TIRANË- 8 maji shënoi protestën më të vakët dhe me pjesëmarrjen më të ulët të tetë tubimeve të thirrura nga Sali Berisha. ‘Kilometrit të fundit’ duket se nuk po i bashkohen më as militantët e tij, të cilët sa vijnë e rrudhen nga protesta në protestë. Në 2 orë tubim, munguan fjalimet politike dhe të vetmet mesazhe u përcollën nga një aktivist i PD-së përmes një megafoni, duke renditur arsyet se përse “regjimi i Ramës duhej rrëzuar: nga korrupsioni, te lidhjet e qeverisë me krimin, nga varfëria te taksat e larta e grabtija që qeveritarët sipas opozitës, po i bëjnë Shqipërisë dhe shqiptarëve”.
“Parlamenti është kthyer në noter të Ramës, mbron Ballukun e Karçanajn”
“Edi Rama nuk e do integrimin. E bllokoi me Ballukun, i dha drejtësisë 83 shuplaka”, thuhej në mesazhet përmes megafonit.
Në sfond, vuvuzelat e shumta zhurmonin pa pushim, si për të kompensuar tkurrjen e ndjeshme të numrit të atyre që ishin grumbulluar në shesh.
Pjesëmarrja e ulët nuk ishte i vetmi dështim. Demokratët nuk e vunë në jetë as planin e tyre për të marshuar rrugëve të kryeqytetit. Me një tjetër strategji të mirëmenduar, kryepolici Skënder Hita frenoi militantët dhe kordoni i policisë i rrethoi brenda bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, aty ku kupola drejtuese e PD-së kishte marrë leje për të zhvilluar protestën, e cila nisi me 40 minuta vonesë.
Sali Berisha marshoi nga selia drejt bulevardit i shoqëruar nga një grusht militantësh dhe funksionarët demokratë. Për herë të parë, pas tij mungoi “grupi i zjarrit” që fshihej pas pankartave dhe qëllonte me molotovë drejt kryeministrisë sapo Berisha i jepte sinjalin. Një tërheqje kjo pas strategjisë së re të Skënder Hitës që në protestën e 18 prillit goditi në ‘zemër’ grupin e zjarrit dhe i arrestoi në flagrancë.
Para Kryeministrisë, militantët ishin orientuar të qëndronin të qetë dhe u larguan pas 1 ore pa asnjë akt dhune e molotovë në drejtim të godinës qeveritare. Më pas, demokratët u urdhëruan të marshojnë në drejtim të bllokut të ministrive, por plani u dështoi kur pa dalë nga bulevardi, policia u kishte zënë në pritë duke mos i lejuar të shkojnë tek Ministria e Brendshme.
Efektivët nisën shpërndarjen e tyre vetëm me ujë dhe spraj, një paralajmërim i qartë se ai është një kufi që nuk mund të kalohej. Kundërpërgjigjja e protestuesve ishte e menjëhershme, duke hedhur molotovë dhe fishekzjarrë në drejtim të kordonit të policisë.
Berisha dhe ata që e rrethojnë vënë menjëherë maskë dhe syze. Për disa minuta është një përballje në distancë.
Tentativat për të çarë kordonin u udhëhoqën nga deputetët demokratë, Flamur Noka dhe Bledion Nallbati. Të dy u konfrontuan fizikisht me efektivët dhe në ndihmë u erdhën edhe militantët, por pa sukses.
“U bëj thirrje të hapin rrugën, të mos i shërbejnë Skënder Ballukut, por t’i shërbejnë ligjit. Hapuni. Do vazhdojmë marshimin pa asnjë diskutim”, tha Noka.
Në rebelim e sipër për bllokimin e rrugës, Gazment Bardhi u përplas verbalisht me policët.
“Edhe bulevardin e ka marrë Belinda dhe Edi Rama. Po në ç’vend të botës del policia në marshim proteste paqësore? Në cilin vend të botës pengohet protesta? Pse provokoni? Pse bllokoni rrugën?”, iu drejtua Bardhi-policëve.
Por, për Sali Berishën kjo strategji nuk ishte një kurth. Pyetjes së Report Tv, ai iu përgjigj se zgjodhën vetë të shkonin drejt rrethimit, për të treguar dhunën policore ndaj protestuesve.
