Drejtësia nuk nis vetëm në sallën e gjyqit, por shumë më herët, aty ku formohen gjyqtarët dhe prokurorët e ardhshëm. Kështu deklaroi sot ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, në Konferencën Përmbyllëse të Projektit të Binjakëzimit për forcimin e Shkollës së Magjistraturës.

“Ku fillon drejtësia? Shumë do të thoshin në sallën e gjyqit. Të tjerë në Kushtetutë. Por drejtësia fillon shumë më herët: në auditorin ku formohet gjyqtari i ardhshëm dhe në klasën ku trajnohet prokurori i ardhshëm”, u shpreh Gogu duke theksuar se  cilësia e drejtësisë varet jo vetëm nga ligjet dhe institucionet, por edhe nga njerëzit që i zbatojnë ato.

Duke iu referuar zhvillimeve të fundit në procesin e integrimit europian, ministri vlerësoi se konfirmimi i IBAR-it për Shqipërinë përbën një dëshmi se reformat në drejtësi kanë prodhuar rezultate konkrete dhe të verifikueshme.

“Po kalojmë nga një fazë e reformimit të sistemit në një fazë të konsolidimit të tij; nga ndërtimi i institucioneve tek forcimi i kulturës së tyre profesionale”, deklaroi ai.

Ministri vlerësoi kontributin e Bashkimit Europian, të partnerëve nga Franca, Italia dhe Holanda, si dhe të vetë Shkollës së Magjistraturës në modernizimin e sistemit të trajnimit të magjistratëve.

Sipas tij, suksesi i projektit nuk matet vetëm me ndryshimet procedurale apo akademike, por me ndikimin afatgjatë që ai do të ketë në cilësinë e drejtësisë shqiptare.

Në përmbyllje, Gogu theksoi se besimi i qytetarëve te drejtësia ndërtohet përmes njerëzve që do ta administrojnë atë në vitet që vijnë.

“Institucionet ndërtohen me ligje. Por besimi ndërtohet me njerëz. Dhe njerëzit që do të mbajnë mbi supe drejtësinë shqiptare të viteve që vijnë po formohen pikërisht këtu, në Shkollën e Magjistraturës.”