Mediat e Malit të Zi kanë zbuluar detaje të hollësishme të operacionit që prej ditësh po vepron në Mal të Zi, ku u arrit të kapej një fole e rrezikshme e spiunazhit rus.

Sipas gazetës së Podgoricës ‘Pobjeda’, kjo fole ishte edhe operative, por edhe një “bankë” nga ku ndaheshin paratë për të vepruar në shtete të tjera të Ballkanit, si Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Shqipëri e Maqedoninë e Veriut. Ndërkaq, ‘Pobjeda’, bën të ditur se kjo fole nuk kishte lidhje me Beogradin, pasi në këtë vend që është i afërt me Rusinë, çdo lëvizje e bënte ambasada e Rusisë.

Sipas ‘Pobjeda’-s, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç ka urdhëruar nisjen e operacionit më të madh kundër agjenturës ruse, menjëherë sapo është kthyer në atdhe prej SHBA. Ku thuhet se pa pasur takime të rëndësishme me drejtues politikë dhe të agjencive ligjzbatuese, si CIA dhe Agjencia Kombëtare e Inteligjencës.

‘Pobjeda’ thekson se janë arrestuar 38 persona, si pjesëtarë të folesë ruse, ku vetëm dy janë malazez, ndërkohë që nuk bëhet e ditur se çfarë kombësie kanë 36 personat e tjerë. Ka të dhëna, që ndër të arrestuarit ka edhe shqiptarë.

Këtij numri prej 36 mund t’i zbriten edhe 6 diplomatë rusë që u shpallën ‘non grata’ po dje nga qeveria e Abazoviç, por sërish mbeten 30. Kush ishin dhe çfarë kombësie kanë ata? Kjo është pikëpyetja që nuk e ngre vetëm ‘Pobjeda’, por edhe media të tjera të Malit të Zi apo edhe media në Perëndim.

Ndërkaq, gazeta e Podgoricës, thekson se operacioni është kryer nën asistencën direkte të CIA-s dhe shërbimit sekret britanik MI6, e për këtë kanë pasur dijeni tre persona: Kryeministri Dritan Abazoviç, shefi i shërbimit sekret që emëroi ky i fundit dhe ministri i Brendshëm, një zyrtar i emëruar nga URA.

Përveç gjashtë diplomatëve rusë, në fokus të hetimit, të cilin po e kryen Prokuroria Speciale e Shtetit pas marrjes së informacioneve nga ANB, janë edhe dy shtetas malazezë: Radomir Sekuloviç, diplomat në pension nga Ministria e Punëve të Jashtme si dhe një person tjetër me banim në Podgoricë, i cili siç mësojmë nuk është i punësuar në institucionet shtetërore por ka një kompani private.

Po ashtu nën hetim janë të paktën 30 shtetas rusë që jetojnë në Mal të Zi dhe kanë leje të përkohshme qëndrimi dhe që dyshohet se kanë mbledhur të dhëna dhe kanë krijuar kontakte me funksionarë shtetërorë dhe kompani private në Mal të Zi.

‘Pobjeda’ bën të ditur se për operacionin nuk ka pasur fare dijeni as presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviç. Kryeministri Dritan Abazoviç, ishte ai që urdhëroi me një shkresë speciale nisjen e operacionit më të madh antispiunazh në vend.

Nisja e operacionit, mësohet se ka pasur edhe rrjedhje informacioni, pasi disa persona të implikuar janë larguar menjëherë nga ambasada ruse në rrugën “Beogradska” në Podgoricë me dy çanta që nuk dihet çfarë kanë pasur brenda.

Ambasada ruse, menjëherë pas operacionit, ka shpallur pezullimin e aktivitetit konsullor, ndërkohë pak më pas ambasada e SHBA në Mal të Zi, ka bërë të ditur lajmin se Rusia ka pasur një aktivitet malinj në këtë vend.

‘Pobjeda’, në shkrimin e saj, bën të ditur edhe raportin e shërbimeve amerikane mbi influencën ruse në politikën e Malit të Zi, Bosnjës dhe Shqipërisë.

Pobjeda, thekson se njerëzit e kontaktit të Moskës në Ballkan janë Milorad Dodik dhe Sali Berisha. Këtë e thotë në mënyrën më implicite të mundshme.

