Dorëzimi i një kutie të mbushur me euro, paund dhe dollarë amerikanë në shtëpinë e Fation Xhyliut, është shoqëruar me një bisedë të koduar mes Avdulajt dhe ish-policit privat të “Ro-Gat”.

Avdulaj ka shkuar në banesën e policit në Lushnjë dhe prej këtej e ka telefonuar “informatorin” duke i thënë “…kam ardhur tek shtëpia jote në fshat në Lushnjë, a ta marr një pulë këtu tek shtëpia jote…”.

Ndërkohë nga ana tjetër, Xhyliu mësohet ti jetë përgjugjur “Merre”. Kjo ishte parrulla që dy këta persona kishin vendosur për të lënë sasinë e lekëve, në shtëpi.

Pas kësaj Xhyliu ka lënë punën tek kompania “Ro-Gat” dhe është kthyer në fshatin e tij në Lushnjë, ku ka marrë sasinë e eurove dhe dollarëve, duke filluar ti thyejë ato në disa pika exchange.

Pas spiunimit, Xhyliu iku luajti me letra
Më datë 3 dhjetor 2015, Fatjon Xhyliu ka qenë tek oborri i kompanisë “Ro-Gat Security”, kur ka dëgjuar shoferin e blindit, duke thënë “…kush do të vijë me mua sot në Rinas…”. Ora ka qënë rreth 12 e paradites.

Pasi ka marrë vesh për rrugën që ishte gati të bëhej, shtetasi Fation Xhyliu i ka nisur mesazhin shtetasit Neim Avdulaj, duke i shkruar “…makina po del tani prej parkut…”. Ndërkohë shtetasi Ditjon Memlikaj ka qenë në një detyrë tjetër brenda në Tiranë, duke lëvizur me ngarkesën e një banke tjetër.

Pas nisjes së mesazhit, Xhyliu ka fikur telefonin dhe ka shkuar të luajë me shokët me letra. Rreth orës 14:00 të kësaj date, përgjegjësi i grupit, i ka thënë të merrnin pajimet dhe të shkonin me të, pa i lajmëruar se çfarë kishte ndodhur. Pasi ka shkuar në Qafë-Kashar, shtetasi Fation Xhyliu mësoi që vjedhja ishte mundur të realizohej dhe personat ishin larguar me paratë e marra nga blindi.

“A të marr një pulë këtu tek shtëpia”
Rreth mesit të muajit Dhjetor 2015, ora 06:00, shtetasi Fation Xhyliu është kontaktuar prej Neim Avdulajt në telefonin e tij dhe ai i ka thënë “kam ardhur tek shtëpia jote në fshat në Lushnjë, a ta marr një pulë ketu tek shtëpia jote”. Fation Xhyliu i është përgjigjur “merre”, dhe më pas ka fikur telefonin. Ky ishte sinjali që Neim Avdulaj kishte vendosur me Fation Xhyliun, për të lënë të hollat që i takonin nga vjedhja me armë e ndodhur. Shuma nuk ka qenë e përcaktuar, por ajo do të kushtëzohej nga sasia e të hollave të vjedhura.

Largimi nga puna me 100 mijë euro në shtëpi
Po në të njëjtin muaj, pra në dhjetor 2015, shtetasi Fation Xhyliu është larguar nga “Ro-Gat Security”, dhe është kthyer në fshat, ku ka marrë vesh nga babai se Neim Avdulaj i kishte lënë një porosi për të, duke i dhënë një kuti dhe duke e porositur ta mbulonte diku, t’ja jepte më pas Fationit kur të vinte, pasi ai e di çfarë është.

