Menjëherë pas grabitjes se rreth 2.5 milionë eurove, Policia e Shtetit i ka hequr licencën kompanisë private të sigurimit Jaguar.
 
Gjithashtu mëngjesin e sotëm Policia e Tiranës ka arrestuar një tjetër punonjës të kësaj kompanie private.
 
Fatmir Gapi, drejtues Teknik i Jaguar Security është arrestuar pasi akuzohet se ka shpërdoruar detyrën, gjatë transportit të lekëve të një banke të nivelit të dytë.
 
Në këtë mënyrë shkon në gjashtë numri i personave të arrestuar për grabitjen e ditës së djeshme, pasi më herët janë arrestuar edhe 5 punonjësit që bënin transportin e lekëve.
 
Gjithashtu Report TV mëson detaje të reja nga grabitja.
 
Në momentin që grabitësit kanë qëlluar makinën i kanë kërkuar njërit prej rojeve të sigurisë t'i japë çelësat për të hapur blindin.
 
Në atë moment roja u ka thënë se çelësat i ka një makinë e cila po vjen rrugës, pikërisht në këtë moment ata kanë nxjerrë një sharrë që përdoret për dru dhe kanë prerë derën e pasme të makinës të përshtatur si blind.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com