“Nëse do të ndiheshim në kurth, ne i kishim rrugët e tjera të hapura. Ne shkuam drejt aty. Nëse ai mendoi se na bëri kurth gaboi, ne e dinim që na kishte bllokuar rrugën, e kishim marrë vesh përpara. Asnjë kurth, përkundrazi, kishim disa rrugë të tjera, por shkuam vetë drejt rrethimit. Por do të marrë përgjigjen e merituar”, tha Berisha.
Deri më tani, Policia ka shoqëruar 3 militantë, ndërsa 3 efektivë janë dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Kjo protestë e Partisë Demokratike ka shënuar pjesëmarrjen më të ulët në 8 tubimet që janë zhvilluar deri më tani, siç shihet dhe nga pamjet me dron që përcjell Report Tv. Militantët kanë braktisur masivisht Berishën, duke mos iu bashkuar në 'kilometrin e fundit’ për rrëzimin e Edi Ramës. Pamjet me dron të Report Tv tregojnë se pjesëmarrja e militantëve është tkurrur ndjeshëm.
Asnjë surprizë nuk prodhoi protesta, përveç disa përpjekjeve për të çarë kordonin e policisë dhe për të vijuar marshimin drejt bllokut të ministrive. U përdorën dhe disa molotovë e fishekzjarrë në drejtim të policëve, të cilët i shpërndanë militantët me ujë e spraj.
Pyetjes së gazetarëve se kur do të mbahet protesta e radhës, përpara apo datës 23 maj, ditë kur dhe do të zhvillohen zgjedhjet brenda PD për kryetarin, Berisha u përgjigj duke thënë “Skam asnjë koment. Nuk e di ende, do ta shohim”.
Kryetari i PD Sali Berisha tha se protestat i përkasin një populli kryengritës dhe që nuk rrëzohet përpara narkoregjimit të Edi Ramës. Berisha u shpreh se drejtori i Policisë së Shtetit Skënder Hita do të marrë përgjegjësitë që i takojnë pasi ka ndaluar zhvillimin e një proteste paqësore. Ndër të tjera Berisha tha se Hita gaboi nëse mendoi se futi në kurth protestuesit, pasi ai vetë ka qenë në dijeni të kordonit.
“Në këtë ditë shiu, në këtë ditë jo të lehtë, latë çdo gjë. Dolët në shesh duke u përballur me të keqen më të madhe, me narkoregjimin e Ramës, Lubi Ballukut dhe Lindave të tij. Sot regjimi dëshmoi fytyrën e vërtetë. Bllokoi marshimin paqësor. Garantoj se do të ketë të gjitha përgjegjësitë që meriton.
Miq, nuk ka polici në botë që mund një popull kryengritës, ta harrojnë. Jemi në këtë betejë me moton e hershme të shqiptarëve: ja të vdesim, ja të rrojmë për liri. Asgjë në botë s’do të mund të na imponojë të pranojmë pushtetin e hajdutëve dhe kriminelëve si Rama. Të pranojmë pushtetin e një lubie të vërtetë të shqiptarëve. Hajdutë që, me vjedhjen e pasurive dhe fondeve, mjerojnë qindra mijëra shqiptarë dhe largojnë nga vendi mijëra të tjerë.
Beteja jonë është betejë për çdo qytetar shqiptar. Beteja jonë është betejë për dinjitetin e çdo shqiptari. Beteja jonë është betejë për të ardhmen e Shqipërisë. Është kryengritje kundër regjimit më të keq, kundër mafies më të rrezikshme që Shqipëria ka njohur në tërë historinë e saj.
Asgjë nuk do të mund të na mposhtë pa nisur në burg Lubi Ballukun, atje ku e ka vendin kjo hajdute e pafytyrë. Për fytyrë ka vjedhjen dhe cinizmin. Pa larguar nga pushteti dhe pa dërguar para ligjit kriminelin Edi Rama.
Ne jemi në këmbë dhe, edhe njëherë, kam mirënjohje që asgjë nuk ju dekurajoi sot, as terrori i policisë së radhës së kaluar, as propaganda, as moti. Kjo kohë do të marrë fund. Asgjë s’na mposht. Rama, dije mirë se të ardhme nuk ke. Fundi yt është i pashmangshëm.