Gazeta malazeze thekson ndër të tjera se miliarderi rus Konstantin Malofejev është ai që ka shpërndarë para në Mal të Zi, Bosnjë dhe Shqipëri.

SHBA, ndërkaq ka bërë të ditur se shefi i operacionit për trazirat në Ballkan ka qenë Oleg Deripaska një oligark rus, si dhe ekzekutori ishte Viktor Alexeyevich Boyarkin një oficer në rezervë i shërbimit sekret ushtarak GRU.

SHBA theksonte në raportin e saj se Boyarkin vepronte në emër të Deripaskës me 15 anëtarë të tjerë të GRU, që tentuan të rrëzojnë qeverinë e Malit të Zi, ku armët i blenë në Shkodër. Ky operacion mbetet ende nën siglën ‘Top Secret’.

Pobjeda thekson ndër të tjera se pas agresionit rus kundër Ukrainës më 24 shkurt të këtij viti, situata gjeostrategjike ndryshoi në mënyrë dramatike, gjë që çoi në intensifikimin e aktiviteteve të agjencive perëndimore të inteligjencës, të cilat tani filluan të veprojnë në mënyrë të koordinuar, nga frika se ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor mund të çojë në trazira të mëdha politike.

Siç bën të ditur ‘Pobjeda’, Moska zyrtare ka bërë të ditur se do të japë një përgjigje të fortë pas shpalljes ‘Non Grata’ të 6 diplomatëve rusë.

Ministri i Punëve të Brendshme të Malit të Zi, Filip Axhiç, deklaroi për mediat pas operacionit, se po bëjnë gjithçka për ta pastruar vendin nga ndikimet e huaja.

Por kjo situatë nuk i ka shpëtuar luftës së brendshme politike në Mal të Zi.

Ministri i Mbrojtjes Konjeviç ka deklaruar se “kur të mësojë se kush janë njerëzit të cilëve u është hequr liria dhe me kë janë në marrëdhënie, ministri i Brendshëm mund të ndryshojë mendje”.

Aludimi i tij ka të bëjë me dyshimet se gruaja e të dyshuarit, diplomati në pension Sekuloviq, është në listën e këshilltarëve të Urës për zgjedhjet në Podgoricë.

Por për këtë Kryeministri Dritan Abazoviç ka deklaruar se nuk do të kursehet askush, “të gjithë janë të barabartë para ligjit”./temA

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:33
Gazeta malazeze tha se Berisha është financuar nga Rusia, PD: E keni ngatërruar me Lulzim Bashën! Përgënjeshtroni lajmin ose ju padisim

1664645805_330485.jpg

Partia Demokratike ka reaguar pas lajmit të publikuar në median malazeze ”Pobjeda” se Sali Berisha ka marrë financime ruse. Në reagimin e tyre, PD-ja ia faturon Lulzim Bashës, duke thënë se është ai dhe jo Berisha që është financuar nga rusët. ATa kërkojnë nga media që të përgënjeshtrojnë lajmin, në të kundërtën do i padisin. 

“Partia Demokratike përgënjeshtron lajmin e publikuar në median malazeze ”Pobjeda”, në një artikull ku pretendohet se Kryetari i PD z.  Sali Berisha, ka marrë financime ruse. Në reagim sqarohet se ky është një abuzim i trashë i informacionit dhe mosnjohje e fakteve nga kjo media, në rastin më të keq, të agjendave politike dhe nacionaliste.

Në sqarimin për këtë media, theksohet se Lulzim Basha prezumohet si ai që ka marrë një financim prej 500 mije dollarë nga fonde ruse në padijeni të plotë të asnjë forumi apo individi tjetër në Partinë Demokratike. “Z. Berisha nuk ka qenë kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë që nga viti 2013, kur dha dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare, dhe është rizgjedhur në këtë post vetëm më 22 maj të vitit 2022.

Së dyti, ‘dosja e financimeve ruse’, ku përmenden lidhje të ndryshme politike të Rusisë në Ballkan, ndër to edhe PD, në zgjedhjet e vitit 2017, kohë në të cilën ka qenë kryetar z. Lulzim Basha, ka marrë një përgjigje shteruese në gjykatat shqiptare.

