Vetëm gjatë ditëve të fundit, SPAK ka goditur disa grupe kriminale dhe ka sekuestruar mbi 250 milionë euro pasuri, të dyshuara se vinin nga trafiku i drogës, por edhe 128 milionë euro të përfituara nga shitja e tokave (të dyshuara të tjetërsuara në mënyrë të paligjshme) ku do të kryhet ndërtimi i resortit në Zvërnec të Vlorës.
Në studion e emisionit ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, ish-prokurori Ervin Karanxha, avokati Rezart Kthupi, avokati Idajet Beqiri dhe ekonomisti Ergis Sefa kanë diskutuar për këto aksione të SPAK dhe për arsyet pse sekuestrot dhe urdhër-arrestet dolën pikërisht në këtë moment.
Për ish-prokurorin Karanxha, me ardhjen e Presidentit Trump në pushtet në SHBA, lufta kundër trafikut të drogës në mbarë botën ka marrë dimensione të tjera, duke u barazuar me luftën kundër terrorizmit.
Karanxha tha se duket se SPAK është në akordancë me zhvillimet e fundit, duke nënkuptuar protestat për ‘Zvërnecin’, teksa shtoi se paratë e trafikut të drogës po cënojnë konkurrencën e lirë në Shqipëri dhe po dëmtojnë rininë shqiptare.
Ai shtoi gjithashtu se administrimi i pronave të sekuestruara duhet të jetë shumë i kujdesshëm dhe sipas ish-prokurorit, këto prona, biznese, apo aktivitete nuk duhen lënë të degradojnë, por të vijojë administrimi i tyre normal nga shteti.
“Kemi të bëjmë me një proces hetimor që ka 6 vite, që nga viti 2020. Paratë vijnë nga jashtë në Shqipëri. Me ardhjen e Presidentit Trump, trafiku i drogës konsiderohet si akt terrorist. Kur paratë e drogës vijnë në Shqipëri, cënohet konkurrenca e lirë. Bën që të falimentojnë njerëzit e ndershëm, ata që e fitojnë paranë me djersën e ballit. Nxit edhe rininë për pasurimin e shpejtë. Mendoj se SPAK duhet të jetë në akordancë edhe me zhvillimet e fundit. Administrimi i pasurive të sekuestruara ka shumë punë. Këta njerëz duhet t’i kishte frenuar shteti pa hyrë këtu. Duhet t’i administrojë shteti dhe në rast se provohet që është para droge, konfiskohet dhe i kalon në pronësi shtetit. Administrimi i tyre s’duhet lënë në degradim”, tha mes të tjerash Karanxha.
Nga ana tjetër, avokati Kthupi tha se nëse në Shqipëri nuk do të kishte këto flukse kaq të mëdha të parave të drogës, atëherë sipas tij, do të kishte më shumë investime të huaja.
Kthupi shtoi se përfundimi i hetimeve nga SPAK në këtë moment që po zhvillohen protestat për ‘Zvërnecin’, të lë të dyshosh. Pra sipas tij, SPAK mund të jetë ‘shtyrë’ nga protestat për të përshpejtuar hetimet.
Më tej, duke folur për investimin që pritet të kryhet në Zvërnec, Kthupi tha se në thelb ai është një investim shqiptarësh, që ‘kamuflohet’ si investim i huaj.
“Po të hysh të bësh verifikimin e kompanive që do të kryejnë investimin në Zvërnec, rezulton që në fund fare investitorët janë 5 shqiptarë. Në fund fare është një investim shqiptarësh. Dhe investim shqiptarësh në një zonë shumë të lakmuar, që lidhin marrëveshje me kryeministrin për ta zhvilluar atë, lë pak hije dyshimi. Ajo që SPAK po bën sot, po tregon se aty ku janë projekte madhore, gjenden pas grupe kriminale. Ajo që ne kemi pasur problem në Shqipëri, është problemi i një modeli që s’mund të qëndrojë në këmbë në Shqipëri. Ky model, fluksi i parave të pista që futen, mban në këmbë sistemin e investimeve. Nëse ky fluks parash do mungonte, këto investime do i shikonit në një formë krejt ndryshe, me emra ndërkombëtarësh. Nëse do të futesh të shikosh, në 10 vitet e fundit, investime të huaja s’ka. Këto leje që jepen nga AZHT, janë leje që bazohen te disa grupe të strukturuara që merren me trafik ndërkombëtar droge. Sjellin në Shqipëri gjithë këto shuma parash dhe nuk investojnë me qëllimin për të rritur turizmin apo ekonominë, por investojnë me qëllimin e thjeshtë të pastrimit të parave. Sot ke një euro që nuk ka asnjë lloj shpjegimi për kursin me të cilin këmbehet sot dhe një nivel çmimesh në ndërtim që nuk ka asnjë shpjegim në raport me fuqinë blerëse që kanë shqiptarët. Përfundimi i hetimeve në një moment të caktuar kohor, do të ishte rastësia më fatlume në botë, që SPAK rastësisht ndodhi që t’i kryente këto veprime kur opinioni publik po ta kërkon diçka të tillë”, tha mes të tjerash Kthupi.
Për avokatin Idajet Beqiri, SPAK duhet të hetojë thellimet dhe të zbulojë kush fshihet pas këtyre grupeve kriminale të trafikut të drogës, pastrimit të parave dhe tjetërsimit të pronave.
