Gjergj Frasheri: Athina e Janullatos
duan një kishë greke në Përmet

Gjergj Frasheri: Athina e Janullatos<br />duan një kishë greke në Përmet
TIRANE - Një teatër politik në mes të qytetit, dukej sheshit i sajuar me provokime histerike, i shëmtuar nga gjestet balerineske të një prifti që po “i digjej shpirti” nga padrejtësitë”. Kështu e ka përcaktuar historiani dhe arkeologu Gjergj Frashëri atë që pa me sytë e tij në qytetin e origjinës Përmet.

Dëgjova se të Premten e kaluar 16 Gusht ndodheshit rastësisht në Përmet dhe jeni dëshmitar okular, kur përpara Pallatit të Kulturës në qendër të qytetit ndodhi një përplasje midis përfaqësuesve të Bashkisë së Përmetit dhe përfaqësuesve të Kishës Ortodokse, lidhur me pronësinë që i takon ndërtesa në fjalë… 
Ditën e premte që kaloi (16.08.2013) mbasdite u ndodha rastësisht në qendër të qytetit të Përmetit familjarisht, pasi ishim të ftuar prej ditësh nga miqtë e mi për një darkë në Përmet. Sapo mbërrita në derën e hotelit në qendër të qytetit u bëra padashur i pranishëm dhe dëshmitar, duke parë një prift me uniformë, i cili kërkonte të hynte me forcë në ndërtesën që prej dekadash njihet si “Shtëpia e Kulturës së Përmetit”. Prifti shtynte me forcë policët privatë që të hynte brenda në ndërtesë, megjithëse policët privatë po i tregonin atij, se kishin marrë detyrën ligjore, që të mos lejonin njeri të hynte brenda ndërtesës. Ata kishin në dorë një vendim të rregullt të Gjykatës së Lartë. Ishte një teatër politik në mes të qytetit, dukej sheshit i sajuar me provokime histerike, i shëmtuar nga gjestet balerineske të një prifti që po “i digjej shpirti” nga padrejtësitë. Ishte një nga ato skenat e rëndomta teatrale që shohim në mjediset publike të këtij vendi, të projektuara nga segmentet provinciale të politikës shqiptare përzierë dhe zierë me benzinë ballkanike. Pyeta veten, kush i ka dhënë kurajë këtij prifti me uniformën e nderuar kishtare të përdorë forcën e tij fizike duke shtyrë rojet legale të një ndërtese të quajtur zyrtarisht “Pallat Kulture”, e cila nuk duket se mund të jetë faltorja e tij? 

Si mendoni, pse u la gjendja e tillë sa të degradonte në konfiktin e shtetit me përfaqësuesit e fesë. Kujt i takon si pronë institutucioni që shërbeu gjatë dikaturës si Pallat Kulture?
Besoj se nuk jam i informuar gabim duke deklaruar, se Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë ka marrë një vendim mbi pronësinë e ndërtesës në fjalë dhe të truallit të saj. Në Vendimin e Gjykatës së Lartë të kësaj Republike Nr. 1640 datë 14.10.2003 dhe në Vendimin e Gjykatës Kushtetuese Nr. 66 datë 05.05.2004 është shprehur qartë dhe është lënë në fuqi, që Pallati Kulturës në qendër të qytetit të Përmetit të mbetet në pronësi të Bashkisë së qytetit të Përmetit. Pretendimet se dikur aty ka qenë një Kishë ortodokse dhe se ajo duhet të ndërtohet prapë, nuk janë legjitimuar nga organet e larta të drejtësisë së vendit. Këto pretendime të institucionit kishtar janë paraqitur në Gjykatë në kohën e procesit. Gjykata i ka shtjelluar ato dhe më pas ka nxjerrë vendimin duke ia njohur pronësinë e Pallatit të Kulturës, Bashkisë së qytetit të Përmetit. Tani, duke marrë parasysh se jetojmë në një vend që kërkon të hyjë në Evropë, duhet të zbatohet vendimi i gjykatës. Vendim më të lartë ligjor se ky nuk ekziston në këtë Republikë për këtë çështje. Përpara një vendimi të tillë, nuk është aspak interesant, në se ai i pëlqen kryetarit të Bashkisë apo ky vendim nuk i pëlqen Priftit apo Hoxhës, apo dikujt në udhëheqje të vendit. Vendimi i gjykatës duhet të zbatohet pikë për pikë siç është shkruar. Këtu mbaron shteti i ligjit, shteti i së drejtës, shteti evropian. Çdo dhunë kundra këtij vendimi është vandalizëm kundër shtetit ligjor që garanton qytetërimin. Është e trishtueshme kur receta të tilla dhune mund të vijnë nga ndonjë vend që bën pjesë në familjen evropiane. Unë nuk jam vetëm nënshtetas i Shqipërisë, por kam bërë përvojë edhe si nënshtetas i Gjermanisë. Do të këshilloja, të botohet vendimi i Gjykatës së Lartë për t’u bindur të gjitha palët brenda dhe jashtë vendit. Ndërsa organet përmbaruese t’a ekzekutojnë këtë vendim, pikë për pikë sipas ligjit. Ndërtesa i është lënë në pronësi Bashkisë së Përmetit. 

