Gjykata Kushtetuese rrëzon ankimimin e partive të vogla për Kodin Zgjedhor: Pretendime të pabazuara, nuk cenohet barazia para ligjit (VENDIMI)

Gjykata Kushtetuese rrëzon ankimimin e partive të vogla për Kodin Zgjedhor: Pretendime të pabazuara, nuk cenohet barazia para ligjit (VENDIMI)

Gjykata Kushtetuese

Tiranë- Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ankimimin e partive të vogla për Kodin Zgjedhor. Vendimi u njoftua ditën e sotme (24 Dhjetor).

Padia ishte bërë për të rrëzuar paktin PD-PS për listat e mbyllura dhe ndryshime të tjera, por tashmë ankimimi nuk është marrë parasysh. Partitë e vogla kërkuan rrëzimin e ndryshimeve në Kod, duke i cilësuar si në 'papajtueshmëri me kushtetutën'.

Gjykata vlerëson se kërkesa lidhet me një kompetencë të Parlamentit si delegim.

“Gjykata vlerësoi se pretendimet e kërkuesve nuk janë të bazuara, sepse lidhen me rezultat e votimit, që i korrespondon shpërndarjes së mandateve, ndërsa sipas nenit 64 të Kushtetutës, kjo shpërndarje dhe masa e shtrirjes së votimit parapëlqyes i është deleguar ligjvënësit (Parlamentit), ndërkohë që garancia kushtetuese për ushtrimin e së drejtës së votës parapëlqyese në nenin 64, pika 3 të Kushtetutës lidhet me procesin e votimit”, theksohet në vendimin e marrë.

Teksa më tej shpjegohet se nga verifikimi nuk konstatohet se ka cenim të barazisë para ligjit dhe se parashikimet ligjore u drejtohen në mënyrë të njëjtë të gjithëve.

“Bazuar po në këtë premisë, Gjykata nuk konstatoi as cenim të parimit të barazisë përpara ligjit si për partitë politike ashtu dhe për organizatat dhe individët në dy aspektet e mësipërme, së drejtës për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur, për sa kohë që në analizë të pretendimeve të kërkuesve dhe të dispozitave objekt shqyrtimi, rezultoi se parashikimet ligjore i drejtohen në mënyrë të njëjtë të gjithë subjekteve zgjedhore dhe zgjedhësve, prandaj, për rrjedhojë, nuk bëjnë diferencim mes tyre në procesin e votimit”, theksohet aty.

Në lidhje me kërkesën e pretendimit të kërkuesve për procedurën e miratimit të ligjit, Kushtetuesja shprehet se nuk arriti numrin e kërkuar të votave për vendimmarrje.

“Për sa i përket pretendimit të kërkuesve për procedurën e miratimit të ligjit, Gjykata nuk arriti numrin e kërkuar të votave për vendimmarrje sipas parashikimeve të nenit 133, pika 2 të Kushtetutës, të detajuar në nenin 72, pika 2, të ligjit nr. 8577/2000”.

Më herët, Gjykata Kushtetuese rrëzoi (4 Dhjetor) kërkesën e 7 partive të vogla, kreut të demokratëve euroatlantikë, Lulzim Basha e 3 mbështetësve të tij, për pezullim e e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, të miratuara në Korrik nga PD e PS.

Shtatë partitë e vogla u bënë bashkë kundër paktit PD-PS për mbylljen e listave dhe Gjykata Kushtetuese pati një seancë të hapur, ku u dëgjuan pretendimet e 7 partive dhe përfaqësuesit ligjor të Lulzim Bashës, si dhe përfaqësuesit e Kuvendit, Mimoza Arbri dhe Viktor Gumi, të cilët kundërshtuan pezullimin. 

Ndërsa brenda 30 ditëve Gjykata Kushtetuese la që të shprehej për shfuqizimin ose jo të këtyre ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Ditën e sotme kjo kërkesë është rrëzuar përfundimisht.

NJOFTIM VENDIMMARRJEJE I KUSHTETUESES:

“Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me kërkues shtatë parti politike, një organizatë dhe katër individë[1], me objekt shfuqizimin e neneve 67 dhe 163, pikat 2 dhe 3 të Kodit Zgjedhor, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, si dhe interpretimin përfundimtar të nenit 64 të Kushtetutës ose shfuqizimin e tij.

