiografia si gjini autoreferenciale.
E gjithë kjo lë të kuptohet se autori shpesh e ndërron kohën e rrëfimit. duke luajtur kështu me kujtesën personale, me ç’rast më së shumti vërehet teknika e rrëfimit retrospektiv. Kjo teknikë rrëfimi (flash-back) mundëson kthimin në kohë me qëllim që t’ia kujtojë të atit disa momente të sikletshme për të p.sh. “duke vënë në lojë të gjithë ata me të cilët shoqërohesha, duke ia thënë në sy ose prapa krahëve dhe mua më duhej t’i kërkoja ndjesë personit të fyer” etj..
Kur mendohet për stilin e kësaj vepre, duhet të kujtohemi se në fillim kjo ishte veçse një copë letre që do t’i drejtohej të atit, por që megjithatë arrin stilin letrar falë elementeve dhe diskurseve të shumta që ka duke përfshirë atë personal (“dëshpërimi më shkon për shtat vetëm mua”), social (gjithçka gjykohej nga i ati), por edhe retorik (çdo herë kur i ati e kritikon apo e “këshillon” për diçka, p.sh. “Ky është caku i mendimeve të tua?!”).
E gjithë kjo histori zhvillohet në një hapësirë dhe kohë reale, sepse flitet për jetën e Kafkës në mënyrë reale, pa pasur kompleksin e fiksionalitetit.
“Letër babait” është një vepër që tregon haptazi raportin baba – bir, pothuajse në mënyrë më të pazakontë, sepse siç thuhet edhe në libër, Kafka vazhdimisht është përfshirë nga “ndjenja e tejskajshme e fajit” dhe si i tillë vazhdimisht kërkon konfirmim, ndërkohë që babai i tij i ofron “luftë”.
Sjellja e babait të Kafkës dhe vetë Franci që e lejoi një gjë të tillë, e që asnjëherë nuk u mundua të sqarohet me të atin, të çojnë në fjalën e urtë “Dy gabime nuk e bëjnë një të mirë”, por siç duket kësaj radhe dëshmohet e kundërta, pasi që e gjithë kjo me insistimin e Max Brodit krijuan një vepër të mrekullueshme.
Kafka i shkruan të birit
“Franc Kafka i shkruan të birit” është prozë e shkruar nga Ridvan Dibra, një hipertekst tipik për faktin se kjo vepër, që nga faqja e parë, e deri në të fundit është e bazuar në “Letër babait” të Franc Kafkës.
Kjo vepër, gjithashtu është e shkruar në formë letre dhe është e bazuar në një të tillë, e me plot emocion i dedikohet “djalit” të Franc Kafkës, por që në të vërejmë elemente të cilat e shndërrojnë këtë në roman. Them roman, sepse tërë kohën autori flet e tregon ngjarje të shumta, por duke u munduar që mos ta bëjë monoton dhe të jetë sa më interesant për ata të cilëve në të vërtetë iu dedikohet – lexuesve. Në një letër është vështirë të krijosh personazhe, e sidomos në një të tillë ku e gjithë ngjarja tregohet për familjen tre anëtarësh – trininë (Francin, Feliçen dhe të Birin), prandaj edhe këta janë të vetmit që përmenden duke futur herë – herë edhe citatet e Hermann Kafkës (babait të Francit), të marra nga letra drejtuar atij.
“Letra e dytë” tregon jetën e Franz Kafkës pas krijimit të familjes së tij dhe në këtë mënyrë lidhja e tyre nga autori shpjegohet si një “trini e shenjtë”, që si e tillë mbahet nga dashuria dhe nga e kaluara. Një letër shumë karakteristike, po aq sa është edhe vetë raporti mes djalit dhe babait, është ajo që e bën autorin që disa herë ta ndërrojë mënyrën e të rrëfyerit, duke qenë herë në pozitën e autorit, herë të personazhit shpesh autobiografik, duke shkruar në vetën e dytë, por edhe duke rrëfyer si narrator i gjithëdijshëm.
