Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, kërkoi në Gjykatën e Posaçme, zëvendësimin e arrestit në burg, me një masë tjetër sigurie më të butë. Ish-presidenti ofroi edhe garanci pasurore, por kërkesa iu rrëzua nga GJKKO. Vetë Meta nuk ishte i pranishëm, dhe në seancë u përfaqësua nga avokati. Kujtim Cakrani tha se kërkohet masë më e lehtë, referuar edhe vendimit unifikues të Gjykatës së Lartë për paraburgimet.

Vendimi i Gjykatës së Lartë,- theksoi Cakrani, “detyron prokurorinë të vlerësojë së pari masa alternative dhe të argumentojë me prova nevojën pse një individ duhet të qëndrojë në paraburgim”.

Sipas tij, Ilir Meta “nuk ka rrezikshmëri për arratisje dhe e as rrezik të prishë provat, përfshirë faktin që në çështje nuk ka dëshmitarë të mbrojtur, çka mund të rëndonte pozitën e tij”.

“Gjykata duhet të parashohë rrethanat dhe rrezikshmërinë e individit, duhet arsyetuar nga gjykata pse mbahet në paraburgim një individ. Gjykata e Lartë liroi Mirlinda Karcanajn që akuzohet për grup kriminal, ndërsa Meta mbahet prej 19 muajsh në paraburgim”, theksoi avokati.

Por prokurori i SPAK Sotir Kllapi, e lexon ndryshe vendimin e Gjykatës së Lartë duke ia kaluar barrën e provës, palës mbrojtëse. Ai tha se avokati nuk paraqiti asnjë provë për zëvendësimin e masës, ndaj vlerësoi se nuk janë rrethanat për ta ndryshuar atë. 

“Vendimi gjykatës së lartë nuk sjell asgjë të re në këtë proces”, tha prokurori.

Avokati i Metës, Kujtim Cakrani mori shembull vendimin e Gjykatës së Lartë, që liroi ish-drejtoreshën e AKSHI-t, dhe ia zëvendësoi masën e arrestit në shtëpi në detyrim paraqitje.

“Gjykata duhet të parashohë rrethanat dhe rrezikshmërinë e individit, duhet arsyetuar nga gjykata pse mbahet në paraburgim një individ. Gjykata e Lartë liroi Mirlinda Karcanajn që akuzohet për grup kriminal, ndërsa Meta mbahet prej 19 muajsh në paraburgim”, theksoi avokati.

Por, treshja e gjyqtarëve Etleva Deda, Atalanta Zeqiri dhe Dritan Stroka pasi u tërhoqën për vendim, vendosën rrëzimin e kërkesës së Metës. Në mbështetje të tij në sallën e gjyqit ishin dhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, dhe deputetë të Partisë Demokratike, Flamur Noka, Klevis Balliu e Bujar Leskaj.

SPAK e ka marrë të pandehur Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, lidhur me aferën CEZ-DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA, ndërsa sot në GJKKO zhvillohet edhe seanca e radhës e gjyqit në themel. 

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë