Çiklistë amatorë dhe profesionistë, të apasionuar me natyrën dhe sportin, si dhe grupe të rinjsh vullnetarë janë bërë pjesë e garës sportive “Shtegu 2017”.

Nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës dhe Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, qëllimi i këtij pedalimi ishte promovimi i shtegut të gjelbër dhe realizimi i infrastrukturës së nevojshme për sportet ‘outdoor’, promovimi i jetesës aktive dhe të shëndetshme.
 
I pranishëm në ceremoninë në Parkun e Liqenit Artificial, ishte dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës  për ndarjen e çmimeve për fituesit. Veliaj tha se ky aktivitet është një mënyrë që banorët e zonave rurale ku kalon ky tur çiklistik të përfitojnë nga turizmi.
 
“Më vjen mirë që për të gjithë banorët e zonës, të cilët do të përfitojnë falë këtij lloji të ri turizmi, të cilët do të shohin njerëz që shtohen në zonat që janë shumë pranë Tiranës, por që nuk ia kanë parë dukun ekonomisë së qytetit, ky është një lajm i mirë”, tha Veliaj.
 
Gjithashtu kryebashkiaku garantoi se Bashkia e Tiranës do të jetë mbështetëse e aktiviteteve të tilla.
 
“Kemi planifikuar të bëjmë një pjesë të investimit që këtë vit të Shtegut të Gjelbër. Urime fituesve dhe shumë faleminderit të gjithë atyre që e kanë bërë Tiranën sot një vend fantastik, sidomos atyre që punojnë këtu te parku i liqenit, që ndoshta nuk marrin shumë lëvdata, por fakti që gjithë njerëzit e popullojnë parkun në ditën e parë, sa lind dielli, është ndoshta komplimenti më i madh”, tha ai.
 
Kryetari i Bashkisë deklaroi se kanë filluar përgatitjet edhe për Maratonën e Tiranës, ku një ndihmesë të madhe në organizimin e asaj do të japin edhe ekspertë që merren me organizimin e Maratonës së Vienës.

[gallery]20585[/gallery]

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)