Përveç mënyrës së rrëfimit dhe përshkrimit, autori me dëshirën që t’i largohet monotonisë vë në dukje elementin e intertekstualitetit, pasi që dhjetë herë brenda 126 faqeve të librit gjejmë nga një parabolë apo ndryshe siç i cilëson autori “pushime”. Këto pushime intertekstuale, lujanë rolin e ndërmjet tekstit e që romanit në fjalë i japin shenjat e një vepre tipike postmoderne. Vetë titulli “Franc Kafka i shkruan të birit” na bën të kuptojmë se e gjithë historia e veprës është e shoqëruar nga diskursi i mbindërtuar, kështu, edhe pse ngjarja është e imagjinuar vendi apo hapësira, e gjithashtu edhe koha për të cilën autori flet, i takojnë reales.
Dihet se vetë Kafka gjithë jetën ka qenë nën presionin e të atit, e për këtë arsye Ridvan Dibra librin provon ta ndërtojë si një raport ekstremisht të kundërt me atë që Kafka në të vërtetë ka pasur. Kështu, libri i dytë këtë raport e përshkruan si të mirë dhe të kundërt me të parin, por në atë mënyrë që figura e hiperbolës dhe e krahasimit është shumë e dallueshme.
Gjithsesi, duke njohur situatën e vërtetë, letra e dytë mund të jetë diçka në të cilën shumë kush e gjen veten më lehtë dhe ndihet më mirë.
DALLIMET
Te romani “Franca Kafka i shkruan të birit” vërejmë elemente të shumta të ngjashme e po ashtu edhe shumë të tjera dalluese nga ajo që Kafka ia shkruan të atit. Thjesht, për këto dy “letra” mund të themi se paraqesin dy raste tërësisht të kundërta në kuptimin e qasjes, komunikimit ndërmjet personazheve dhe qëllimit të autorit. E para bazë ka faktin, ndërsa e dyta faktin e përpunuar deri në fiksion. E themi këtë sepse, në veprën e Dibrës, vërejmë elementet tematike pothuajse të njëjta si në veprën e Kafkës, por që paraqesin një realitet krejtësisht të ndryshëm, një raport tërësisht të “zbutur”, një liri të tepruar dhe një përkrahje jashtëzakonisht më të madhe të babait ndaj të birit. ibri i dytë, shpesh ka pjesë të zhvilluara në formë të monologut, e që duke dashur t’i drejtohet “të birit”, autori komunikon me lexuesit dhe i bën më interesante rrëfimet e trilluara, të cilat në librin e parë janë interesante për mënyrën e sinqertë se si Kafka i flet apo i “hakmerret” të atit.
Këto ngjarje që bazohen në “letrën e parë”, janë pothuajse komplet të rrëfyera nga një këndvështrim i narratorit të gjithëdijshëm, ndryshe nga i pari që flet si narrator autobiografik.
Duke ditur se autori tërësisht mundohet t’i përmbahet ngjarjeve dhe temës së librit të parë, libri i dytë herë – herë e humb efektin e tij, sidomos në pjesët ku sjelljet e babait ndaj të birit janë të tilla ku babai lëvdon të birin edhe kur ai mendon apo vepron gabimisht.
Sidoqoftë, te romani i Dibrës, nuk kemi rrëfim prej perspektivës inafatile, por ka shumë elemente të tjera që e karakterizojnë si roman postmodern, si: fragmentariteti, devijimi zhanror, lirizmi, biografizmi, citati, ironia etj. Nëse në veprën e parë, Kafka nuk mund t’i tregojë disa ngjarje të tjera ashtu siç janë, dhe në një farë mënyre, shumë rrallë vjen te përdorimi i figurës së elipsës, krejtësisht e kundërta ndodh te libri i dytë, ku Ridvan Dibra sikur ekzagjeron raportin e treguar. Sdoqoftë, si te njëra vepër edhe te tjetra zë vend absurdi si lajtmotiv që i lëvizë gjërat drejt një revolte të heshtur dhe kërkimit të një lirie jetësore.
( ne foto Franz Kafka, Ridvan Dibra)
(Autorja i takon klubit kritik “M3”)
Shkrimi u botua ne suplementin Rilindja, 11 mars 2012
(shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Planet e administratës së re amerikane për reformimin e FBI-së

Planet e administratës së re amerikane për reformimin e FBI-së