Fushata, Në Shqipëri fëmijët
në rreshtin e parë të mitingjeve

Fushata, Në Shqipëri fëmijët <br />në rreshtin e parë të mitingjeve
Shqipëria është në klimë të plotë elektorale në pritje të zgjedhjeve politike të qershorit. Dhe tensionet elektorale nuk janë duke kursyer as më të pambrojturit, fëmijët.

Në Shqipëri gjatë fushatës elektorale fëmijët gjenden shpesh në rreshtat e parë: për të duartrokitur nga tribuna gjatë një takimi, në këmbë, nën diell, nëpër sheshe, për të brohoritur në klasat e shkollave të tyre apo kopshteve, të ulur me uniforma për të dëgjuar me vëmendje një politikan.

Skena, që natyrshëm nuk mund të mos të të rishfaqin kujtimet e diktatorëve të vendeve të Ballkanit dhe Europës Lindore, gjithmonë me fëmijë në krah, gjithmonë të qeshur, gjithmonë në dispozicion të tyre.

E megjithë buzëqeshjet e treguara gjatë fushatës elektorale, situata e fëmijëve në Shqipëri gjatë dekadës së parë të tranzicionit (1991 – 2001) ishte dramatike. Megjithë ratifikimin nga ana e shtetit shqiptar në 1992 të Konventës së OKB për të Drejtat e Fëmijëve deri në vitin 2000 progreset efektive qenë gati inekzistente.

Për rrjedhojë, në fund të dekadës gjenden rreth 8000 fëmijë shqiptarë, që shesin si ambulantë nën diellin përcëllues dhe rreth 2000 vajza në moshë minore, që prostituojnë nëpër rrugët e Europës. Janë shkatërruar kopshtet e tyre, shkollat dhe hapësirat e tyre në spitale. Janë më shumë se 6000 fëmijë të pashoqëruar, që mund të bien lehtësisht pré e trafikut në Europë.

Në një proces shpërbërjeje të familjes patriakale shqiptare, fëmijët janë viktima të dhunës në shtëpi, shkollë dhe nuk kanë qenë kurrë një përparësi për autoritetet publike. Asistenca sociale për fëmijët e rrezikuar dhe viktima të dhunës është inekzistente.

Duke filluar nga viti 2000, disa gjëra kanë ndryshuar me aprovimin e ligjeve të shumta dhe prej dispozitave të traktateve ndërkombëtare, që Shqipëria ka ratifikuar.

Me strategjitë për fëmijët, të aprovuara nga qeveria çdo 5 vjet, duke nisur nga viti 2000, është kërkuar t’u jepet atyre përgjigje, duke krijuar strukturat dhe institucionet e para kombëtare për fëmijët.

Në 2010, parlamenti ka miratuar Ligjin për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, i cili parashikon nga institucionet dhe dispozitat për koordinimin e aktiviteteve në nivel qendror dhe lokal një mbrojtje efektive të të drejtave të minorenëve.

Ligji i ri ka ndërfutur edhe Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, ku statutet parashikojnë propozime dhe monitorime pa një rol implementimi real të normativës në këtë fushë.

Puna në terren mbi efektshmërinë e kujdesit ndaj fëmijëve mbetet në një pjesë të madhe në duart e Ojq-ve, duke dëshmuar edhe një herë impenjimin e mangët real të institucioneve publike në terma financiarë dhe njerëzorë për një mbrojtje konkrete të të drejtave të më të vegjëlve.

Në 23 qershor të këtij viti, shqiptarët duhet të zgjedhin parlamentin e ri. Fëmijët, si në fushatat e mëparshme përdoren për të treguar pafajësinë e secilit kah politik. Por jo vetëm kaq: edhe për të shtuar turmat. Fare lehtësisht mobilizohen mësues, drejtorë, gati për të vënë në rresht nxënësit e tyre përpara një politikani apo një tjetri.

Për t’i dhënë fund këtij “shfrytëzimi” të vërtetë nuk ka mjaftuar as kronika e shtatorit të vitit të kaluar, kur një fëmije i ra të fikët, ndërsa priste nën diell një politikan. Nuk kanë mjaftuar as thirrjet e shumta të Kombeve të Bashkuara, të cilat kanë kritikuar autoritetet shqiptare për përfshirjen e minorenëve në fushata elektorale.

Përballë këtij zakoni të keq, e përhapur tek të gjitha partitë, shoqëria civile nuk reagon. Dhe nuk mbetet veç të urojmë, që përveç miratimit të ligjeve për kujdesin e fëmijëve autoritetet shqiptare të nisin të punojnë për të informuar dhe edukuar shoqërinë drejt një respekti real të të vegjëlve. E nëse jo përfaqësuesit tanë politikë, kush tjetër mund ta japë i pari këtë shembull? Për më tepër, fëmijët gjenden gjithmonë në tribunë, me të njëjtën buzëqeshje të stampuar nën diell.

Shkrimi u publikua sot në “Osservatorio dei Balcani”

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

AKEP hap garën për frekuencat e teknologjisë 5G

AKEP hap garën për frekuencat e teknologjisë 5G