Avokati Arbër Hoxha thotë se kërkesa e gjyqtarëve për rritje page, është e padrejtë nga ana morale.

Në një intervistë për "Shtypi i ditës dhe ju" në Report Tv, Hoxha u shpreh se gjyqtarët paguhen deri në tre herë më shumë se mjekët specialistë, dhe paga e tyre është sa 60 fishi i një pensioni.

“Në vitin 2019 dhe 2022 pati indeksim të pagave dhe iu tha gjyqtarëve, që pagat e tyre do rriteshin më vonë. U ndryshua referenca dhe u ul paga e gjyqtarëve. Shoqata e Gjyqtarëve iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, dhe Gjykata Kushtetuese nuk i dha askujt të drejtë. Në rrafshin personal, nëse do pyetesha, do thosha që gjyqtarët kanë të drejtë se me ata më lidh puna. Por duhet të themi të gjitha të vërtetat, kërkesa e gjyqtarëve është e padrejtë moralisht. Nëse paga është shpërblim i drejtë edhe për punën që ke kryer, një mjek ka kryer 10 vjet arsim të lartë. Sot, gjyqtarët paguhen dy herë e gjysmë apo tre herë më shumë se mjekët specialistë. Gjyqtarët paguhen sa 60 fishi i një pensionisti.", tha ai.

Hoxha deklaroi se paga e një gjyqtari në Shqipëri, krahasur me vende të Ballkanit, është 50% më e lartë. Gjithashtu, sipas Hoxhës, ata paguhen sa gjyqtarët në Greqi, por Shqipëria ka tre herë më pak të ardhura.

"Paga bruto është 320 mijë lekë të rinj, paga neto shkon 260 mijë. Nëse do i krahasojmë me pagat e gjyqtarëve të Ballkanit, një gjyqtar i Shqipërisë paguhet 50% më shumë. Kemi tre herë më pak të ardhura se Greqia dhe i paguajmë njësoj. Ka pretendim nga ana e gjyqtarëve se ligji është antikushtetues dhe i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese.", theksoi Hoxha.

Avokati shtoi se gjyqtarët e kanë ngritur zërin vetëm kur kanë pasur interesin e tyre dhe jo për çështje të qytetarëve, duke vendosur dy standarde. Hoxha thotë se në gjykata nuk ka ambiente të mjaftueshme për të zhvilluar gjyqet.

Lidhur me kundër deklaratën e gjyqtarëve ndaj kryeministrit Edi Rama, Hoxha e cilësoi si jo korrekte, dhe se nuk duhet t'i përgjigjen politikisht.

"Kemi një dy standard të gjyqtarëve, kur qytetarët përballen me gjykime që janë antikushtetues, nuk e ndërpresin procesin gjyqësor. Janë qytetarët që vuajnë nga reforma në drejtësi, për vendimet që ka sjellë. Janë këta gjyqtarë që nuk e ngrenë zërin e tyre për shqetësimet e publikut. Kur bëhet fjalë për çështje që i takojnë publikut, këta gjyqtarë nuk e ngrenë zërin. Gjykata e Apelit ka 5 salla për 32 gjyqtarë, Kushtetuesja nuk ka ambiente dhe është 3 herë më e vogël se studio juaj, se kam qenë aty fizikisht dhe e di. Gjykata e Lartë ka ambiente që nuk është vënë dorë që në 1967. Kryetari i Gjykatës së Apelit të Posaçëm paguhet 30% më shumë se kryetari i Gjykatës së Lartë. Kërkesa është ngritur në kohën më të keqe të mundshme, e deligjitimon reformën në sistemin e drejtësisë, e bën reformën të duket për interesa personale të gjyqtarëve. Kryeministri është në pozicion politik. Ekzekutivit i lejohet të bëjë disa deklarime më tepër, por gjyqtarët flasin nëpërmjet vendimeve gjyqësore. Ajo kundër deklaratë e Shoqatës së Gjyqtarëve është e shkruar me inteligjencë artificiale, është e shkruar disa herë. Për mendimin tim, deklarata është e rishkruar disa herë.", u shpreh Hoxha.

Sa i takon rastit 'Balluku', Hoxha nënvizoi se kërkesa e SPAK për arrestimin e zëvendëskryeministres, nuk ka lidhje me vendimin që pritet të marrë Gjykata Kushtetuese.

“Janë dy kërkesa të ndryshme. Kërkesa e parë është e kryeministrit për shfuqizimin e pezullimit të zonjës Balluku, së dyta është kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit. Janë kërkesa që nuk kanë lidhje me njëra-tjerën. Shtyrja e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese nuk është në nderin e saj, çështja nuk është kaq komplekse. Imuniteti pas vitit 2016, është imunitet që lidhet me arrestin në burg, arrestin në shtëpi, kontroll personal dhe kontrollin në banesë. Pas vitit 2016, ministri dhe deputeti nuk mund të arrestohen pa autorizimin e Kuvendit. Pezullohet ministri, kryeministri, zëvendëskryeministri, deri te roja nëse ka arsye", theksoi avokati.

Për ndryshimet në Kodin Penal, avokati deklaroi se masat e dënimit me burg kanë qenë të tepruara.

“Kur miratojnë ndryshimet në Kodin Penal, praktikisht për çdo gjë kanë hequr gjobën dhe kanë vënë paraburgimin. Masat e dënimit me burg për kundravajtjet që kanë qenë deri tani administrative, janë të tepruara. Shteti duhet t’i garantojë qytetarëve një herë të drejtat dhe më pas të kërkojë detyrimet.", përfundoi avokati.