Sa i takon pretendimit për interpretimin e nenit 64 të Kushtetutës ose shfuqizimin e tij, Gjykata vlerësoi se interpretimi në vetvete i dispozitës kushtetuese nuk bëhet i shkëputur nga themeli i çështjes, prandaj do të analizohet së bashku me pretendimet e ngritura nga kërkuesit; ndërsa shfuqizimi i kësaj dispozite kushtetuese, nuk bën pjesë në juridiksionin kushtetues, pasi sipas nenit 131, pika 2 të Kushtetutës, Gjykata ka juridiksion të kufizuar vetëm për kontrollin e respektimit të procedurës së parashikuar nga Kushtetuta, ç’ka nuk është pretenduar nga kërkuesit.

Lidhur me themelin e pretendimeve, Gjykata vërejti se kërkuesit kanë pretenduar se neni 67, pika 1 i Kodit Zgjedhor duke vendosur lidhëzën “dhe” midis shkronjave “a” dhe “b” të saj përcakton detyrimin e subjekteve zgjedhore për paraqitjen e dy listave shumëemërore, atë me renditje të fiksuar dhe atë me kandidatë që i nënshtrohen votimit parapëlqyes duke cenuar parashikimin e nenit 64, pika 3 të Kushtetutës.

Gjykata mori në shqyrtim pretendimet e palëve për cenimin e së drejtës së votës, në dy aspekte, së drejtës për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur, të parashikuar në nenet 45 dhe 64 të Kushtetutës, të lidhur me parimin e barazisë përpara ligjit. Gjykata vlerësoi se pretendimet e kërkuesve nuk janë të bazuara sepse lidhen me rezultat e votimit, që i korrespondon shpërndarjes së mandateve, ndërsa sipas nenit 64 të Kushtetutës, kjo shpërndarje dhe masa e shtrirjes së votimit parapëlqyes i është deleguar ligjvënësit, ndërkohë që garancia kushtetuese për ushtrimin e së drejtës së votës parapëlqyese në nenin 64, pika 3 të Kushtetutës lidhet me procesin e votimit.

Bazuar po në këtë premisë, Gjykata nuk konstatoi as cenim të parimit të barazisë përpara ligjit si për partitë politike ashtu dhe për organizatat dhe individët në dy aspektet e mësipërme, së drejtës për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur, për sa kohë që në analizë të pretendimeve të kërkuesve dhe të dispozitave objekt shqyrtimi, rezultoi se parashikimet ligjore i drejtohen në mënyrë të njëjtë të gjithë subjekteve zgjedhore dhe zgjedhësve, prandaj, për rrjedhojë, nuk bëjnë diferencim mes tyre në procesin e votimit.

Sa i takon pretendimit të llogaritjes së numrit të kandidatëve të listës me renditje të fiksuar në varësi të presjes dhjetore më të vogël ose më të madhe se 0.5 të parashikuar në pikën 2 të nenit 67 të Kodit Zgjedhor, Gjykata vlerësoi se pretendimet e kërkuesve janë të pabazuara. Për të arritur në këtë përfundim, Gjykata mbajti në konsideratë se lista shumëemërore e subjekteve politike përbëhet nga lista me renditje të fiksuar dhe lista që i nënshtrohet votimit parapëlqyes (neni 67, pika 1 i Kodit Zgjedhor). Kjo e fundit si komponent i listës shumëemërore të subjekteve politike garanton parashikimin kushtetues të nenit 64, pika 3 “ që votimit parapëlqyes t’i nënshtrohet jo më pak se dy të tretat e listës shumëemërore”.

Për sa i përket pretendimit të kërkuesve për procedurën e miratimit të ligjit, Gjykata nuk arriti numrin e kërkuar të votave për vendimmarrje sipas parashikimeve të nenit 133, pika 2 të Kushtetutës, të detajuar në nenin 72, pika 2, të ligjit nr. 8577/2000.

Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, për arsyet e mësipërme, Gjykata vendosi me shumicë votash:

- Rrëzimin e kërkesës.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese".

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:17
Partia anti-Berisha: Keqardhje për vendimin e Kushtetueses! Deputetët do zgjidhen nga kryetarët e jo qytetarët! Ne do zbatojë listat e hapura, të tjerët të na bashkohen

Drejtuesit e 'Djathtas 1912' reagojnë për vendimin e Kushtetueses

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që rrëzoi sot (24 Dhjetor) ankimimin e partive të vogla politike për pavlefshmërinë e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor nga marrëveshja PS-PD, është pritur me pakënaqësi nga paditësit.

Edhe grupimi “Djathtas 1912”, e cilësoi vendim negativ rrëzimin përfundimtar të kërkesës për lista të hapura në zgjedhjet e ardhshme.

“Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar padinë e disa partive politike kundër paktit të Kodit Zgjedhor, të miratuar nga PS dhe PD, që u mohon qytetarëve shqiptarë të drejtën kushtetuese për të zgjedhur deputetët me lista të hapura, është një lajm i keq për demokracinë në Shqipëri”, thuhet në deklaratë. 

