Ganaj: Rikontroll deklaratave të
pasurisë nga 2003 emrat që hetohen

TIRANE- Rikontroll i të gjitha deklaratave të pasurisë nga viti 2003 nga ana e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave. Kreu i këtij institucioni Shkëlqim Ganaj thotë se shkak për marrjen e këtij vendimi nga  ILDKPKI është bërë situata e rëndë ku u gjet zyra e administrimit të dosjeve të kontrollit të plotë të deklaratave të interesave private të zyrtarëve e dyshimeve për zhdukjen e dosjeve të kontrollit të plotë të zyrtarëve. Sipas institucionit konstatohet i zhdukur regjistri disavjeçar i denoncimit të rasteve të korrupsionit e interesave private të fshehura ose të padeklaruara të zyrtarëve.

Sipas ILDKPKI është vendosur fillimi i procedurave të kontrollit të plotë, rikontrollit të plotë dhe hetimit administrativ të të gjithë deklaratave të interesave private që nga viti 2003 për funksionet e mëposhtme. Hetim deklarimit të pasurisë nga Presidenti Buajar Nishani, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama, Zv.kryeministri Niko Peleshi, Ministrat e zv.ministrat, Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese me në krye Bashkim Dedja, Anëtarët e Gjykatës së Lartë, Kryetari i KLSH Bujar Leskaj, Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, Avokati i Popullit Igli Totozani, Kryetari dhe Anëtarët e KQZ, Zv.kryetari Elvis Cefa e anëtarët e KLD, Guvernatori i BSH Adrian Fullani, Kryetarët e Bashkive, Drejtori i SHISH Visho Ajazi Lika, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Artur Zoto, Drejtori i Përgjithshëm i Hipotekës Ilirian Muho; Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Elisa Spiropali, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve Briseida Shehaj si dhe gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve.

Ndërkohë që kësaj skeme i shpëton ish-kryeministri Sali Berisha, i cili do të ketë një hetim normal të deklaratës së pasurisë si deputet i Kuvendit, por që do bëhet mbi bazën e deklaratës së fundit të tij si kryeministër. Duke sjellë në këtë mënyrë vënjen nën kontroll të plotë të hetimit të pasurisë të të gjithë drejtuesve të shtetit, sistemit të drejtësisë dhe institucioneve të tjera.

Një iniciativë e tillë, sipas kryeinspektorit Ganaj, ndërmerret në kushtet kur ka dyshime për zhdukjen e dosjeve të kontrollit të plotë të zyrtarëve të ndryshëm. Në një njoftim zyrtar të ILDKP-së deklarohet gjithashtu zhdukja e regjistrit disavjeçar të denoncimit të rasteve të korrupsionit dhe interesave private të fshehura ose të padeklaruara të zyrtarëve, raste këto të denoncuara nga ana e qytetarëve, medias dhe shoqërisë civile. Po kështu, sipas këtij institucioni “prej vitit 2006 nuk është kontrolluar asnjë zyrtar i lartë nëse ka përfituar nga fondet publike apo jo. ILDKP bën të ditur, se gjatë këtyre viteve është abuzuar duke lënë jashtë skemës së kontrollit të plotë, qëllimisht, zyrtarë të niveleve të ndryshme.

Kreu i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Shkëlqim Ganaj, ngre akuza për bllokimin e qëllimshëm. sipas tij, edhe të adresës elektronike [email protected] dhe numrit pa pagesë 08009999 të cilët nuk kanë qenë funksionalë prej shumë vitesh”. Ndërkaq, Ganaj njofton nisjen e punës për hartimin e regjistrit elektronik për konfliktin e interesave, regjistër i cili, sipas tij, duhej të ishte hartuar që në vitin 2006, me qëllim që për herë të parë të fillojë verifikimi nëse zyrtari, bashkëshortja, prindërit e zyrtarit, prindërit e bashkëshortes, fëmijët në moshë madhore, kanë lidhur apo jo kontrata me institucionet shtetërore dhe kanë përfituar nga fondet publike në kundërshtim me ligjin.

Rezultatet e kontrollit, sipas njoftimit, do të përfundojnë dhe do të bëhen publike rast pas rasti deri më 31 dhjetor të këtij viti. Ndërkaq, debati politik mbi ILDKPKI, vijon të mbetet i hapur jo vetëm me akuzat e opozitës për kapje të institucioneve nga ana e qeverise, por edhe pas ankimimit qe kreu i Shtetit i beri në Gjykatën Kushtetuese, me argumentin se shkarkimi i Xhukes ishte i paligjshëm, dhe duke ia lënë Kushtetueses të zgjidhë kompetencat mes Presidentit dhe Kuvendit.
 
Hetim pasurisë që nga viti 2003, ja emrat e institucionet
 Presidenti i Republikës Bujar Nishani
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta
Kryeministri Edi Rama
Zëvendëskryeministri Niko Peleshi
Ministrat
Zëvendësministrat
Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese
Anëtarët e Gjykatës së Lartë
Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit Bujar Leskaj
Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla
Avokati i Popullit Igli Totozani
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Lefteri Lleshi
Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve
Zv.kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë
Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë Elvis Cefa
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Adrian Fullani
Kryetarët e Bashkive
Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror Visho Ajazi Lika
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Artur Zoto
Drejtori i Përgjithshëm i Hipotekës Ilirjan Muho
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Elisa Spiropali
Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve Briseida Shehaj
Gjyqtarët e të gjitha niveleve
Prokurorët e të gjitha niveleve

Shkrimi u publikua sot (11.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

PD kërkon qeveri teknike, Kikia: Protestat e opozitës, modeste për ta detyruar mazhorancën të pranojë! Partitë e reja janë një realitet i ri në politikë

PD kërkon qeveri teknike, Kikia: Protestat e opozitës, modeste për ta detyruar mazhorancën të pranojë! Partitë e reja janë një realitet i ri në politikë