Nëse do të ndiheshim në kurth, ne i kishim rrugët e tjera të hapura. Ne shkuam drejt aty. Nëse ai mendoi se na bëri kurth, gaboi. Ne e dinim që na kishte bllokuar rrugën, e kishim marrë vesh përpara. Asnjë kurth. Përkundrazi, kishim disa rrugë të tjera, por shkuam vetë drejt rrethimit. Por do të marrë përgjigjen e merituar. Ne kemi një strategji paqësore, siç e shikoni, por strategjia jonë është e të pamposhturve”, tha Berisha.

Tre punonjës policie kanë mbetur të dëmtuar në protestën e sotme të Partisë Demokratike.
Burime për Report Tv bëjnë të ditur se ata janë nisur për mjekim në Spitalin Ushtarak dhe fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Mësohet se efektivët janë lënduar si pasojë e hedhjes në drejtim të tyre të bombave molotovë, lëndëve piroteknike dhe sendeve të forta, nga ana e militantëve të Berishës.
Tre persona janë shoqëruar në Polici gjatë protestës së mbrëmjes së sotme, të organizuar nga Partia Demokratike.
Gjatë protestës së sotme të PD-së, u shënuan disa akte dhune, që nga sulmet me gurë drejt efektivëve, e deri te hedhja e molotovëve dhe fishekzjarrëve në drejtim të Policisë.
Sali Berisha e quajti krim të shëmtuar strategjinë e Policisë së Shtetit për të mos i lejuar militantët të marshojnë drejt bllokut të ministrive.
“Ishim në marshim paqësore, u bllokua rruga, këta do të marrin përgjigjen e merituar. Këta kanë kryer krim të shëmtuar, ne po bënim marshimin tonë, marshim paqësor. Por Edi Balluku dhe Lubi Rama vend në këtë tokë nuk kanë pa shkuar para ligjit. Ne po marshonim dhe bllokuan bulevardin. Do të përgatitemi për të gjithë format dhe u garantoj se betejën e kanë të humbur”, tha Berisha.
Një protestues i maskuar dhe me molotovë në dorë është filmuar gjatë protestës së PD-së.
Militanti është filmuar pranë ambienteve të Ministrisë së Brendshme, ku u tentua të zhvendosej protesta, por nga pamjet duket se militanti ka tentuar disa herë ta ndezë molotovin, por ka dështuar.
Gjatë protestës së sotme, janë shënuar një sërë aktesh dhune, ku nuk kanë munguar as hedhja e molotovëve dhe gurëve në drejtim të efektivëve të Policisë.
Militantët e PD vijojnë të hedhin molotovë te efektivët e policisë e te autoboti me ujë në pamundësi për të çarë kordonin e për të vijuar me marshimin. Policia i ka larguar nga rrethimi i policisë me hedhjen e ujit.
Deputetët e PD e militantët nuk kanë arritur që të depërtojnë kordonin e policisë edhe pas disa tentativave shtyrjeje. Ata kanë hedhur fishekzjarre në drejtim të efektivëve, ndërsa policia u është kundërpërgjigjur me hedhjen e ujit.
Deputeti Bledion Nallbati, Flamur Noka e militantë të Berishës janë përplasur fizikisht me kordonin e policisë që po bllokon zhvendosjen e protestës jashtë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’. Demokratët kërkojnë që t’iu hapet rruga për të vijuar me marshimin. Policia u është kundërpërgjigjur me hedhje të ujit.
Një militant i Partisë Demokratike ka shkuar pranë kordonit të Policisë te Ministria e Brendshme, duke i fryrë një vuvuzele.
Por pavarësisht përpjekjeve për të marrë një reagim nga efektivët e Policisë, kjo gjë nuk ka ndodhur.
Deputeti i PD Gazment Bardhi si dhe Flamur Noka, janë konfrontuar me efektivët e policisë që kanë formuar kordonin pranë bllokut të ministrive duke ndaluar zhvendosjen e protestës jashtë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’.