Beqiri, duke marrë rastin e arrestimit të biznesmenit Ilir Shtufi, tha se pas tij qëndron djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzeni.
Shkëlzen Berisha sipas Beqirit, është ai që i sigurin lejet e ndërtimit Shtufit dhe i jep atij paratë për t’ia pastruar.
Beqiri kërkoi nga SPAK që të hetojë edhe kompanitë e mëdha që administrojë pasuritë e shqiptarëve. Ai mori rastin e Bankers Petrolium, që ka administruar për një kohë të gjatë puset e naftës në Patos-Marinzë.
Sipas Beqirit, Bankers Petrolium ka përfituar nga ky aktivitet 24 miliardë dollar dhe ‘nuk u ka dhënë asnjë dollar shqiptarëve’.
“Investitori, nëse është në mirëbesim dhe ka blerë një pronë që konsiderohet e ligjshme, ai duhet ta zhvillojë deri në fund. Sekuestrimi bëhet për ato pasuri që vijnë nga burime parashë të pista apo nga akte kriminale. Për mendimin tim duhej bërë me kohë, por shumë mirë që bëhet sot. Problemi është që Zvërneci nxori mjaft probleme. Ai ngacmim që u bë edhe ndërkombëtar, pavarësisht nga nisen dhe për çfarë qëllimesh i bëjnë... Ne na dolën të tjera gjëra në Zvërnec. Ne na doli që pasuri shtetërore, pyjet, kullotat, moçalishtet, që kanë qenë të ndërmarrjeve pyjore, ato s’mund të jepeshin me 7501-shin dhe as mund t’i jepeshin ish-pronarëve. Duke qenë të tilla, këto janë të shtetit. Do dali që janë me burim krimi, pra i ke marrë në mënyrë të paligjshme. Kam frikë se SPAK nuk po thellohet si duhet. Këta që dalin, janë ndihmësit edhe në grupin kriminal. Ka të tjerë, frymëzuesit, përfituesit, udhëzuesit. Ata ku janë, pse s’po i zbulojmë ne. E more Ilir Shtufin, e arrestove, i the që ke para të pista. Po pse Iliri është kryesori aty? E di gjithë mileti se pas Ilir Shtufit është Shkëlzen Berisha. Shkëlzeni ja merr lejet e ndërtimit atij. Shkëlzeni i jep paratë që t’i pastrojë. SPAK të mos rrijë te ndihmësit, por te rrënjët e krimit. Ka ardhur koha që SPAK nëse mendon se ky shtet duhet të pastrohet nga krimi, duhet të vejë kush janë gjërat që e kanë varfëruar këtë popull, pasi shqiptarët s’marrin pasuritë kombëtare. Mos të harrojmë që është privatizuar nafta e Shqipërisë. Vetëm Bankers Petrolium ka përfituar deri tani 24 miliardë dollarë dhe si ka dhënë asnjë dollar shqiptarëve”, tha mes të tjerash Beqiri.
Ndërkohë, për ekonomistin Sefa, aksionet e fundit të SPAK dhe ‘tronditjet’ në tregun e pasurive të patundshme, ishin të pritshme, pas vendimit të marrë vitin e kaluar nga Bordi i Guvernatorëve të Bankës së Shqipërisë, ku për herë të parë u vendos edhe ‘tavani’ për marrjen e kredive.
“Unë prisja që këtë vit të kishte një tronditje të tillë në tregun e pasurive të patundshme, për shkak të vendimit që u mor që vjet nga Bordi i Guvernatorëve të Bankës së Shqipërisë. Po të lexosh të plotë njoftimin zyrtar të SPAK, të bëjnë përshtypje detajet ekonomike që kanë hyrë. Janë përmendur sektorë të caktuar, forma e rrjedhjes së parave, lloji i sekuestrimit që është bërë, edhe shpenzimet kesh, edhe përqindja e aksioneve. Duhet të kemi një gjë parasysh, pse në këtë sektor dukej se po vlonte diçka. Banka e Shqipërisë, që vjet në prill-maj, vendosi të bënte një shkëputje të kredive që jepen për shtëpi, qoftë te personat juridikë, kompanitë, apo qoftë edhe te personat fizikë, në kuptimin e kodit civil, ne individët, pra sa mund të marrësh kredinë dhe ku është tavani. Pra për herë të parë u vu edhe tavani, që ti mund të marrësh kredi, por jo më shumë se 40% e të ardhurave mujore që ke, nëse e ke shtëpi të parë dhe jo më shumë se 35% nëse e ke pronë të dytë”, tha mes të tjerash Sefa.
Një rrjet grupesh kriminale, në trafikun e drogës dhe pastrimin e parave, i drejtuar nga Salvador Aliu që nga SPAK e cilësojnë më të fuqishmin trafikant shqiptar, është goditur këtë të martë. Paratë silleshin cash në Shqipëri dhe investoheshin në pasuri të paluajtshme. Pjesë e grupit edhe Eldi Dizdari dhe Dritan Gjika. Ndërkohë më herët, SPAK goditi grupet kriminale të Luçiano Koçekut dhe Alfredo Hamzait. Pjesë e këtyre grupeve ishin edhe biznesmeni Ilir Shtufi dhe Artur Shehu.
Komente










