Filma të krijuar me inteligjencë artificiale dhe prodhime në realitet virtual janë pjesë e rreth 100 filmave ndërkombëtarë që po shfaqen në Korçë në kuadër të “KO:SH Film Fest” në kinema dhe në Galerinë e Arteve Digjitale, ndërsa nuk mungojnë as programet e dedikuara edhe për fëmijët.
“Përtej risive teknologjike, në fokus janë edhe temat sociale, shkatërrimi i natyrës, lufta dhe ruajtja e kujtesës. Festivali çelet për herë të parë me një film të gjatë, që përcjell mesazhin se problemet dhe ngjarjet e së shkuarës nuk duhen harruar.”, tha drejtori i festivalit, Gledis Bica.
Një hapësirë të rëndësishme zënë edhe filmat shqiptarë. Krahas prodhimeve në konkurrim, këtë vit është krijuar një seksion i veçantë për filmat vendas jashtë konkurrimit, ndërsa interesi i kineastëve të rinj për filmin e shkurtër vijon të rritet.
“Këtë vit ne kemi bërë dhe një seksion më vete me filmat shqiptarë jashtë konkurrimit. Ishin disa filma të mirë që ne i vlerësuam që duhet të shfaqeshin dhe vendosëm të bëjmë një kompeticion një një grupim më vete. Po, ka rritje të filmave shqiptarë.”, tha Bica.
Për vizitorët e huaj, festivali është edhe një mundësi për të zbuluar histori dhe perspektiva të reja përmes filmit.
“Filmi ishte shumë i bukur, i thellë, me një pikëvështrim dhe perspektivë shumë unike. Jam e surprizuar nga këta filma të shkurtër.”, tha Anna Shnaidman.
KO:SH Film Fest vijon të sjellë në Korçë krijues e spektatorë nga vende të ndryshme të botës, duke e kthyer qytetin në një hapësirë takimi për artin dhe kinematografinë bashkëkohore.







Komente
Komento