PËR CILIN DEPUTET BËHEN ZGJEDHJET NË GJIROKASTËR?
Duke pasur parasysh sistemin zgjedhor është e qartë tashme se dy kandidatët kryesorë të PS (Ahmetaj, Veliaj) dhe kandidati kryesor demokrat (Ruli) janë tashmë deputetë të zgjedhur. Ata presin 23 qershorin vetëm për mandat formal parlamentar. Një përqindje të lartë formaliteti ka edhe kandidati i tretë i PS, ish ministri Angjeli, rival i vetëm i të cilit është ish ministri tjetër Tavo i LSI.
Gjithsesi, duke e marrë të mirëqenë tendencën 3:2 të përfaqësimit dhe pamundësinë e LSI të fitojë mbi 4800 vota atëherë rivaliteti kryesor përqendrohet në mandatin e pestë, të cilin e pretendojnë disa kandidatë. Nëse e majta arrin ta fitojë mandatin e pestë atëherë pretendenti kryesor është ish ministri Vangjel Tavo kryesues i listës së LSI, kandidati i katërt i PS-së Vladimir Kosta dhe kandidati i parë i PBDNJ Alqiviadhi Puli.
Nëse e majta dështon me këtë mandat dhe rezultati mbetet i njëjtë në raporte përfaqësuese, atëherë deputeti Ksera i PD ka vetëm një rival, kandidatin e PR, ish prefektin dhe drejtuesin e degës lokale të PD për disa vite, Roland Bejko.
Ai është kandidati i vetëm nga Lazarati, ku mund të sigurojë një numër të konsiderueshëm votash, por për të arritur mandatin e dytë të PD atij do ti duhen 3-4 herë më shumë vota sesa në vendlindje. Shanset për një radikalizim të raporteve nga 3:2 në favor të PS në raportet e njëjta në favor të PD, - janë thuajse të pamundura, pavarësisht premtimeve dhe deklarimeve elektorale të kryeministrit.
(Në foto majtas Qarku i gjiroksatrës djathtas lart harta e shqipërisë)
NJË MANDAT NDRYSHIM, - SI SHANS TEORIK
Në zgjedhjet parlamentare 2009, PS fitoi 3 mandate dhe PD 2 mandate. Pas katër vitesh emrat e deputetëve të PD që konkurrojnë kanë mbetur të njëjtë: Genc Ruli dhe Spiro Ksera. Në krahun e majtë ka ndryshime të mëdha: nga viti 2009 konkurron vetëm Vangjel Tavo, tashmë nën siglën e LSI.
Në listën e kandidatëve të PS më 2013 janë përfshirë tre emra të rinj, Arben Ahmetaj, Erion Veliaj dhe Anastas Angjeli, dy prej të cilëve me mandate parlamentare edhe më parë. Jashtë listës është deputeti Et’hem Ruka, i cili gjithsesi nuk ka shprehur kritika publike për moskandidimin e tij.
Tabela paraqet ndarjen e votave sipas mandateve në qarkun e Gjirokastrës më 2009. Siç shihet, formula kërkon një ndryshim të dukshëm në raportet midis të majtës dhe të djathtës që të mund të ndryshohet edhe raporti 3:2 i përfaqësimit aktual parlamentar. Ky ndryshim kërkon minimalisht rënie të koalicionit të qeverisë me 2-3 mijë vota dhe rritje të njëjtë të koalicionit të majtë.
Rënia e të djathtës mund të jetë reale edhe për shkak të hyrjes në garën elektorale të FRD, parti me anëtarësi kryesisht të djathtë, por ngritja e të majtës në nivele të tilla mbetet një sfidë vetëm teorike.
(Në foto lart të ndarja e mandateve në sipas votave, në zgjedhjet e viti 2009 në qarkun e gjirokastrës dhe votat e marra nga PD, PS, LSI, PBDNJ në zgjedhjet e viteve 2001 2005 2009)
ZGJEDHJET PARLAMENTARE, DOMINUESE E MAJTA
Në ndryshim nga ulje – ngritjet në zgjedhjet lokale, në zgjedhjet parlamentare e majta ka mbetur dominuese në qarkun e Gjirokastrës. Duke analizuar tri zgjedhjet e fundit parlamentare rezulton se socialistët dhe aleatët e tyre vijojnë të jenë forcë politike dominuese në qarkun e Gjirokastrës.
Në sistemet e përziera zgjedhore të viteve 2001 dhe 2005 socialistët fituan me rreth 20 mijë vota ndaj një mesatareje prej 15 mijë vota të demokratëve. I njëjti trend, me pak diferencë u ruajt edhe në votimin proporcional më 2009. Duke shtuar edhe votat e PBDNJ, LSI dhe partive të tjera të majta, tashmë forca politike në koalicionin e majtë, atëherë diferenca midis palëve shkon shumë më thellë, rreth 13-15 mijë vota. Tendenca e dominimit të partive të majta u reflektua sidomos më 2009, kur në renditjen e 10 partive lokale më të votuara vetëm dy janë të djathta, 8 të tjera janë pjesë e koalicionit të majtë politik.
