Të paktën 41 kandidatë për kryetarë bashkie rrezikojnë gjoba të mëdha nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Ata kanë paguar nga xhepi i tyre shpenzimet për fushatën, duke mos e ditur që çdo qindarkë duhet të kalonte përmes një llogarie të posaçme për procesin zgjedhor.
“Mirë gomari që na ngordhi, po s na lënë rehat as mizat”.
Ky është një prej 41 kandidatëve në zgjedhjet për bashkitë, i cili rrezikon të gjobitet, sepse gjatë fushatës së vitit 2023 përdori para nga xhepi i tij për postimet në Facebook apo për shpenzime të tjera me elektoratin.
“Janë lekë që m’i kanë dërguar njerëz të gjakut tim lekë. Pagova FB. Ju nuk e patë administratën në terren dhe as hedhjen e asfaltit gjatë fushatës, por na shihni neve, nuk jua kam borxh”, tha një prej kandidatëve.
Në masë dërrmuese, KQZ kërkon t’i gjobisë kandidatët, sepse ata nuk e kanë ditur që edhe paratë personale, nëse do t’i përdornin për fushatë, duhet t’i kalonin në llogarinë e posaçme për qëllime elektorale, të kontrolluar nga institucioni që menaxhon zgjedhjet.
Kandidati: Pagova kafe-raki.....në lokale, ne s’na flisnin me gojë, jo të na jepnin lekë!
Anëtari i KAS, Koli Bele: Bëhet fjalë kur mblidhen 20 burra tek klubi i fshatit, pinë apo hanë diçka.
Anëtari i KAS, Ledio Braho: Domethënë këta tek klubi i fshatit duhet të shkojnë atje me formular me vete!
Anëtarët e Komisionit të Sanksioneve në KQZ, e kritikuan administratën se nuk ju ka shpjeguar kandidatëve se edhe paratë nga xhepi i tyre duhet të deklaroheshin, ashtu si çdo financim tjetër, partiake apo nga persona të tjerë dhurues.
Rusmali: Shpjegojuani njerëzve që s fusin dot dorën në xhepin tuaj për fushatë!
KAS do të marrë një vendim gjatë javës nëse do t’i gjobisë apo jo 41 kandidatët, 32 nga opozita dhe 9 të socialistëve. Ilirjan Celibashi ka kërkuar penalizim të tyre nga 72 mijë deri në 720 mijë lekë të reja. Shumica e atyre që rrezikojnë, i kanë humbur zgjedhjet.