Analisti Albatros Rexhaj vlerëson se kërkesa e gjyqtarëve dhe prokurorëve për rritje pagash, e adresuar përmes vendimeve gjyqësore, përbën një problem serioz kushtetues dhe cenon parimin e ndarjes së pushteteve.
Gjatë një interviste me emisionin Sot Live në Shqipëri në Report TV Rexhaj tha politikat fiskale dhe menaxhimi i buxhetit janë kompetencë ekskluzive e qeverisë dhe Kuvendit, të cilat kanë mandatin e dhënë nga qytetarët për të vendosur mbi shpenzimet e shtetit. Ai thekson se gjyqësori nuk mund të marrë vendime që prekin drejtpërdrejt arkën e shtetit, sidomos kur bëhet fjalë për përfitime për veten.
"Nëse gjyqtarët dhe prokurorët kanë pretendime për rritje rrogash ata duhet t’i drejtohen Kuvendit dhe popullit. Por, jo me vendime gjykatash! Sepse nëse gjykata merr një vendim për veten, kjo jo vetëm që është konflikt interesi por edhe ndërhyrje në kompetencat kushtetuese të ekzekutivit dhe parlamentit. Nuk e kuptoj pse e bëjnë këtë betejë të kotë e të panevojshme. Bërthama e asaj që thotë kryeministri qëndron. Ne emër të mazhorancës dhe vullnetit që i ka dhënë populli vendos për kuletën e shtetit” tha ai.
Sipas Rexhajt, përpara çdo kërkese financiare, sistemi i drejtësisë duhet të rikthejë besimin e shoqërisë dhe të adresojë atë që ai e quan “borxh moral” ndaj qytetarëve.
“Sistemi i drejtësisë ka shumë mëkate dhe ato nuk shpërlahen me një vetting. Në vend që të kërkojnë rritje pagash në këtë formë… unë skam problem me rritjen por me mënyrën e kërkesës ndoshta më e udhës është që të kthejnë borxhin moral që kanë ndaj shoqërisë shqiptare. Vazhdimisht popullit shqiptar i është bërë padrejtësi në sistemin gjyqësor, zvarritja e proceseve, paraburgimet, e kanë zbehur besimin e njerëve në sistem” tha ai
Rexhaj kritikoi faktin se paraburgimi po përdoret në mënyrë abuzive, duke mbajtur njerëz për një kohë të gjatë pa gjyq, gjë që i bën ata të duken fajtorë në sytë e publikut. Ai theksoi se burgu nuk është institucion edukativ dhe se qytetarët kanë të drejtë për gjykim të shpejtë dhe trajtim dinjitoz, ndaj sipas tij qeveria duhet të ndërhyjë me ndryshime ligjore për të kufizuar kohën e trajtimit të çështjeve, veçanërisht atyre civile.
Analisti Albatros Rexhaj tha të enjten se etiketimi i Shqipërisë si “narkoshtet” nga Sali Berisha është një autogol politik dhe kombëtar, që dëmton imazhin e vendit jashtë kufijve dhe dobëson vetë opozitën.
“Është një autogol kombëtar, sepse do të duhej të ishte një parim që ‘çfarëdo që të kemi me njëri tjetrin, ajo nuk duhet t’i faturohet Shqipërisë’ dhe t'i krijojë një imazh të keq. Berisha del në Parlamentin Europian dhe flet për narko shtet duke ndërtuar një kauzë shumë të keqe për Shqipërinë. Sali Berisha po krijon një hije të keqe te ndërkombëtarët" tha ai në një interviste me emisionin Sot Live në Shqipëri në Report TV.
Rexhaj theksoi se fjalët e Sali Berishës ushqejnë narrativa të rrezikshme që përdoren prej vitesh nga qarqe serbe dhe ruse kundër shqiptarëve. Ai nënvizoi se kjo retorikë nuk ndikon vetëm Shqipërinë, por ka pasoja edhe për Kosovën, duke ndikuar në mënyrën se si ndërtohet vendimmarrja perëndimore për rajonin. Sipas Rexhajt, propaganda kundër shqiptarëve në Ballkan mbështetet pikërisht mbi idenë se shqiptarët lidhen me krimin dhe trafikun, dhe deklarata të tilla si ato të Berishës vetëm sa e forcojnë këtë perceptim.
"Duhet të ketë një minimum konsiderate dhe etike, aq më tepër tani që me ndryshimet gjeopolitike që po ndodhin shqiptarët janë më të brishtë se kurrë. Situata e konfliktit politik dhe deklaratat e narko shtetit në Shqipëri ndikon shumë edhe në Kosovë. E gjithë propaganda serbe dhe ruse përpiqet të infiltrojë vendimmarrjen perëndimore bazohet në parimin që shqiptarët janë kriminelë e narko trafikantë. Kjo është retorika që përdoret nga qarqet ruse dhe serbe. Ata shkruajnë pa fund letra duke ndërtuar një narrativë që shqiptarët janë Nëna e të keqijave në Ballkan. E tani del një lider shqiptar që thotë Shqipëria është narkoshtet, Venezuelë e Bjellorusi. Kjo s'ka kuptim. Një i huaj thotë ku janë faktet? Këta njerëz as nuk e kuptojnë sa larg shkonë dhe pasojat e atyre që thonë. Kur i drejtohesh audiencave të brendshme fol ç'të duash por jo tek audiencat e jashtme. Shqiptarët shpesh e kanë pësuar në histori, sepse ka pasur rrjeshtim të forcave të egra që kanë vepruar kundër nesh. Edhe brezat e tanishëm duhet ta paguajnë këtë faturë? Jo!” tha Rexhaj.
Rexhaj mendon se opozita po injorohet edhe nga ndërkombëtarët dhe kjo do të duhej të perceptohej nga PD si një alarm për tu zgjuar e për të dalë nga rruga ku janë futur.
"Opozita duhet të ndryshojë qasje dhe kauzë dhe t'i përshtatet kohës" përfundoi ai.
Komente











