Gentian Zyberi, anëtari i parë shqiptar i zgjedhur në Komitetin për të Drejtat e Njeriut të OKB-së

Gentian Zyberi, anëtari i parë shqiptar i zgjedhur në Komitetin për të Drejtat e Njeriut të OKB-së

Gentjan Zyberi

Në mbledhjen e 36-të të Shteteve Palë në Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike më 14 qershor 2018, nëntë anëtarë të rinj u zgjodhën në Komitetin e të Drejtave të Njeriut, mes tyre edhe kandidati shqiptar, Profesor Dr. Gentian Zyberi. Komiteti për të Drejtat e Njeriut monitoron zbatimin e Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, i cili ndër të tjera përfshin të drejtën e jetës, ndalimin e torturës dhe skllavërisë, të drejtën për lirinë dhe sigurinë e personit, të drejtën e lirisë së shprehjes, dhe shumë të drejta të tjera themelore që mbështesin një shoqëri demokratike.

Komiteti i të Drejtave të Njeriut përbëhet nga 18 ekspertë të njohur ligjorë me kompetenca të njohura në fushën e të drejtave të njeriut të cilët shërbejnë në kapacitet individual. Profesor Zyberi u emërua për këtë pozicion nga Shqipëria dhe zgjedhja e tij u bë e mundur në sajë të lobimit dhe përkushtimit të Ministrisë së Europës dhe Punëve të Jashtme dhe misionit të përhershëm të Shqipërisë në OKB.

Ai punon në Qendrën Norvegjeze për të Drejtat e Njeriut të Universitetit të Oslos, ku drejton programin e Masterit në të Drejtat e Njeriut. Profesor Zyberi ka bërë kërkim shkencor dhe ka dhënë mësim në një numër universitetesh në Holandë, SHBA, Kinë, dhe Shqipëri. Ai angazhohet në punën akademike dhe kërkimore në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Përveç punës akademike, Profesor Zyberi është angazhuar në praktikën e së drejtës ndërkombëtare. Kështu, nga viti 2004 deri në vitin 2012 ai ka punuar me ekipet mbrojtëse në rastet kundër Limaj et al. dhe Haradinaj et al. para Tribunalit Penal për ish-Jugosllavinë. Në vitin 2009 ai ka qenë këshilltar ligjor dhe koordinator i ekipit ligjor shqiptar në rastin e Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Zgjedhja e Profesor Zyberit është një njohje e punës së tij mbi të drejtat e njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare, ndërkohë që reflekton edhe qëndrimin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe angazhimin në rritje të saj në arenën ndërkombëtare. Profesor Zyberi është një ekspert i njohur për të drejtën ndërkombëtare dhe autor i botimeve të shumta në fushën e të drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut, përfshirë dhe një tekst mësimor universitar në të drejtat e njeriut në shqip.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë