Gjyqi ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nuk u zhvillua as këtë të martë. Shkak u bë mungesa e avokatit të tij, Plarent Ndreca, i cili njoftoi gjykatën se e kishte të pamundur të paraqitej, pasi ndodhej në një tjetër proces civil ne gjykatën e Tiranës, në të njëjtën orë, ku përfaqësonte Arbjan Maznikun.

Për prokurorin Ols Dado, kjo rrethanë përbën mungesë për zhvillimin e seancës dhe kërkoi gjobë për Ndrecën dhe avokat kryesisht për Veliajn.

“Pengesë për zhvillimin mosmarrja pjesë e avokatit të Erion Veliajt. Gjykata ta shtyjë seancën. Duhet të caktohet avokat kryesisht. Pretendimi nuk është i ligjshëm e gjykata të caktojë gjobë për avokatin. Të pezullohen afatet e paraburgimit”, thotë prokurori Ols Dado.

Pretendimi i akuzës u pranua dhe për Ndrecën u caktua 50 mijë lekë gjobë për mungesë të pajustifikuar. Për të shmangur vonesa të mëtejshme në proces, gjykata vendosi që, krahas avokatit të zgjedhur Plarent Ndreca, mbrojtjen e kryebashkiakut ta ushtrojë edhe avokatja kryesisht Valentina Teodoresku, e cila ishte caktuar edhe gjatë seancës paraprake.

Avokati i saj, Gurali Braimllari, deklaroi se gjendja shëndetësore e klientes vijon të mos i lejojë pjesëmarrjen në seancë. Sipas tij, pas marrjes së njoftimit për zhvillimin e seancës, Xoxa kreu një tjetër konsultë mjekësore, por gjendja e saj mbetet e pandryshuar. Prokurori argumentoi se dokumentacioni mjekësor i paraqitur nga mbrojtja e Ajola Xoxës nuk përmban elementë që justifikojnë mungesën e saj në seancë.

Braimllari: Ndonëse mendojmë se ai raport mjekësor që depozituam seancën e kaluar si për çdo nënë në shqipëri, ka efekt. Dje ka bërë konsultë tek mjeku meqë mori njoftim për seancën e sotme që të dinte nëse ishte e mundur për të marrë pjesë, dhe vijon të jetë në të njëjtën situatë që bën të pamundur të jetë prezent dhe të bëjë mbrojtje efektive", thanë avokatët.

Ols Dado: Për shkresën e dërguar nga mjeku, edhe herën e kaluar gjykata i dha përgjigje.  Shkresa që paraqiti mbrojtja për Ajola Xoxën nuk specifikon gjendjen e të pandehurës. Nuk përbën shkak për mungesë në seancKëtu thuhet se i është nënshtruar operacionit cezarian.

Braimllari: Raporti mjekësor për ne është në fuqi ai i datës 29 qershor dhe i ka 63 ditë.

Elsa Ulliri: I kemi thënë në seancën e kaluar.

“Konsulta e paraqitur nga Ajola Xoxa e mjekut Orion Gliozheni nuk përbën shkak për mosparaqitjen e saj”, tha gjykata.

Pas tërheqjes për vendim, gjykata vlerësoi se konsulta mjekësore e paraqitur nga mjeku Orion Glozheni nuk përbën shkak ligjor për mosparaqitjen e Ajola Xoxës. Po ashtu, gjykata vendosi të gjobisë me 50 mijë lekë avokatin Plarent Ndreca për mungesë të pajustifikuar, duke pranuar kështu kërkesat e prokurorit Dado.

Seanca e radhës u caktua më 15 shtator, ndërsa për Erion Veliajn u pezulluan afatet e paraburgimit. Ndërkohë, pak orë më pas Gjykata e Lartë rrëzoi një tjetër kërkesë të Veliajt, me të cilën ai kishte ankimuar vendimet e mëparshme të GJKKO-së për pezullimin e afateve të paraburgimit, të lëna në fuqi edhe nga Gjykata e Posaçme e Apelit.

Veliaj dhe mbrojtja e tij e kanë cilësuar antikushtetuese pezullimin e këtyre afateve edhe në rastet kur shkaku i shtyrjes së procesit nuk ka qenë mungesa e vetë të pandehurit.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:19
U gjobit 50 mijë lekë nga GJKKO se mungoi në seancë, reagon avokati i Veliajt: Gjykata ishte në dijeni se kisha një tjetër gjyq, nuk e mori parasysh

1783420009_plarentndrecagjyqiperdosjenveliaj.png

Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, ka reaguar në rrjetet sociale për gjobitjen e tij 50 mijë lekë nga Gjykata e Posaçme, pasi mungoi në seancën e sotme gjyqësore të kryebashkiakut të Tiranës.

