Kryediplomati Silvio Gonzato zgjodhi si simbolikë të veçantë, telat me gjemba për të përçuar mesazhin e fortë për Qeverinë: Së pari duhet një vend kujtese për jetët e humbura; Së dyti, drejtësi për ta dhe familjet e tyre; Së treti, dëmshpërblim për të mbijetuarit, sepse dëmshpërblimi është një mënyrë konkrete për të njohur vuajtjen e shkaktuar nga komunizmi.

***

Kanë kaluar 53 vite nga revolta antikomuniste e Spaçit, kur të burgosurit politikë u ngritën kundër torturave dhe terrorit të diktaturës komuniste.

Sot krimet e komunizmit nuk janë zbardhur. Eshtrat e të zhdukurve nuk janë gjetur. Të mbijetuarit, tashmë në moshë të thyer, nuk marrin pensione suplementare.

Ethem Fejzullahu, ish-i dënuar politik tha se “sot, pas 35 vitesh, ende nuk janë gjetur eshtrat. Është krim shtetëror.”

Ndërsa Xhavit Lohja shton se “autoritetet duhet të mendojnë për të përsekutuarit, të marrim pension suplementar ne që jemi ende gjallë.”

Në ceremoninë përkujtimore mori pjesë, ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, i cili zgjodhi të përçojë një mesazh të fortë për Shqipërinë, pas telave me gjëmba.

“Gjëja e parë që duhet bërë është të sigurohet një vend për të përkujtuar dhe për të mos harruar! Për të kujtuar jetët e humbura dhe heroizmin e atyre që mbijetuan. Sepse kujtesa, ruajtja e kujtesës, është një vlerë themelore njerëzore.

Është hera e parë që ky vend, i cili ende jehon vuajtjet e atyre që u mbajtën të izoluar këtu, po rikthehet në jetë.

Këta njerëz meritojnë drejtësi dhe meritojnë të vërtetën. Ata që humbën familjarët e tyre duhet të dinë se ku ndodhen këta njerëz.

Megjithëse nuk mund të ketë asnjë kompensim që ta shlyejë atë që iu shkaktua njerëzve këtu në Spaç  dhe në shumë vende të tjera në Shqipëri, kompensimi nuk është thjesht pak para por është njohje e vuajtjes që iu shkaktua këtyre njerëzve”, u shpreh   Silvio Gonzato, ambasador i BE-së në vendin tonë.

Kryetari i Bashkisë së Mirditës, Albert Mëlyshi, i cili vjen nga familje e persekutuar, tha se ish-burgu i Spaçit duhet të kthehet në muze dhe historia e tij të përfshihet në tekstet shkollore.

“Asnjëherë nuk e kisha menduar se mund të kishte turizëm për tmerret e komunizmit, por kam kuptuar se ky vend duhet të kthehet në një pelegrinazh të përvitshëm. Fatkeqësisht, në librat e shkollës nuk kemi pothuajse asgjë të shkruar për të. E shkuara nuk duhet harruar, sepse përndryshe mund të përsëritet”, u shpreh Mëlyshi.

Zv/ministrja e Kulturës si dhe drejtuesja e Autoritetit t¡ Dosjeve premtuan më shumë angazhim për dokumentimin e krimeve te komunizmit.

“Do të ngrihet një bord për të folur më shumë për këtë hapësirë, e cila sa herë vizitohet sjell emocione të tjera. Ne duhet të sjellim sa më shumë qytetarë dhe turistë këtu”, tha Lira Pipa, zv/ministre e Kulturës.

“Në Autoritetin e Dosjeve kemi nxjerrë koleksionin e plotë për të burgosurit politikë, kemi marrë 70 dëshmi dhe do të vijojmë me mbledhjen e dëshmive të tjera”, thekson Gentiana Sula, drejtuese e Autoritetit të Dosjeve.

Me thirrjet “Poshtë komunizmi” dhe “E duam Shqipërinë në Europën e lirë”, më 21 maj 1973, të burgosurit u ngritën kundër dhunës së gardianeve, ndaj bashkëvuajtësit të tyre, Pal Zefi, duke marrë për tri ditë nën kontroll kampin. Revolta u shtyp me forcë nga regjimi komunist, ndërsa të rinjte, Pal Zefi, Dervish Bejko, Skënder Daja dhe Hajri Pashaj u ekzekutuan më pas në shenjë hakmarrjeje.