Forca e re thekson se ata u përpoqën që të kishin lista të hapura, garë të ndershme, konkurrencë mes partive politike dhe kandidatëve për deputetë, si dhe ‘një parlament të ndërtuar me deputetë të zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët, të cilët janë të detyruar t’u japin llogari atyre, dhe jo kukulla te verbëra të kryetarëve të partive’. 

Duke shprehur keqardhjen për këtë vendim, i cili në frymë bie në kundërshtim të hapur me një vendim të mëparshëm të po kësaj gjykate, Djathtas 1912 shpreh vendosmërinë që në zgjedhjet e 11 Majit të garojë me lista të hapura. 

“Ne do të donim që çdo parti politike të detyrohej nga ligji të zbatonte listat e hapura, si një detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë. Megjithatë, në mungesë të kësaj, i mbetet vullnetit të partive të tregojnë kurajo politike dhe shërbim ndaj qytetarëve për të zbatuar listat e hapura me iniciativën e tyre”, apelon ky formacion. 

Madje ata shtojnë se “Djathtas 1912” ka zgjedhur që tani të zbatojë listat e hapura, duke dhënë shembullin për respektim të zgjedhësve, llogaridhënie ndaj tyre dhe demokraci të drejtpërdrejtë. 

“Ne besojmë se pas 34 vitesh, Shqipëria ka nevojë për një parlament të vërtetë demokratik, dhe për këtë arsye kemi vendosur të jemi të parët që do t’i japim votës së qytetarëve vlerën që meriton, duke u përballur drejtpërdrejt me gjykimin dhe vlerësimin e tyre. Ka ardhur koha që shqiptarët të vendosin vetë përfaqësuesit e tyre me “listat e qytetarëve” dhe jo “listat e kryetarëve”. Për këtë arsye, ne do të zbatojmë listat e hapura”, thuhet më tej.

Ata bëjnë thirrje se listat e hapura janë domosdoshmëri “për të çliruar parlamentin e shqiptarëve nga uzurpimi i binomit Rama-Berisha dhe strukturave të tyre, të cilat kanë mbyllur hapësirat për konkurrencë politike”. 

Ora 17:11
Kushtetuesja rrëzoi të vegjlit për Kodin Zgjedhor, Basha: S'dorëzohemi përballë padrejtësive të pazarit Rama-Berisha

1734268190_lulzimbasha.JPG

Foto: Lulzim Basha

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha pas lajmit se Gjykata Kushtetuese rrëzoi ankimimin e partive të vogla për Kodin Zgjedhor, është shprehur se ai nuk do të dorëzohet përballë padrejtësive, që burojnë nga pazari Rama-Berisha.

Sipas Bashës, Gjykata Kushtetuese, është një institucion i mbërthyer nga ankthi për ruajtjen e karrigeve të veta e cila nuk mund të ketë as pavarësinë as kthjelltësinë për të marrë një vendim në interes të qytetarëve.

Postimi i plotë

Gjykata Kushtetuese, edhe sot, tregoi se nuk mund të ngrihet në lartësinë që ia dikton ligji themeltar i shtetit dhe vullneti masiv i shqiptarëve, të cilët kërkojnë ndryshim dhe jo nënshtrim.

Një institucion i mbërthyer nga ankthi për ruajtjen e karrigeve të veta nuk mund të ketë as pavarësinë, as kthjelltësinë për të marrë një vendim në interes të qytetarëve.

Historia na mëson se çdo arritje drejt lirisë, barazisë dhe të drejtave ka ardhur përmes përpjekjeve të vazhdueshme dhe bashkimit të njerëzve. Edhe pse rruga është e vështirë dhe e mbushur me pengesa, ajo nuk është e pamundur.

Ne nuk do të dorëzohemi përballë këtyre padrejtësive, që burojnë nga pazari Rama-Berisha për të pamundësuar të drejtën e shqiptarëve për të zgjedhur me votë deputetët e tyre.

Shqiptarët tani kanë edhe një arsye më shumë për të refuzuar këtë pazar me votë e tyre më 11 maj.

Shqipëria meriton më shumë!

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Mergimtari: 24/12/2024 18:09

    Basha dhe te gjithe karigethyerit po dalin si"shpetimtare".Ky po na thote se eshte i "paster" por,nuk na thote per Rrugen e Kombit,Faljen Detit,Vrasjet ne bulevard e plot te tjera.Haron se Berisha nuk i beri vetem po me Bashen e kompani.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare