Nga ana tjetër, sipas Bankës së Shqipërisë, të ardhurat buxhetore për këtë periudhë rezultuan 2.9% më të ulëta nga një vit më parë, duke reflektuar ecurinë e dobët të të ardhurave tatimore. Këto zhvillime janë materializuar në rritje të ndjeshme të defiçitit buxhetor, i cili ka rezultuar më shumë se dy herë më i lartë, në krahasim me një vit më parë. Totali i të ardhurave në gjysmën e parë të vitit 2013 u vlerësua në rreth 23.4% të PBB-së, ose 1.8 pikë përqindjeje nën mesataren e vlerësuar për gjashtëmujorin e parë gjatë 2010-2012, thekson raporti.
Të ardhurat tatimore për periudhën 6-mujore u reduktuan me rreth 3.9% nga e njëjta periudhë e një viti më parë, kryesisht në sajë të niveleve më të ulëta vjetore të të ardhurave nga TVSh-ja, akcizat, tatimi mbi fitimin dhe nga taksat kombëtare. Dinamika në rënie e të ardhurave tatimore vlerësohet të jetë kombinim i dobësisë së kërkesës së brendshme me tërësinë e masave fiskale të ndërmarra gjatë këtij viti buxhetor. Të ardhurat nga TVSh-ja mbartën kontributin më të lartë negativ në ndryshimin e të ardhurave tatimore (me rreth 2.8 pikë përqindjeje).
Dinamika në rënie e të ardhurave nga TVSh-ja vlerësohet të jetë rezultat i importeve më të ulëta në terma vjetorë, i vijimësisë së një aktiviteti ekonomik të brendshëm të ngadaltë përgjatë kësaj periudhe, si edhe i rimbursimeve më të larta nga një vit më parë. Dinamika e deficitit buxhetor është reflektuar në rritjen e borxhit publik gjatë kësaj periudhe, theksojnë ekspertët e Bankës qendrore. NSipas tyre, në fund të tremujorit të parë, raporti i borxhit publik ndaj PBB-së vlerësohet në 63.3%.
Borxhi publik përbën një nga dobësitë më të mëdha të ekonomisë e të sistemit financiar shqiptar, shton BSH, duke vënë në dukje se, për këtë arsye, Banka e Shqipërisë sugjeron se marrja e masave të menjëhershme për kontrollin e këtij borxhi do të përbënte një kontribut të rëndësishëm për reduktimin e pasigurive dhe të primeve të rrezikut në ekonomi. “Gjejmë rastin të sugjerojmë edhe një herë vendosjen e një rregulli fiskal transparent e të besueshëm, si rruga më e mire për të disiplinuar politikën fiskale dhe për të ruajtur besimin e tregjeve financiare ndaj borxhit publik shqiptar, në afat të gjatë”, thuhet në raport.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 25.08.2013
Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)