Aleksandra Elmazaj, ka treguar momentet e panikut që përjetoi gjatë natës, kur ish-bashkëjetuesi i saj Besmir Mustaj dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri para banesës së 22-vjeçares. E reja ka treguar për Report tv se në momentin e ngjarjes ndodhej në banesë me motrën dhe vajzën e saj të mitur, ndërsa në mëngjes ka gjetur katër gëzhoja para shtëpisë.

 “Rreth orës 01:00 pas mesnate kam qenë në banesë me motrën dhe vajzën time të mitur, kur kam dëgjuar të shtëna me armë. Në mëngjes, kur dola jashtë, gjeta katër gëzhoja para banesës.”-është shprehur ajo.

22-vjeçarja ka deklaruar se dyshimet e para i ka pasur ndaj ish-bashkëjetuesit, me të cilin është ndarë me gjyq, duke pretenduar se prej kohësh përballet me kërcënime. Ajo ka pohuar se ka kërkuar edhe urdhër mbrojtjeje, ndërsa konfliktet sipas saj lidhen edhe me faktin se ajo ka nisur një lidhje të re, të cilën ish-bashkëjetuesi nuk e pranon.

 “Kam pasur vazhdimisht kërcënime nga ish-bashkëshorti dhe për këtë arsye kam kërkuar urdhër mbrojtjeje. Tashmë jam në një lidhje të re, por ai nuk e pranon këtë fakt. Ndihem e frikësuar dhe kam frikë për jetën time.”-shtoi ajo.

E reja i ka bërë apel policisë që të marrë masa për garantimin e sigurisë së saj, duke pretenduar se kërcënimet janë drejtuar edhe ndaj personit me të cilin është aktualisht në një lidhje.


Lajmi kryesor:

Fier/ Qëlloi me armë zjarri para banesës së ish-bashkëjetueses në fshatin Luar, arrestohet 37-vjeçari! E kërcënonte vazhdimisht (VIDEO)