Gjermania ka shënuar rekord të ri në dhënien e shtetësisë. Vetëm gjatë vitit 2025, mbi 309 mijë persona kanë marrë pasaportën gjermane, numri më i lartë i regjistruar deri tani.

Sipas mediave gjermane, të paktën 309,852 persona janë natyralizuar si shtetas gjermanë gjatë vitit të kaluar, duke kaluar ndjeshëm shifrën e vitit 2024, kur shtetësinë e morën 291,955 persona. Rritja lidhet drejtpërdrejt me ndryshimet në ligjin e shtetësisë që hynë në fuqi në mesin e vitit 2024 dhe që e kanë bërë shumë më të lehtë marrjen e pasaportës gjermane.

Një nga ndryshimet kryesore është lejimi i shtetësisë së dyfishtë, çka do të thotë se emigrantët nuk detyrohen më të heqin dorë nga shtetësia e origjinës për të marrë atë gjermane. Po ashtu, periudha minimale e qëndrimit në Gjermani është ulur nga tetë në pesë vite. Raporti është publikuar nga e përjavshmja gjermane Welt am Sonntag dhe bazohet në të dhënat e 14 nga 16 shtetet federale të Gjermanisë. Ende mungojnë statistikat nga Mecklenburg-Vorpommern dhe Saksoni-Anhalt.

Sipas raportimit, disa shtete të tjera si Saksonia e Poshtme, Saarland dhe Schleswig-Holstein nuk kanë dorëzuar ende të gjitha të dhënat përfundimtare, megjithatë shumica e qyteteve dhe qarqeve në këto rajone kanë raportuar tashmë shifrat e tyre. Media gjermane thekson se në disa raste bëhet fjalë për të dhëna paraprake, çka do të thotë se numri final i personave që kanë marrë shtetësinë gjermane gjatë vitit 2025 mund të jetë edhe më i lartë.