LONDËR - Arsenali humbi 0-2 në shtëpi me Newcastle për ndeshjen e parë gjysmëfinale mes tyre në EFL Cup, ose e njohur edhe si Carabao Cup. "Qymyrxhinjtë" ndodhen me "një këmbë"në finale, teksa Arsenali do provojë të përmbysë gjithçka në ndeshjen e kthimit në udhëtim më 5 shkurt.
Pjesa e parë në "Emirates" u mbyll me një gol. Ishte Isak në minutën e 37-të që shënoi pas një aksioni të bukur dhe një kontrolli brilant nga Murphy. Kur pritej reagimi i vendasve, sërish Newcastle me Gordon shënoi edhe golin e dytë në fillimin e pjesës së dytë.
Arsenal u ndal te shtylla dhe duhet të ngushëllohet me faktin se vlen edhe një tjetër ndeshje për të mësuar finalistin e Kupës Carabao. Ndërkohë që këtë të mërkurë luhet ndeshja e parë gjysmëfinale mes Tottenham dhe Liverpool.