Plehu socio-biologjik i quajtur gjysmak, ky bastard, ky mi, ky insekt, është ideatori dhe zbatuesi i të gjitha të zezave.
Dëmet që shkaktojnë tërmeti, uragani, rrebeshi, janë të papërfillëshme para tmerreve që shkakton gjysmaku.
Gjysmaku ka dy vëllezër më të vegjël, Çerekun dhe Hiçin. Që nuk luajnë ndonjë rol, nuk kanë ndonjë peshë krahsuar me vëllanë e madh, gjysmakun.
Gjysmaku ka, ose ndoshta do ta ketë në të ardhmen, dhe vëllanë e madh, dyfishin e vetes, pra të plotin apo të tamamtin, që do duhej të kishte ndonjë peshë, të luante ndonjë rol. Por meqënse i tamamti tanipërtani nuk ekziston, hëpërhë nuk ka emër, dhe rrjedhimisht as peshë, e as rol.
Gjysmaku nuk është i lidhur me asnjërin nga vëllezërit. Gjysmaku jep e merr vetëm me kazanin, me batërdinë, me mesin e gjithçkaje.
Gjysmaku është mbreti i mesit.

Mesi, është foleja e butë, vatra e ngrohtë, habitati, shtëpia e gjysmakut.
Dy gjysmakë nuk e bëjnë kurrë një të plotë. Secili gjysmak ka vetinë e çuditëshme të riprodhohet në vetvete duke sjellë gjithata gjysmakë të tjerë, dhe Çerekër, dhe sidomos Hiçër.

Gjysmaku i përsosur është ky;
Moshë mesatare, shkollë e mesme e lënë në mes, shtat mesatar, shëndet mesatar, mesatarisht i pasur, mesatarisht i ditur, mesatarisht i edukuar.
Gjysmaku i mësipërm i përsosur ekziston në pak ekzemplarë.
Por ekzistojnë një pafundësi variantesh të gjysmakut të përsosur, në mos më tepër, gjithaq të zinj e të këqinj e të rrezikëshëm, sa edhe gjysmaku i përsosur.
Gjysmaku ulet në bankën e mesit të rreshtit të mesit, ka rezultate mesatare në mësime, zë vend në mes të sofrës, i sulet mesit të byrekut, i ngul pirunin llokmës së misht të mesit të tavës, pozicionohet diku në mes të sallës së mbledhjes, flet gjithmonë i mesit, rri andej nga mesi i turmës në mitind, voton në mes të politikës.
Sepse për gjysmakun balli është vendi më i rrezikshëm, qoshja është vendi më i parëndësishëm, dhe për pasojë mesi është vendi më i mirë për strukje gjysmakësh, dhe vetë gjysmaku është i strukuri më i madh. Gjysmaku në mes, në cilindo mes, për shkak të strukjes është i padukshëm, për shkak të mesit është prezent.
Thonë për ndonjë gjysmak se u struk në një qoshe. Gënjejnë. Gjysmaku nuk struket kurrë nëpër qoshe. Gjysmaku vegjeton gjithmonë në mes. S'ka strukje më të përsosur se strukja në mes.

Mesi është llogorja e gjysmakut. Nga mesi gjysmaku godet me armët që i shpik vetë. Me shigjetat e helmatisura të gjysëm-fjalës, me artilerinë e gjysëm-erudicionit, me predhat e gjysëm-përgjegjësisë, me bombat e imagjinatës.
Gjysmaku lexon libra. Vetëm libra gjysmakë nga autorë gjysmakë. Gjysmaku leximin kurrë nuk e ndal, dhe librin kurrë nuk e flak, pa i vajtur në mes, domethënë pa e lexuar deri në gjysëm.

Gjysmaku, pasi ka pirë gjysmën ekafes, i duhet gjysëm dite për ta pirë gjysmën tjetër.
Gjysmaku është gjeniali i shkatërrimit të ideve dhe punëve të të tjerëve. Këtë gjysmaku e bën me përpikmërinë më të madhe, kur realizimii i atyre ideve dhe atyre punëve ka arritur pikërisht në mes.
Për gjysmakun të gjithë kanë të drejtë dhe të gjithë e kanë gabim.
Gjysmaku ushqen gjysma ambicjesh, gjysma pretendimesh, gjysma qëllimesh, gjysma shpresash, të cilat i arrin plotësisht.
Gjysmaku, gjysmën e ditës fle, gjysmën e natës rri zgjuar.
Nuk është mëkat të jesh idhtar i ndonjë partie të mesit. Se partitë e mesit, do kenë edhe ato idhtarët e tyre. Problemi është se idhtari i tyre tipik është gjysmaku. Se si do ta zgjidhin partitë e mesit mardhënien morboze me gjysmakun, ata e dinë.
Aty nga gjysma e jetës gjysmaku martohet dhe bën fëmijë, gjysmakë si vetja natyrisht. Pastaj, për kohën që i ka mbetur, vetëm ha si derr, pi si kalë, dhe pret të vdesi.
Një gjysmak i panatyrshëm dhe i panevojshëm kudo prezent, është gjysmaku që nuk di të sillet me femrat, nuk di tu flasi femrave bukur, me komplimenta, me kortezira, me diplomacira, por vetëm hungurrin para tyre si derr.

Ka jo pak gjysmakë që, për arësye nga më të ndryshmet, përgjysëm lënë edhe qefin.
Një gjysmak nga më të rrezikshmit është gjysmaku që lë përgjysëm punën.
Gjysmaku që flet përgjysëm për shtetin, politikën, institucionet, shoqërinë, gjithmonë përgjysëm, edhe ai nuk mbetet pas sa i përket rrezikshmërisë.
Mijëra gjysmakët e fejsbukut dhe miliona gjysmakët e celularit, janë gjysmakët emblematikë të kohës s'onë. Ata gjysmakë, edhe më të famshit prej tyre, nuk dinë të ndërtojnë një fjali, nuk dinë të shkruajnë një rresht. Shqiptojnë gjithmonë gjysma fjalish dhe shkruajnë gjithmonë gjysëm rreshti.
Në mesin e gjysmakërisë tonë shquhen një numur gjysmakësh, prej të cilëve vëmendjen më të madhe e tërheq ai që është në të njëjtën kohë, gjysmak intelektual, gjysmak politikan, gjysmak gazetar, dhe sidomos gjysmak njeri.
Mes lukunisë së gjysmakëve, Vlen të veçohet, gysmaku shkrimtar, piktor, arkitekt, muzikant, që jep intervista gjysmake autoreferenciale duke interpretuar "veprat" e veta, pra bën turpin më të madh.
Si dhe gjysmaku blogist, i cili, të njëjtën paçavure virtuale që zhgarravit çdo ditë, e stis në atë mënyrë, që jo ai, pra jo gjysmaku blogist, por hiçat e Internetit, krimbat anonimë që gjoja komentojnë pas tij, të mund të shpifin sa të duan, me përmbajtje dhe stil Sigurimi.
Fara e keqe e gjysmakut ka përmbytur tashmë gjithçka. Aq sa Shqipëria rrezikon të shndrrohet e tëra në një mes pa anë, në një gjysmakëri pa fund, në një det guakllëku pa brigje.

Ruhu nga gjysmakllëku.
Se s'ka thënë kot i moçmi;
Gjysmaku do një gjysëm leku në gjysëm të ballit.
 
Shkrimi u publikua sot (01.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)