Edhe në tabelën që reflekton zgjedhjet parlamentare nga 1992, e majta është dominuese me raport të lehtë. Zgjedhjet e vitit 2009 ku socialistët fituan me një mandat shtesë, janë të vetmet në 22 vjet kur banorët e qarkut sidomos ata të Gjirokastrës kaluan në opozitë. Përgjatë ccdo zgjedhje tjetër tendenca e tyre ka qënë vota për partinë që ka fituar zgjedhjet.
(Në foto Ndarja e mandateve në gjirokastër nga zgjedhjet e vitit 1992 deri në 2009)
2011: PS-PD BALANCË NË QYTET – FSHAT
Referuar të dhënave nga KQZ për zgjedhjet lokale 2011, e djathta dhe e majta krijuan balancim formal përfaqësimi, në një vijë të dukshme ndarëse midis komunave dhe bashkive. Nëse të majtët dominuan bashkitë, të djathtët dominuan komunat.
Konkretisht nëse në vitet e para të dekadës së fundit e majta ishte dominuese në njësitë vendore të qarkut Gjirokastër në raporte të thella: 7:1 më 2000, 3:1 më 2003 pas zgjedhjeve të vitit 2003. Më 2007 për herë të parë demokratët fituan terren, kohë që korrespondon me mbështetjen e dukshme të reformave të ndërmarra nga qeveria e asaj kohe, si dhe përqendrimin e saj në investime në infrastrukturën lokale rurale.
Kështu demokratët më 2007 arritën të fitojnë jo vetëm komuna, por edhe bashki të rëndësishme, si Përmet, Këlcyrë, Memaliaj dhe Tepelenë, Liobohovë. Megjithë rezultatet e ngushta, dominimi i demokratëve ishte surprizë, dhe një tregues i qartë i nevojës së të majtës për ndryshime drastike në politikë dhe përfaqësim.
Ndaj më 2009 ajo ndryshoi listën e kandidatëve dhe më 2011 ia arriti të balancojë përfaqësimin, duke dominuar ndjeshëm bashkitë dhe humbur komunat. Konkretisht më 2011 kandidatët e majtë fituan bashkitë Gjirokastër, Tepelenë, Memaliaj, Përmet dhe Këlcyrë. Demokratët u mjaftuan me bashkinë Libohovë.
FAKTORËT NË FAVOR TË QEVERISË
Faktori kryesor ndikues në zgjedhje konsiderohet fakti se megjithëse qarku votoi më 2009 dy deputetë demokratë, të dy ata, Ruli e Ksera, u emëruan ministra dhe në këtë mënyrë, Gjirokastra është qarku i vetëm me përfaqësim 100% në qeveri gjatë katër viteve të fundit.
Ky element ndihme për mazhorancën lidhet shumë me aftësinë dhe cilësinë përfaqësuese të dy ministrave, të cilët në opinionin publik kanë një përformancë të ndryshme nga funksionet e tyre të mëparshme gjatë mandatit 2005-2009.
Një faktor tjetër në favor të qeverisë është investimi i saj rural, i cili ka vijuar edhe gjatë këtij mandati. Në përpjekje për të tërhequr vëmendjen e votuesve me investime me sa më pak kosto, qeveria u përqendrua në njësitë vendore, rrugët e komunave dhe fshatrave, projektet e ndryshme lokale dhe ndërhyrjen në problematika të tjera me ndikim publik, siç janë kreditimet, furnizimi me energji elektrike dhe rrjeti i ujit të pijshëm.
Ndikim tjetër pozitiv për qeverinë është raporti i saj luajal dhe shpesh nënshktrues ndaj palës greke, e cila ruan një ndikim edhe në zonat e minoritetit grek. Gjatë katër viteve të fundit qeveria ka miratuar çdo kërkesë të paraqitur nga pala greke, ka ndjekur një politikë afrimi pa kushte dhe ka mbështetur çdo akt të saj përfshirës në politikën shqiptare, përfshirë çështjen e kufirit detar, të varrezave greke dhe të refuzimit të kërkesave nacionaliste shqiptare.
Faktori i fundit me të cilin mazhoranca aktuale përpiqet të luajë në zgjedhjet e qarkut jugor është rivaliteti i ashpër midis aktorëve të majtë politikë, si dhe midis minoritetit. Kryesuesi i LSI Tavo ka shprehur publikisht kritika për paktin PS-PD për ndarjen në tavolinë të rezultatit zgjedhor, kurse kryeministri është investuar direkt në fushatën për kundërvënien e minoritetit kundër kandidatëve të propozuar nga koalicionit i majtë.
