/ATSH-ANA-MPA/ - Ministri gjerman i Ekonomisë, njëkohësisht edhe zëvendëskancelar, Sigmar Gabriel në një intervistë për gazetën "Bild" i është referuar një pakete tjetër ndihme për Greqinë, nëse vendi përmbush detyrimet e veta.
"Një paketë e tretë ndihme ndaj Athinës është e mundur, nëse zbatohen reformat. Nuk mundemi thjesht të dërgojmë para", deklaroi ai.
"Qeveria e kryeministrit Cipras duhet të respektojë angazhimet. Tani, ai propozon referendum për reformat e nevojshme, ndoshta kjo e përshpejton vendimin", theksoi ai.
Gabriel gjithashtu ka tërhequr vëmendjen mbi rrezikun e të ashtuquajturit "Grexit".
"Dalja e Greqisë nga eurozona nuk do të ishte ekonomikisht, por politikisht, shumë e rrezikshme", tha Gabriel.
"Nëse largohet vendi i parë, atëherë të tjerët do ta shohin ndryshe Europën. Askush nuk do të ketë më besim tek Europa nëse shpërbëhemi me krizën e parë të madhe", tha ai.