A është ushtruar dhunë ndaj përfaqësuesve të Kishës siç është pretenduar?
As Prifti, as Hoxha dhe asnjë përfaqësues i feve të tjera në Shqipëri, nuk ka të drejtë të futet me dhunë në pronën e tjetërkujt, aq më tepër në mënyrë demonstrative në mes të qytetit. Në se dikujt prej tyre i është mbushur mëndja të futet me forcë, fjala vjen, edhe në shtëpinë time që është prona ime, ndalesa që do t‘i bëja unë si qytetar me mjetet e parashikuara nuk quhet dhunë antiligjore, por veprim për parandalimin e shkeljes së ligjit nga Prifti ose nga Hoxha. Ndryshimi i pronësisë time mund të bëhet vetëm me një vendim tjetër pasues të Gjykatës. Deri atëhere askush nuk ka të drejtë t’a cënojë të drejtën e pronës, sidomos atë të shtetit siç është rasti konkret.

Ka vlera historike dhe arkitekturore institucioni fetar në fjalë?
Në se aty ka patur dikur një Kishë, ajo është më pas rrafshuar, pra ajo nuk ekziston më, pra nuk bëhet fjalë për vlerë të saj. Përmeti ka sot dy kisha që vijnë nga historia, të cilat janë në funksion, ajo e Shën e Premtes dhe kisha e Shën Kollit. Vlera më e madhe kishtare në Përmet është Kisha e Shën e Premtes jo larg qendrës së qytetit (Varosh), e cila është një vepër postbizantine, e tipit vendas me çati. Studiuesit tanë e konsiderojnë me të drejtë si Kishë Ortodokse shqiptare. Muret e saj janë pikturuara nga piktori i shquar shqiptar Terpo Zografi. Kisha e Shën e Premtes u shpall në vitin 1963 monument kulture dhe është e tillë ende sot. Të dy këto kisha mjaftojnë për besimtarët e qytetit të Përmetit dhe për rrethinën e tij. Është interesant se administrata e Janullatosit nuk kujdeset për këto dy kisha. Por në anën tjetër, bëhen përpjekje energjike për të marrë në pronësi një truall në mesin e qytetit të Përmetit për të ndërtuar një kishë të re. Me sa duket administrata e Janullatosit është në kërkim të një themelimi të ri kishtar për Përmetin, një kishë sipas stilit dhe filozofisë së komshiut në mes të qytetit. Kjo përforcohet edhe nga piskama e Athinës, e cila kësaj radhe e ngriti zërin pak më tepër se sa lejohet. Duket se trualli në qendër të Përmetit duhet për një Kishë të Ré, pra një kishë greke, vetëkuptohet, sepse shqiptarët në këtë kohë nuk kanë para për t’a ndërtuar vetë kisha apo xhamia. Nga agresiviteti i pakontrolluar që Athina tregoi kësaj radhe, mësuam se Tirana nuk merret më me mbrojtjen kombëtare, por me shitje-blerje pronash. Kam frikë se duhet të jetë më keq! Shpresa është vetëm te reagimi i qeverisë së ardhshme.