FAKTORËT NË FAVOR TË OPOZITËS
Argumenti kryesor i opozitës është argumenti politik dhe tradita përfaqësuese e majtë e këtij qarku. Situata ekonomike, pafuqia e qeverisë për të zgjidhur problemet e mëdha infrastrukturore (p.sh rruga nacionale për në Gjirokastër), problemet e korrupsionit dhe nepotizmit, etj, janë argumente me mbështetje të dukshme qytetare. Në favor të opozitës është edhe kandidimi i demokratëve me të njëjtin person disa herë në këto 10-12 vitet e fundit.
Ministri Ruli mbetet një përfaqësues i njohur politik i Gjirokastrës, por jo një politikan me aftësi në mbledhjen e votave. Fakti se edhe kandidatë të mazhorancës, siç është kandidati i PR, kanë shprehur rezerva të dukshme publike për sjelljen politike të kandidatëve të PD, është tregues i përcaktimit të mësipërm.
Një argument tjetër shtesë për opozitën është dominimi i saj në bashkitë kryesore të qarkut dhe kështu, në potencialin e saj të madh politik për fushatë, për mobilizim dhe ndërgjegjësim elektoral.
Ndryshimi i listës së kandidatëve mund të japë efekte pozitive në një qark, ku kandidatët e palës tjetër kanë mbetur të njëjtët si katër vite më parë.
Element tjetër politik mbështetës për opozitën është ekzistenca e një konkurrence aktive midis kandidatëve të PS-LSI-PBDNJ në zonën e minoritetit. Duke marrë shembull dy nga komunat minoritare, Dropulli i Sipërm dhe i Poshtëm, më 2007 drejtimi u përcaktua me balancim midis PBDNJ dhe PS, kurse më 2011 fitues ishte kandidati i PBDNJ me mbështetjen e dukshme të PS.
Përballë tyre ishte kandidati i MEGA, mbështetur nga PD dhe ministri Ksera. Në këto zgjedhje rivaliteti brenda minoritetit mund të cojë në rritje të pjesëmarrjes dhe mobilizimit elektoral, gjë që çon vota kryesisht në shportën e koalicionit të majtë, pavarësisht emrit përfitues.
Në favor të opozitës është edhe qëndrimi i pjesës më të madhe të politikës greke, e cila pret ndryshime politike në Shqipëri dhe ka partner kryesor anëtaren e koalicionit të majtë, PBDNJ.
E lidhur me Greqinë është edhe strategjia e PS për tërheqjen e një numri sa më të madh emigrantësh në votime në zonën e Gjirokastrës. Ata kanë organizuar tashme disa aktivitetet me emigrantë dhe nëse ia dalin ti bindin disa mijëra prej tyre të kthehen ditën e zgjedhjeve dhe të votojnë pro saj, shansi i thellimit të mandateve do të jenë jo vetëm teorike.
PJESËMARRJE E KUFIZUAR NË VOTIME
Një tipar i zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në qarkun e Gjirokastrës është pjesëmarrja e kufizuar në zgjedhje. Referuar tre zgjedhjeve të fundit parlamentare asnjëherë pjesëmarrja zgjedhore nuk ka qenë më e lartë sesa 53% e zgjedhësve, pavarësisht votimit nominal në mazhoritar apo votimit partiak në sistem proporcional.
Kështu, më 2001 pjesëmarrja ishte 57% në Përmet, 52% Tepelenë dhe 44% në Gjirokastër; më 2005 pjesëmarrja ishte në Përmet 51%, në Gjirokastër 46%, në Tepelenë 53%; më 2009 pjesëmarrja në votime në rang qarku ishte vetëm 44% e votuesve. Pothuajse e njëjta traditë zgjedhore ruhet edhe në zgjedhje lokale, me përjashtime të vogla që lidhen me zonat minoritare apo Lazarati.
Për shembull, në zgjedhjet e fundit lokale 2011, pjesëmarrja në votime në bashkinë Gjirokastër ishte 46%, në Libohovë 52%, në Përmet e Këlcyrë 50%, në Memaliaj 39 dhe në Tepelenë 58%. Përjashtime bëjnë votimet në Dropullin e sipërm dhe të poshtëm me pjesëmarrje që shkon nga 28-35% e zgjedhësve si dhe në komunën e Lazaratit me shifrën rekord prej 77% e zgjedhësve.
Pjesëmarrja mesatare nuk lejon ndryshime të mëdha në raportet e përfaqësimit të partive politike, sidomos në sistemet proporcionale ku diferenca midis mandateve mbetet e lartë. Ndaj vetëm një pjesëmarrje e lartë, e drejtuar nga një krah politik, mund të sjellë ndryshime në raportet aktuale të përfaqësimit parlamentar.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 09.06.2013
Redaksia online
(b.m/shqiptarja.com)