Ndreca sqaron se arsyeja e mungesës ishte një tjetër gjyq ku duhet të ishte si avokat, paralelisht me seancën e kryebashkiakut. Avokati thotë se GJKKO ishte vënë në dijeni të pamundësisë, bashkë me shkaqet, por nuk është marrë parasysh.

"Nuk u interesua nëse mbrojtësit kishin angazhime të tjera, por sot gjobit një prej tyre sepse nuk e paska njoftuar për një konflikt oraresh, që ajo vetë nuk u interesua kurrë as ta pyeste, as ta verifikonte",- thotë Ndreca.

Avokati lajmëron se do t'i drejtohet Dhomës Kombëtare të Avokatisë për gjobitjen e tij nga GJKKO, pasi sipas tij, ky vendim përbën një precendent të rrezikshëm për veprimtarinë profesionale të çdo avokati.

Reagimi i plotë i Plarent Ndrecës:

Sot disa media, që prej kohësh kanë hequr dorë nga objektiviteti dhe janë rreshtuar hapur në krah të akuzës kundër Erion Veliajt, nxituan të publikojnë lajmin se unë jam gjobitur nga gjykata për mungesë në seancë. Natyrisht, harruan të tregojnë arsyen e mungesës.

Ja e vërteta.

Sot, në orën 09:00, me shkresë zyrtare njoftova gjykatën se në të njëjtën orë (orën 10 a.m.) isha në një proces civil, që vijon prej pesë vitesh dhe ishte caktuar shumë kohë përpara seancës penale. Bashkëlidha provat dhe kërkova shtyrjen e seancës. Askush nuk mund të jetë fizikisht në dy gjykata në të njëjtën kohë. Kjo është një pamundësi objektive, për gjykatën penale jo.

Sipas kolegëve të pranishëm në sallë, arsyeja e gjobës ishte “se unë duhej ta kisha njoftuar këtë konflikt që në seancën e kaluar”. Ndërkohë seancën e kaluar gjykata vendosi datën dhe orën pa pyetur asnjë avokat. Nuk u interesua nëse mbrojtësit kishin angazhime të tjera, por sot gjobit një prej tyre sepse nuk e paska njoftuar për një konflikt oraresh, që ajo vetë nuk u interesua kurrë as ta pyeste, as ta verifikonte.

Nuk është hera e parë dhe me shumë gjasë nuk do të jetë as e fundit, që kam kritikuar publikisht mënyrën se si po zhvillohet ky proces. Shpresoj sinqerisht që kjo gjobë të mos jetë një reagim ndaj këtyre qëndrimeve. Por nëse dikush beson se me një gjobë, me disa gjoba, me procedime administrative apo edhe penale mund të më bëjë të hesht, gabon. Kush më njeh, e di se nuk jam nga ata që zgjedh rehatinë në kurriz të padrejtësisë dhe është shumë vonë të filloj ta bëj tani.

Po bëhet e qartë çdo ditë e më shumë se në këtë proces edhe pse akoma në fillim, shumë nga argumentet tona, të refuzuara fillimisht, janë pranuar nga gjykata më të larta. Të njëjtin fat do kenë edhe shkelje të tjera përpara Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila shumë shpejt do të vihet zyrtarisht në lëvizje me kërkesën tonë. Kauza nuk është thjesht të fitojmë një proces, por nëpërmjet tij të ndërtojmë standarde më të mira kushtetuese dhe evropiane të drejtësisë.

Pikërisht për këto standarte do t'i drejtohem edhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Gjobitja e një avokati në krye të detyrës së tij nuk është një problem individual, por një precedent që prek lirinë dhe pavarësinë e profesionit të avokatit.

Nëse një gjykatë pretendon të diktojë mënyrën se si një avokat organizon veprimtarinë e tij profesionale dhe e ndëshkon kur ajo nuk përputhet me ritmin që gjykata imponon njëanshmërisht, atëherë nuk vihet në diskutim vetëm liria e avokatit, por vetë e drejta për një mbrojtje të pavarur.

Unë besoj në një drejtësi që pranon kondradiktoritetin, debatin, bashkëpunimin, mirëkuptimin institucional dhe e konsideron mbrojtjen një garanci kushtetuese, jo një pengesë procedurale.

Ndaj, as kjo gjobë dhe as ndonjë masë tjetër nuk do të më largojë nga kjo rrugë.

Pa avokatë të lirë nuk ka mbrojtje efektive, pa mbrojtje efektive nuk ka proces të rregullt dhe pa proces të rregullt nuk ka shtet të së drejtës.