TIRANË- Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbahet sot në orën 12:00 seanca e dytë e gjyqit në themel ndaj ish-presidentit Ilir Meta. Në seancën e 27 prillit, ku nisi edhe gjyqi në themel për dosjen Meta, ish-presidentit iu rrëzua kërkesa që gjyqi të transmetohet drejtpërdrejtë nga mediat.

Në pak momente të çeljes së seancës ku kamerat u lejuan, imazhi i ish-presidentit u shfaq për herë të parë në publik ku u pa se ai kishte pësuar një transformim të dukshëm fizik.

SPAK e ka marrë të pandehur Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, lidhur me aferën CEZ-DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA.

Sot gjykata pritet të shprehet nëse do të pranojë kërkesën për gjykim të shkurtuar për tre të pandehurit e tjerë: nënën e Monika Kryemadhit, Ema Çokun, mikeshë e saj, të akuzuara për pastrim parash, si dhe ish-kreun e AKEP, Pirro Xhixho, i pandehur për korrupsion.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë