Tre Call Centera që dyshohet se kryenin aktivitete të paligjshme duke mashtruar qytetarë europianë me qëllim zhvatjen e shumave të mëdha të parave, janë goditur në një operacion gjatë ditës së sotme. Burime për Report Tv bëjnë të ditur se dy prej Call Center-ave ndodheshin në zonën pranë Kopshtit Zoologjik, ndërsa njëri prej tyre në Rrugën e Kavajës. Te rruga e Kavajës raportohet se kanë qenë 3 kate që përdoreshin si ambiente Call Center-ash për mashtrimin e qytetarëve europianë, por në dy kate, dyert kanë qenë të mbyllura ditën e sotme.

Operacioni është kryer nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, i drejtuar nga prokurorja Rovena Zoto, në koordinim me autoritetet gjermane dhe austriake, të cilat kanë qenë edhe iniciatore, duke referuar materialet që kishin në dispozicion, drejt institucioneve të vendit tonë. Hetimet kishin nisur 2 vite më parë, fill pasi autoritetet gjermane dhe austriake ndanë informacionet që dispononin me autoritetet shqiptare.

Call Centerat raportohet se kishim me dhjetëra ‘të punësuar’ (konkretisht 70 persona, kryesisht operatorë), që dyshohet se kryenin aktivitetin e paligjshëm të mashtrimit. Vetëm në Call Center-in që ndodhej te Rruga e Kavajës janë gjetur brenda gjatë operacionit 60 punonjës.

Prokuroria mësohet se ka nxjerrë 9 masa sigurie, për personat e përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm. Ndërkohë raportohet se 4 persona kanë rënë në pranga, teksa vijojnë kërkimet për të tjerët. Report Tv ka mësuar emrat e tre prej tyre, të cilët janë Eduart Dalla, Mateo Hoxha dhe Tedi Agastra. Ky i fundit ka qenë edhe më herët nën hetim, pas një operacioni kundër kriptovalutave. Ai u arrestua në vitin 2024 si pjesë e grupit të kryefinancierit të televizionit të familjes Berisha, ‘Syri Tv’, por më pas u la në detyrim paraqitje.

Gjatë operacionit të sotëm raportohet se janë sekuestruar shuma të mëdha të parave, konkretisht mbi 800 mijë euro, të dyshuara si të vëna përmes aktivitetit të paligjshëm të mashtrimit, si dhe kompjutera e pajisje të tjera që shërbenin për zhvatjen e qytetarëve europianë.

Pak kohë më parë, një tjetër operacion i madh kundër Call Center-ave u zhvillua në kryeqytet, ku u zbulua se aktiviteti i mashtrimit të qytetarëve europianë kryhej edhe në ambientet e 2 kullave luksoze në Tiranë.

EMRAT E 3 PREJ TË ARRESTUARVE
Eduart Dalla 
Tedi Agastra
Mateo Hoxha

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:21
Operacioni kundër Call Centera-ve në Tiranë/ Kush janë 3 nga të arrestuarit, njëri prej tyre pjesë e grupit të kriptove të kryefinancierit të televizionit të familjes Berisha (EMRAT)

1776115487_xtyduyi.jpg

Report Tv ka mësuar emrat e tre nga katër të arrestuarve gjatë operacionit kundër 3 Call Centerave në Tiranë, që dyshohet se zhvatnin qytetarët euopianë përmes mashtrimit.

Në pranga kanë rënë, Eduart Dalla, Mateo Hoxha dhe Tedi Agastra. Ky i fundit ka qenë edhe më herët nën hetim, pas një operacioni kundër kriptovalutave. Ai u arrestua në vitin 2024 si pjesë e grupit të kryefinancierit të televizionit të familjes Berisha, ‘Syri Tv’, por më pas u la në detyrim paraqitje.

Gjykata e Tiranës la në burg asokohe financierin e televizionit të familjes Berisha, Evis Sopi dhe anëtarë të tjerë të grupit, të cilët akuzoheshin se pastronin para përmes këmbimit të paligjshëm të kriptomonedhave, të cilat dyshohet se përdoreshin si pagesa mes grupeve kriminale.

Evis Sopi ka në pronësi një pikë këmbimi valutor “Alb-Exhange” pranë “Dollarit” në Tiranë, në të cilën hetuesit përmes infiltrimit të një agjenti këmbyen asokohe monedha virtuale dhe morën 1750 euro.

--------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë