Sa herë u nisën të bëjmë rrugë bashkë, komunistë e ballistë. O rezultoi rrugë e shkurtër. O rezultoi dorëzim te pushtuesi. O ishte rrugë e gjakosur.

Kështu ndodhi në 26 Maj, dy herë 26, në dy epoka. Në epokën maj 1996, sheshi i kryeqytetit u mbyt me gjakun e komunistëve. Dy ditë më parë pushteti kishte dhunuar gjithë votat e qytetarëve shqiptarë dhe e hodhi në greminë demokracinë.

Në epokën 2026 Shqipëria u vendos nëfazën përfundimtare për anëtarësim në BE. Shqipëria u mbush me frymë dhe me dinjitet si Europa.

‘Tani nuk kemi më frikë të themi se jemi socialistë!’, tha një nga autoritetet politik.

Çfarë ndodhi kështu?

Për herë të parëkryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi se Socialistët janë krenarë për vlerat e tyre. Krenar për fitoren në Luftën e Dytë, për koalicionin anti Nazist, për ndërtimin e vendit… Deklarata e kryeministrit mbante barrën e kuptimit se ‘vetëm me socialistët, kurrë me ballistët, do të kishim BE’.

Ballistë dhe socialistë në këtë rast ka kuptimin e sheshit Skënderbe ku u derdh gjaku në 28 maj 1996. Atë ditë ndodhi kjo: Për herë të parë fituan ‘ballistët’. Gjithë jetën kishin fituar komunistët.

Komunistëve u hyri frika në palcë. Kur erdhën në pushtet ‘ballistët’ në mars 1992, komunistët u dorëzuan. Madje edhe u mblodhën e nuk dolën nga shtëpitë. U dëbuan nga puna sipas ligjit 24/1. Që atëherë nuk guxuan të thonë hapur se janë komunistë.

Edhe pse fituan zgjedhjet. Edhe pse eliminuan pasojat e luftës civile që shkaktuan ballistët. Edhe pse vuajtën me gjithë popullin nga vjedhjet e skemave piramidalë. Edhe pse qeveria balliste vrau katër protestues demokracie në oborrin e qeverisë. Edhe pse kishin ndërtuar hidrocentralet me të cilat vendi garanton energjinë në epokën e tmerrshme të ‘ Hormuzit’.

Megjithatë kishin frikë.

Ndodhi kështu sepse dikush kishte thënë se ‘ju komunistët jeni tëdjegur, ata që ishin ballistë kanë radhën’. Vini re: Mes nesh nuk kemi komunistë në koalicione zgjedhore, por kemi ballistë.

Sot e kësaj dite ‘ballistët’ pas PD kërkojnë radhën për pushtet.

Këtu qëndron nyja e problemit me datën 26 Maj.

Në 26 maj 1996 ishte radha e ballistëve për të dhunuar e rrahur komunistët. Dhe e bënë, u lanë. Por ballistët nuk kishin radhën për ta çuar Shqipërinë nëEuropë. Kjo radhë nuk mund t’u vinte atyre që nuk e bëjnë dot.

Duhej pritur radha e komunistëve për të zhvilluar vendin drejt Europës. Ja, kjo që ndodhi. Ka 13 vjet që ka nisur.

Edhe në fillesa ishte radha e komunistëve për të marrë pushtetin. Po ta merrnin ballistët, edhe ata socializmin do të ndërtonin, por socializëm me ballistë në krye. Radhimi botëror ishte kryer.

Kush do të ishte më i miri? Diktaturë do të ishte, patjetër, si diktaturë komuniste apo balliste. Por në fillesa u konstatua se Balli ishte parti e qejfeve dhe pulave të pjekura, ndërsa komunistët i hyjnë punës. Gjatë rrugës u hynë në hak edhe ballistëve, i rrahën dhe i burgosën.

Në fillesa ishin njësoj: Ermenji i Ballit krijoji Dekalogun, edhe Enveri i komunistëve- Dhjetë cilësitë e komunistëve! Njësoj, me Dhjetë.

Ata humbën sepse duhej të humbnin, asgjë nuk është e rastësishme.

Kur fituan ballistët, edhe këta fituan me gjak. Ndryshimi mes tyre është se ndërsa komunistët fituan për një rrugë të gjatë, ballistët sa herë fituan, fituan një rrugë të shkurtër. Shikoni shembullin më të fundit, pas 26 majit: Sali Berisha, president i ballistëve, u zgjodh me dhunë për herë të dytë në 3 mars 1997. Por ra pas vetëm gjashtë ditësh, në 9 mars 1997. Presidenti i vetëm në rruzull që u rrëzua pas gjashtë ditësh. Skemat piramidale që ndërtuan ballistët, lindën në hotel Dajti në vitin 1996, por në vitin 1997 e gjakosën popullin me rënien e tyre. Grushti i shtetit i ballistëve nisi në mëngjesin e 14 shtatorit, morën pushtetin  dhe dorëzuan pushtetin në drekë të po asaj dite…’

Ballistët nuk kanë demokraci.

Kjo ishte ëndrra dhe patologjia e ballistëve: Ti rrihnin një herë komunistët. Edhe kjo ndodhi. Të paktën të quhen në barazim.

Në barazim edhe para Brukselit. Aq herë sa shkon qeveria komuniste në Bruksel, aq herë shkon edhe opozita balliste. Veçse me një ndryshim: Ballistët kërkojnë që Shqipëria të mos pranohet në Bashkimin Europian, komunistët po bëjnë të pamundurën për të hyrë në Bashkimin Europian

Shënim: Emërtimet ‘ballist’ dhe ‘komunist’ janë përdorur si lehtësi për të mos përdorur shpesh thonjëza.