Me fjalën komshi, besoj është fjala për vend fqinj?
Shumë çështje të Shqipërisë së sotme dhe të shqiptarëve në Ballkan janë mjerisht si njëqind vjet më parë. Sot dua të flas vetëm për Përmetin. Në maj-korrik të vitit 1914 bandat kriminale të andartëve grekë dogjën një botë të tërë shqiptare, me qindra fshatra rreth e rrotull Përmetit. I detyruan të gjithë banorët e këtyre fshatrave të largoheshin nga vendi i tyre, provizorisht ose përfundimisht. Kjo është një histori më vete, né historianët nuk harrojmë asgjë. Midis këtyre vendeve dhe fshatrave që dogjën ose më saktë përzhitën, shkrumbëzuan dy herë brenda tre muajve - edhe Frashërin, nga rrjedh familja ime. Përse? Kjo masakër historike u bë t’i demonstronin fuqive evropiane, se në këto hapësira të Shqipërisë nuk kishte shqiptarë, pra ato ishin “toka greke”, me qëllim që këto hapësira Greqia t’i fuste në hartën e saj. Edhe né fëmijët, nipërit apo stërnipërit e gjyshërve apo stërgjyshërve tanë të vitit 1914, lindëm dhe po vdesim po me këtë “avaz buzuqi” të fqinjëve tanë. Midis “argumenteve” historike që u spekuluan asokohe, ishte edhe çështja, se ortodoksia shqiptare ishte ortodoksi greke. Noli i dha një shuplakë në fytyrë kësaj çështjeje (pretendimi), me autoqefalin e kishës ortodokse shqiptare. 

Konkretisht mendoni se duhet punuar më shumë për paqen me komshijtë?
Vitin tjetër më 25 Maj 2014 bëhen plot 100 vjet nga kjo masakër historike, kur të parët e familjes time u larguan përfundimisht nga ai vend i bekuar dhe u endën nëpër vende të huaja për të mbijetuar derisa erdhën në Tiranë. Mbushen 100 vjet, kur familjet më të nderuara, më të qytetëruara, nga dolën njerëzit më të ditur e patriotë të historisë së këtij vendi, pasi përgatitën dhe realizuan pavarësinë e Shqipërisë, bashkë me ata edhe Frashërllinjtë, u përdogjën nga fqinjët tanë. Ne nuk kemi djegur ndonjëherë fshatra apo qytete, apo katandi në Greqi, as për qëllime politike, as për qëllime që fshatra apo copëza Greqie t’i shpallnin Shqipëri, as edhe t’i tregonim Evropës se kisha greke është kishë shqiptare. Çdo vit më 25 Maj ne festojmë në Frashër - Ditën e Naimit, pra mblidhemi në një ditë historike për të nderuar veprën e rilindësve dhe patriotëve shqiptarë që luftuan për pavarësinë e Shqipërisë dhe që punuan për të sjellë diturinë për të evropianizuar popullin shqiptar. Aty mblidhen nga të gjitha krahinat e Përmetit, nga qytetet dhe krahinat e mbarë Shqipërisë, Kosovë, Maqedonisë, Malit të zi dhe të diasporës shqiptare nëpër botë, nga të gjitha besimet fetare dhe laikë. Ne nuk mblidhemi për të kërkuar ndërtimin e kishave ortodokse, katolike, apo teqe bektashiane apo xhami në Greqi. Por nuk është i durueshëm asnjë lloj histerie prifti apo piskamë hoxhe në mes të qytetit të demonstrojë teatër për të imponuar ndërtime objektesh sakrale, për të tjetërsuar besimet fetare të shqiptarëve. Në Majin e vitit tjetër do të mblidhemi në një Konferencë në kujtim të Djegies historike të Frashërit nga bandat kriminale të andartëve grekë, për të mbledhur përvojë nga analizat historike dhe për të gjetur rrugë të reja bashkëjetese në paqe me komshinjtë tanë. Shpresojmë se kësaj radhe do të kemi edhe përfaqësues nga qeveria e ré. E kisha fjalën, se përmetarët janë qytetarë që u pëlqen të punojnë e të jetojnë në kulturë e qytetërim, janë të qetë dhe të durueshëm, por dinë të marrin edhe armët kur u preket liria dhe pavarësia e tyre, kundër shkaktarit, kushdoqoftë ai.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 21.08.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

Ministrat e jashtëm të BE-së zhvendosin takimin në Bruksel në shenjë pakënaqësie ndaj kryeministrit Orban

Ministrat e jashtëm të BE-së zhvendosin takimin në Bruksel në shenjë pakënaqësie ndaj kryeministrit Orban