TIRANE- Kristiandemokratët pritet që t`i bashkohen qeverisjes së majtë në muajin janar, kjo pas negociatave që pritet të fillojnë shumë shpejt me kreun e qeverisë. Ata deklarojnë se kanë pritur shumë për t’u bërë pjesë e qeverisjes në të gjitha nivelet e saj, ndaj kërkojnë që në muajin janar, aleatja e madhe, Partia Socialiste, duhet të marrë një vendim. Deputeti kristiandemokrat, Mark Frroku, ka deklaruar se fillimi i vitit që vjen është momenti i kësaj vendimmarrje të tillë, kjo edhe në bazë të premtimit të bërë para krijimit të koalicionit të majtë në zgjedhjet e 23 qershorit.

“Jemi në rrugën e mbarë që në janar, që është shumë pak ditë, do ulemi në tryezë me to, unë e kuptoj sosjen e durimit e gjithsecilit prej jush dhe keni shumë të drejtë. Ne kemi dhënë tolerancën tonë dhe besoj se ashtu siç e kemi mirëkuptuar ne partinë e madhe dhe Kryeministrin, të na mirëkuptojnë edhe ata në janar dhe mbrapa. Kjo nuk do të thotë që ne gjithmonë do jemi të nënshtruar se çfarë thonë të mëdhenjtë, ne kemi fjalën tonë, veprat tona, mandatin tonë, të gjitha mundësitë tona intelektuale në gjithë Shqipërinë për tu përfaqësuar në çdo rang qeverisës”, tha ai.

Shkrimi u publikua sot (22.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)