Ndryshe nga eksperienca 30-vjeçare e deritanishme, tërheq vëmendje avokati i kryebashkiakut që po shkon në çdo studio televizive e podkaste për të shpjeguar disa gjëra themeltare, proçeduriale që lidhen me atë gjyq.
Me qetësi shembullore, me elokuencë dhe argumenta shumë solide, po u thotë shikuesve se deri tani janë bërë disa gabime të rënda proceduriale, të cilat paralajmërojnë pritshmëri të një rezultati të dyshimtë drejtësie. Duket që synon në këtë fazë paraprake të ndërgjegjësojë publikun për shkelje proceduriale të pafalshme, të cilat njeriut normal i vënë përpara një pikëpyetjeje të madhe: do ketë drejtësi?
Deri tani transparenca përmes kamerave është refuzuar kategorikisht. Deri tani “Kafazi” për dy prej tyre, ish n/punësa të lartë qenka i domosdoshëm. Si Z. Meta ashtu dhe Z. Veliaj shikohen si “kafshë sociale që në izolim manifestojnë agresivitet”, ose paragjykohen si kopje reale të boksierit amerikan Mike Tyson, të gatshëm që të hidhen në sulm për të kafshuar veshët e prokurorëve. Nëse realisht duan të bëjnë transparencë, (pasi dyshoj shumë për të kundërtën përderisa kafazin e qelqtë, me cinizëm të pashoq, e quajnë “hotel me pesë yje”) le të caktojnë së paku prapa Z. Meta ndonjë kampion mundje polic, meqenëse vetë i akuzuari ka qenë sportist i sporteve të rënda. Edhe pse tashmë i tërhequr, jo aktiv. Aq më keq ku korrupsioni ka kapur çdo qelizë të shoqërisë, vihet në dyshim siguria e banorit të kafazit kur dihet që nuk përjashtohet mundësia që kafazi të jetë blerë pa tender.
Komunikimi në tavolinë me avokatin mbrojtës, ndodh rregullisht në vende ku realisht drejtësia është një “e drejtë”, jo privilegj. E mendoj të arsyeshëm pohimin e Z. Ndreca se gabimet e rënda proceduriale janë tregues i fortë i dobësisë së punës të trupës së prokurorve në këtë rast.
Pse n/punësit tanë nuk thonë dot, krejt të pamundur të thonë, bëra gabim?. Tërësisht të pagabueshëm!!
Ndoshta gaboj, por mendoj se duke u përpjekur të sqaroj bindshëm nyje të caktuara të fazave të procesit penal, Avokati Ndreca kërkon mbështetje nga institucionet apo forumet joqeveritare për të mundësuar trasparencë të plotë të seancave gjyqësore. Me informacion të siguruar gjatë viteve në komision parlamentar dhe më tej si avokat, ndoshta ndjen pasiguri ose rrezik devijimi të proçesit përballë një fortesë shumë solide, korporatës së drejtësisë. Ku qëllimi thelbësor etik i sistemit të drejtësisë humbet pas një fasade formaliteti që, për fat të keq të bën të dyshosh se, vetëm dështon të ofrojë drejtësi.
Padrejtësia, pavarësisht ku ndodh, është një kërcënim për drejtësinë kudo.
Kur gjykata, "streha e fundit" lëkundet, njerëzit fillojnë të pyesin veten: nëse jo gjykatat, atëherë ku tjetër mund të gjendet drejtësia? Politika është opiumi, Media është shiringa! Korporata e drejtësisë i ka kthyer “Të drejtat e njeriut” në privilegj, jo të drejtë kushtetuese. Mendoj se opozita ka një mundësi të artë që në këtë dilemë trasparence të kërkojë me këmbëngulje praninë e kamerave në sallën e gjyqit. Po sikur edhe mazhoranca në Parlament të heshtë? Atëhere opinioni publik ka të drejtën që të jetë skeptik për të dyja partitë e mëdha mbi rolin e tyre fallco ndaj drejtësisë. Modalitetet për ruajtjen e konfidencialitetit të dëshmitarve janë shembujt e gjyqeve nëpër Europë.
Po RTSH që mbahet me paratë e taksapaguesve, pse nuk imponohet për trasparencë në shërbim të publikut!? Për qytetarët e zakonshëm, kjo ide mbart një kuptim të thellë. Ajo përfaqëson shpresën se pavarësisht statusit të dikujt në jetë, ende ekziston një Media ku dikush mund të dëgjohet në mënyrë të drejtë. Është vendi ku të dobëtit mund të qëndrojnë kundër të fuqishmëve, duke besuar se vendimet nuk do të bazohen në tarafe ose pasuri, por në vetë drejtësinë. Nëse procesi nuk do të jetë transparent, nuk mund të ofrojë një mjedis të sigurt dhe mundësi të barabarta njerzit ndihen të detyruar të lëvizin “duke votuar me këmbët e tyre” për të gjetur një shoqëri më të drejtë.
Kur drejtësia administrohet në mënyrë të drejtë dhe transparente, ajo siguron llogaridhënie dhe mundëson shoqërinë të lulëzojnë. Nuk ka asnjë dyshim se kur drejtësia është thjesht "e pretenduar", ajo është thjesht “Padrejtësi e Organizuar”. Do e lejojë shoqëria këtë fatalitet??
Kërkesa këmbëngulëse për transparencë në sallën e gjyqit duhet të ndjehet si imperativ plebishitar, njëlloj si në 2013 për armët kimike. Gjyqësori është “Shpresa e Fundit” e grave dhe burrave të zakonshëm.
Komente