Reagimin e policisë me gaz lotsjellës e ujë drejt militantëve, Bardhi e ka konsideruar si provokim. Ndërkohë militantët në drejtim të policisë kanë hedhur moloovë, madje fare pranë tyre.
“Marshim proteste paqësore. Ne cilin vend të botës ndalohet protesta. Nga kush i merrni urdhrat? Pse provokoni? Zbatoni urdhra të paligjshëm. Shkoni arrestoni Belinda Ballukun e Edi Ramën”, iu drejtua Bardhi efektivëve të policisë.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shfaqur me maskë kundërgaz, para ambienteve të Ministrisë së Brendshme, ku është zhvendosur protesta.
Berisha shoqërohet nga badyguardët e tij, nga eksponentë të lartë të PD-së dhe nga një grup militantësh.
Pak minuta më parë, në protestë pati hedhje molotovi nga ana e militantëve të PD-së. Policia iu përgjigj me ujë dhe gaz lotsjellës.
Militantët e PD kanë hedhur molotovë në drejt kordonit të policisë duke i rrezikuar seriozisht. Nga pamjet që sjell Report Tv shihet sesi efektivët e shtyjnë molotovin drejt hapësirës boshe në bulevard, por molotovi plas në këmbët e tyre.
Militantët e Berishës kanë hedhur molotovët e parë pranë ministrisë së Brendshme. Policia u është përgjigjur me hedhjen e ujit dhe të gazit lotsjellës sapo i janë afruar kordonit të policisë, me qëllim për të mos i lejuar për të kaluar.
Drejtori i Policisë së Shtetit Skënder Hita në një deklaratë e bëri të qartë që PD ka leje për të zhvilluar protestën vetëm në bulevardin 'Dëshmorët e Kombit' dhe se në rast të shkeljes, do të ketë reagim nga policia.
Kryetari i PD Sali Berisha është parë në pjesën më të madhe të protestës i fokusuar në telefonin e tij duke u munduar të lexojë mesazhet.
Reshjet e shiut janë intensifikuar e pjesëmarrja është më e ulët se në gjithë protestat e mëparshme. Përveç burive, në sfond dëgjohet vetëm megafoni duke bërë thirrje kundër Ramës.
Ashtu siç e kishte paralajmëruar, Policia e Shtetit nuk po lejon zhvendosjen e protestës së Sali Berishës jashtë Bulevardit Dëshmorët e Kombit, ku dhe ishte thirrur nga Partia Demokratike.
Për të frenuar avancimin e protestuesve drejt bllokut të ministrive, blutë kanë krijuar një kordon të gjatë.
Pas një ore dëgjesë në bulevard me thirrje kundër Ramës me megafon, tashmë PD me në krye Berishën ka filluar marshimin. Destinacioni është Ministria e Brendshme. Theksojmë se pjesëmarrja është tepër e ulët.
Paralelisht me protestuesit, janë vënë në lëvizje dhe efektivët e policisë në gatishmëri për çdo akt dhune.

Militantët e kanë braktisur sot masivisht Sali Berishën në protestë. Në shesh shkuan vetëm një grusht prej tyre. Edhe pse nuk iu bashkuan para Kryeministrisë, militantët nuk preferuan ta ndjekin kreun e PD as në rrjetet sociale. Vetëm 360 ndjekës po e ndiqnin protestën live në Facebook-un e kryedemokratit.
Në protestën e PD është mbajtur 1 minutë heshtje për ngjarjen tragjike të ndodhur në Durrës më 3 maj ku dy të mitur të moshës 12 dhe 10 vjeç, humbën jetën pasi u përplasën me automjet nga 57-vjeçari Nikoll Radaçi.
Kreu i PD Sali Berisha ka dalë nga selia blu dhe është drejtuar tashmë drejt bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ për t’iu bashkuar pjesës tjetër të militantëve. Me daljen e Berishës, protesta konsiderohet zyrtarisht e hapur.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka inspektuar masat e marra për mbarëvajtjen e tubimit. Gjatë inspektimit, ai i ka kërkuar grupit të menaxhimit të shërbimeve policore të angazhuara me shërbim, të ruajnë qetësinë dhe të tregojnë profesionalizëm në garantimin e rendit dhe sigurisë.











