/ATSH/.- Gjermania jep edhe këtë vit mbështetjen e saj në vlerën e 37.600 eurove për organizatën joqeveritare shqiptare Albanian Human Rights Group (AHRG).
Përmes këtij projekti është menduar që në kuadër të Akademisë Verore (Minority Rights Academy), e cila zhvillohet çdo vit në juglindje të Shqipërisë, në Voskopojë, studentë të ndryshëm të edukohen në funksion të mbështetjes dhe zbatimit më të mire të të drejtave të pakicave si edhe të ndërtimit të një rrjeti të efektshëm të shoqërisë civile në këtë drejtim.
Në këtë kontekst, në Ambasadën Gjermane në Tiranë u nënshkrua marrëveshja përkatëse mes Ambasadorit Hellmut Hoffmann dhe Drejtoreshës Ekzekutive të AHRG, Elsa Ballauri. "Për mua është kënaqësi, që Gjermania mbështet organizata të tilla joqeveritare sikurse është AHRG që ndihmojnë pjesëtarët e minoriteteve në Shqipëri në realizimin e të drejtave të tyre", deklaroi Ambasadori Hoffmann.
"Albanian Human Rights Group: (AHRG) është themeluar në vitin 1996 si një ndër organizatat e para joqeveritare në Shqipëri. Prej atëherë kjo organizatë angazhohet në mënyrë mjaft të suksesshme në respektimin e të drejtave të njeriut në vend.
Që prej vitit 2012, AHRG organizon çdo vit Akademinë Verore në Voskopojë me temën "Të drejtat e minoriteteve". Ky aktivitet synon të përforcojë bashkëpunimin e pakicave mes njëra-tjetrës si dhe me pushtetin qendror dhe atë lokal, por njëkohësisht të përmirësojë formimin e studentëve në fushën e të drejtave të njeriut. Gjermania e ka mbështetur këtë projekt edhe vitin e shkuar me një shumë prej 25.000 eurosh.