Në një pasqyrë të detajuar të fakte, të cilat i janë bërë të ditura kësaj mediaje, kërkohet korrektim përgënjeshtrim. Në të kundërt, shtohet se  PD rezervon të drejtën e padisë sipas legjilacionit kombëtar dhe ndërkombëtar. Në artikullin e publikuar në gazetën tuaj Pobjeda  https://ëëë.pobjeda.me/clanak/ko-je-sve-u-mrezi-moskve, vërejmë me shqetësim një pasaktësi brutale, e cila shpresojmë të mos jetë bërë nga premisat e dashakeqësisë apo, më keq, agjendave politike apo nacionaliste.

Pretendimi se z. Sali Berisha, kryetari (aktual) i Partisë Demokratike, ka marrë financime ruse, është një abuzim i trashë i informacionit dhe mosnjohje e fakteve dhe kontekstit.

Së pari, sqarojmë se z. Berisha nuk ka qenë kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë që nga viti 2013, kur dha dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare, dhe është rizgjedhur në këtë post vetëm më 22 maj të vitit 2022 Së dyti, ‘dosja e financimeve ruse’, ku përmenden lidhje të ndryshme politike të Rusisë në Ballkan, ndër to edhe PD, në zgjedhjet e vitit 2017, kohë në të cilën ka qenë kryetar z. Lulzim Basha, ka marrë një përgjigje shteruese në gjykatat shqiptare.

Në vendimin e Gjykatës, të cilin mund t’jua sigurojmë nëse kini interes, thuhet shprehimisht se Partia Demokratike e Shqipërisë nuk ka asnjë lidhje me ‘financimet ruse’ të publikuara për herë të parë në gazetën Mother Jones (shih https://ëëë.motherjones.com/politics/2019/06/the-head-of-albanias-conservative-party-faces-criminal-charges-and-an-ex-trump-aide-is-involved) dhe që trajtohen gjithashtu nga Voice of America 3 vjet më vonë (shih https://ëëë.zeriamerikes.com/a/6746331.html) dhe media të tjera botërore, bazuar në raportin e shërbimeve inteligjente të SHBA.

Të gjitha veprimet, sipas Gjykatës, janë kryer në kapacitet personal, jo INSTITUCIONAL nga kryetari i asokohe i partisë z. Basha. 

Statuti i Partisë Demokratike e thotë qartë: vendimet për lobime apo përdorim parash etj. i marrin organet kolegjiale, dhe jo kryetari. 

Për më shumë, Partia Demokratike e drejtuar nga z. Berisha ka ngritur para një jave, një Komision Auditi të brendshëm për të bërë transparencë finale lidhur me rastin e ‘financimeve ruse’, pra të dokumentacionit, nëse ka, dhe hyrje-daljeve financiare që përkojnë me dritaren kohore të këtij rasti. 

Nëse merrni mundimin t’u referoheni deklaratave publike të Partisë Demokratike dhe artikujve të shumtë në mediat shqiptare, në shqip dhe anglisht, i dyshuari i vetëm për ‘aferën e financimeve ruse’ është kryetari i PD në vitin 2017.  Z. Basha prezumohet se ka marrë një financim prej 500,000 USD nga fonde ruse. E theksojmë: në padijeni të plotë të asnjë forumi apo individi tjetër në Partinë Demokratike. Këto para nuk kanë hyrë në financat e PD dhe është e paqartë kur, dhe si, janë marrë dhe si janë përdorur. 

Shpresojmë që kjo pasqyrë e fakteve njëkohësiht kontekst i bollshëm, të jetë i mjaftueshëm për të korrektuar të dhënat në shkrim dhe për të botuar një përgënjeshtrim me një link që të çon te artikulli origjinal. Gazetaria profesionale dhe etike e kërkon këtë. 

E bëjmë këtë kërkesë bazuar në rregullat etike duke i ruajtur vetes të drejtën që, në rast të mos publikimit të këtij përgënjeshtrimi dhe ndërhyrjes për publikimin e tij në të gjitha mediat që kanë publikuar artikullin tuaj, brenda 24 orëve, do të ndërmarrim hapat ligjorë sipas legjislacionit vendas dhe ndërkombëtar”, shkruhet në njoftim.