Gabimi i Ramës

Gabimi i Ramës
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor sollën më shumë luftë se paqe. Marrëveshja mes dy të mëdhenjve, hapi një shteg shprese në Bruksel dhe dhe mbylli shtigjet mes socialistëve dhe aleatëve të tyre që kërkonin patjetër një korrektim kombëtar të ngjashëm me atë të kodit të 2005. Rama e firmosi kërkesën e tyre në tryezën e inicuar nga Pastal Milo. Edhe Berisha bëri të njëjtën gjë. Por liderët e dy partive të mëdha nuk ishin të sinqertë në firmën e tyre. Këtu fillon kriza që pasohet me akuzat që vijnë kryesisht nga aleatët e PS. Ata e akuzojnë Ramën se ka bërë edhe një herë çfarë ka dashur Berisha dhe nuk e ka mbajtur premtimin. Gjinushi dhe Milo paralajmëruan një pol të ri të partive opozitare që nuk do të hyjë në zgjedhje me PS, duke rrezikuar fitoren e opozitës. Çuditërisht aleatët e Berishës nuk protestojnë dhe nuk kërcënojnë se do të dalin vetëm në zgjedhje.
Problemet e të majtës me unitetin janë të vjetra. Rama ka qenë përgjegjës si kryetar i opozitës, por këtë herë është e vështirë të gjendet përgjegjësia e tij. Kishte një kod zgjedhor që duhej të ndryshonte. Ndryshimin e kërkonin të gjithë faktorët politikë dhe jopolitikë, përveç Berishës. Opozita u nis në dy linja, e para të garantonte sa më shumë sigurinë e votës dhe e dyta kërkesa e aleatëve, shmangia e deformimit të votës, duke u dhënë mundësi partive të vogla të përfaqësohen në parlament. Në linjën e parë, PS propozoi ndryshimin e KQZ, transparencën (hapja e kutive), indentifikimin elektronik dhe numërimin elektronik. Këto i arriti jo plotësisht dhe me shumë mund. Situata ishte e qartë, opozita kërkonte, maxhoranca pranonte ose jo. Opozita donte të merrte sa më shumë nga proçesi dhe arriti të merrte diçka. Nuk ishte PS që lëshonte, por PD, ndaj lufta e partive të vogla duhet të drejtohej tek maxoranca.
Pasi u arritën amendimet që rrisin sigurinë e votës, mund të diskutohej edhe për përfaqësimin e votës, por afati i komisionit mbaroi. PD e dha konsensusin ditën e fundit dhe nuk la kohë për diskutime të tjera. Ndërsa opozita, që mori pjesën më të rëndësishme të atyre që kërkonte, nuk mund të rrezikonte gjithë proçesin për kërkesën e aleatëve. Kështu humbiste gjithçka dhe damkosej si bllokuese me presionin e kronometrit që ishte shtypur në Bruksel. Rama e ka thënë disa herë publikisht se nuk do të vërë veton për kërkesat e aleatëve. Dhe kështu bëri. Pas marrëveshjes duhet të protestonin më shumë aleatët e vegjël të Berishës, sepse ishte Partia Demokratike që e shmanagu kërkesën e tyre. Nëse 4 vjet më parë, ishte përgjegjëse për Kodin, këtë herë Partia Socialiste nuk mund të mendonte më shumë se për vete.
Ky kod nuk e deformon votën më shumë se në vendet e tjera perëndimore që kanë sistemin proporcional rajonal, dhe as më tepër se në vendet që kanë sistem maxhoritar të pastër. Korrektimi kombëtar, që kërkonin partitë e vogla, vërtet mund të korrigjonte përfaqësimin. Ka shumë parti të vogla që mund të arrijnë të marrin të paktën 1 deputet me votat që mbledhin. Por në çdo sistem ka mundësi për deformime të votës. Në vitin 2005, sistemi i korrektimit kombëtar, krijoi megadushkun me të cilin PD erdhi në pushtet. Dushku i vogël, i shpikur në vitin 2001, nxorri 10 deputetë dhe, përveçse se identifikoi një fshat me një proçes deformues, i hoqi pjesërisht legjitimitetin parlamentit në institucionet ndërkombëtare. Korrektimi kombëtar ka sjellë shumë deformime në zgjedhje për t’u rikthyer kaq shpejt si korrektues.
Nëse ishte kusht që Rama të kishte aleatët në krah për zgjedhjet e ardhshme, nuk ishte garanci për PS. Sistemi i korrektimit kombëtar, mund të rikthente presionet që partitë e vogla u bënin aleatëve të mëdhenj para vitit 2005, kur kërkonin më shumë se 3 deputetë për t’u futur në Aleancë. Nga përvojat e mëparshme dhe nga pretendimet e sotme, korrektimi kombëtar, nuk është në të vërtetë një domosdoshmëri për përfaqësimin e zgjedhësve, por një nevojë e partive të vogla për të hyrë në parlament në mënyrë sa më komode, rikthim në parlamentin e 12 partive që shisnin e blinin deputetë për një vend në Qeveri, duke delegjitimuar mandatet.
Skënder Gjinushi, si një ndër figurat kryesore të së majtës, e akuzoi Ramën se i ka shërbyer Berishës, me dashje apo pa dashje. Jo vetëm me reformën zgjedhore, por që nga hartimi i kodit në vitin 2008. Si një politikan i vjetër dhe si njohësi më i mirë i ligjit dhe proçesit zgjedhor, qëndrimet e tij janë shumë të rëndësishme. Por pasi tha këto, ai dha lajmin e mirë për Berishën se do të dalë në zgjedhje me një pol të ri, me Milon dhe ndonjë parti tjetër. Kështu, në shtator, kur të zgjidhet KQZ e re, të shpallet data e zgjedhjeve, të fillojnë bisedimet për aleancat dhe të fillojë praktikisht fushata, opozita rrezikon të merret me veten. Ku do të ishte gabimi i Ramës.

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'Plazhet e Lezhës janë në kapacitete absolute', nënkryetari i bashkisë për Studio Live: Sfidoj këdo, nga portalet nuk merret vesh e vërteta

'Plazhet e Lezhës janë në kapacitete absolute', nënkryetari i bashkisë për Studio Live: Sfidoj këdo, nga portalet nuk merret vesh e vërteta