Dua të them se e keqja në vendin tonë nuk zgjat shumë. As bëhet e madhe. As stuhitë që sajon zoti për gjithë rruzullin, nuk bëjnë efekt në vendin tonë. U bekuam qëkur u lindëm këtu.
Dua të them se edhe e keqja e fundit që iu kanos vendit, nuk zgjati shumë. Ata që e nisën ‘protestën’ me rropamë topash, ngelën në mes të diellit të bulevardit. Aq sa gjen në drekë te dera e ashensorit. Ka arsye:
Zori i njerëzve para mashtrimit
Disa e ‘hëngrën’ Shqipërinë e re dhe bënë gati jahtet, charterat, ëndrrat për të fluturuar. Tani iu vjen zor pse ‘e hëngrën’ përrallen. Më në zor pashë një reportere televizioni. Kishte gjithë ekipin, kameran, operatorin, shoferin…, para monumentit të Gjergj Kastriotit. Ngriti zërin dhe vetes i dha pamje ‘Shote’.
“Po vijnë ata, ata fitimtarët, lumenjtë e protestuesve! Ndodhemi në sheshin Skënderbe. Ditë e madhe. Ja erdhi… Lumenj njerëzish…”
U panë vetëm aq njerëz sa një fis për darkë.
Vajza i bënte me dorë operatorit që të filmonte nga poshtë; ashtu do të dukeshin ‘lumenj’. Pa zgjidhje edhe kjo. Dhjetë, pastaj dymbëdhjetë vetë, por zhurmë shumë.
Reporterja u detyrua t’i kërkojë redaksisë ‘mbylljen e kamerave’. Nuk bëhet me kaq pak njerëz.
Dëshpërimi pasi zbulohet veza e thyer:
Deri ditën 36 lidershipi i ri i Shqipërisë së re nuk po shfaqej. Magjia u bë sa bota, ‘ata do të vijnë që andej!’. ‘Jo andej, por nga ana tjetër’. ‘Andej nga na kanë këshilluar, more tuhaf’. Nisi grindja mes veti.
Po nga do të vijnë? Kur u thye veza, panë zogjtë të gjallë. Dëshpërim. Një nga komentuesit e shumtë të ngjarjes, shkroi sot:
“E imagjinoni dot një Kolë me qeleshe nga Kukësi, do të zhvillojë më shumë Shqipërinë’.
Kola, i ziu, një derdimen që s’e mbante shtëpia brenda, punën që i dhanë po bënte. Madje deklaroi se ishte në konflikt me të gjithë në familje. Pas së shoqes, i fliste edhe vjehrri:
‘Ktheu në shtëpi të kalamajt, o djalë!’, i thoshte.
Edhe ata që bënë si të fortë e me mjekra, ‘lanë lesht’ në bulevard. Kur u thye veza, askush nuk mund t’u besojë këtyre. Janë sa injorantë, sa të ngrefos, sa mburravecë, sa të kotë. Pjesa më e ulët e ‘kazanit’ popull.
Pritet të vijnë kosovarët, por ata nuk kanë det:
Gabimi i këtyre pse e bënë protestën në kulmin e verës. Ose në këtë stinë të mos vinin kosovarët e ‘luftës kundër atdheut amë’. Ata nuk i rezistuan tundimit të detit. Edhe osmanët, në kohën e tyre, nuk i rezistuan shumë gjërave në tokën shqiptare.
Kosovarët vijnë si ‘diasporë’, por i tradhton gjuha sapo hapin gojën. Zbresin në bulevard për luftë, por në vend të mullah Albinit preferojnë Agia Sarandën. Po të kishin qenë të ngopur me det, kosovarë e maqedonas, kismet edhe mund të kishte fituar revolucioni i flamengove.
Sot nuk është dita kur mund të vrasin Edi Ramën.
Sot e nesër më mirë të fshihet fare ai grupi para selisë së qeverisë. Ta bëjnë pushim për të qenë gati pasnesër. Sot Edi Rama është nisur për në Turqi, në Samitin e NATO-s. Pasnesër mund të jetë në Tiranë, dhe këta ta qëllojnë për vdekje. Por tani u ka hyrë një frikë:
“ Turqia po luan me ne! Kishim shpresë te Stambolli. Por qenka me Ramën. Ndoshta ndodh më e keqja, që Turqia i thotë një fjalë edhe Teheranit e nuk na e vërshëllejnë më”.
Kështu funksionon mendja e tyre sa një thërime. I zë paniku i ‘vdekjes’, me të cilën nisën protestën. Më vjen në mend një ngjarje e viti 1991, kur u shfaqën ‘trimat dhe heronjt’ pas shiut të diktaturës. Më vjen një ‘i burgosur’. Ishim në redaksinë e RD. Ata në PD e kishin quajtur ‘hero’, nga Fushë Kruja.
-Kam dashur të vras Enver Hoxhën.
-Po, po! Më thanë se Enveri po shkonte në Shkodër. Mora sëpatën dhe u fsheha poshtë Urës së Zezë.
-Po, po! Kur do të kalonte Enveri mbi urë, unë do ta vrisja me sëpatë që nga poshtë urës…
Ngjarja është e vërtetë. Atëherë ishte e ndaluar të kishte budallenj, diktatura e proletariatit nuk i lejonte. Tani dalin bulevardit.
Vjen një ditë që nuk i ndjek njeri. Kanë ngelur vetëm sa për një ashensor. Pas dy ditësh do të jenë përsëri ‘foltore e PD’ dhe i vetëm trim në luftë, Lapaj./TemA
Komente