Pasi e ka marrë kutinë, shtetasi Fation Xhyliu shpjegon se ka parë në të një sasi të hollash, të cilat ishin 48.000 paund dhe 25.000 USD si edhe kartmonedha të tjera në valutë të huaj. Sipas llogarisë shuma kapte vlerën e 100.000 euro, apo edhe pak më shumë. Më pas, rreth muajit Mars 2016, shtetasi nën hetim ka filluar të këmbejë të hollat në disa pika këmbimi valuator, në Lushnjë dhe Fier, duke detajuar shumat dhe vendet. Një pjesë e parave të grabitura janë shpenzuar për të riparuar shtëpinë në Lushnjë dhe Tiranë, si edhe duke marrë me qira një dyqan parukerie ku punon bashkëshortja e tij.

Pjesën tjetër të të hollave, shtetasi Fation Xhyliu i ka fshehur në banesën e tij në fshat, në dyshemenë e katit të dytë, poshtë dërrasave. Me proces-verbalin e sekuestros të datës 12 shkurt 2017, në banesën e shtetasit Fation Xhyliu, në Ngurrez Lushnjë, në katin e dytë të saj, në dyshemenë, poshtë disa dërrasave të improvizuara si parket, u sekuestruan dhe administruan në cilësinë e provës materiale, një sasi të hollash, të cilat në total janë 48 copë kartmonedha të prerjes 100 euro, 1430 copë kartmonedha të prerjes 20 pound.

Dosja e dy grabitjeve i kalon krimeve të rënda
Për shkak se, në të dy ngjarjet e ndodhura, ka dyshime të arsyeshme se autorët e tyre janë të njëjtët shtetas, u çmua e domosdoshme që materialet e mesipërme të bashkohen në një procedim të vetëm, që bën fjalë për vepren penale të “vjedhja me armë”,në ngarkim të shtetasve Fation Xhyliu, Ditjon Memlika, Neim Avdulaj dhe Ernest Kupa.

Përveç kësaj, nga studimi i materialit hetimor kanë rezultuar elementë të “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Veprime në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”. Gjatë seancës së vendosjes së masës shtrënguese në gjykate, ka rezultuar se këta persona, por edhe shtetas të tjerë të paidentifikuar deri në këtë moment të hetimit, kanë marrë pjesë, si edhe kanë krijuar, organizuar dhe drejtuar një grup, i cili për nga karakteristikat e funksionimit të tij, paraqitet si i strukturuar kriminal.Këtu duhet patur parasysh pikë së pari fakti që, shtetasit e përfshirë në ngjarje, janë mes tre dhe më shumë personash.

Në rastin konkret, konstatohet se bashkëpunimi në kryerjen e veprave penale, ka patur qëllim për përfitime materiale, të shoqëruar me një organizim dhe strukturë të caktuar. Këtu, duhet mbajtur parasysh shuma e të hollave të vjedhura në të dy ngjarjet, por nga ana tjetër, dëshmitë e shtetasve, shoqëruar me provat materiale të sekuestruara, tregojnë për një organizim të grupit, me role të përcaktuara qartë.
 
Neim Avdulaj ishte ndërlidhësi
Fation Xhyliu dhe Ditjon Memlika, në episodin e parë, por edhe Ditjon Memlika, në episodin e dytë, kanë përcjellë informacionin tek shtetasi Neim Avdulaj, duke qënë në këtë mënyrë në rolin e ndihmësve. Ky i fundit ka shërbyer si ndërlidhës, në ngjarjen e parë, mes shtetasve Fation Xhyliu dhe Ditjon Memlika nga njëra anë dhe ekzekutorëve nga ana tjetër.

Nëersa në ngjarjen e datës 9 shkurt 2017, shtetasi Neim Avdulaj dhe Ditjon Memlika dyshohet se kanë siguruar dhe më pas kanë përcjellë informacionin e nevojshëm tek ekzekutorët të veprës penale. Veçanërisht shtetasi Neim Avdulaj, dyshohet se në të dyja episodet, ka bërë bashkërendimin e punës, para dhe pas kryerjes së veprës penale, gjë që kthen këtë shtetas në rolin e organizatorit.

Gjithashtu, shtetasi i ndaluar Ernest Kupa dyshohet të ketë vepruar në rolin e ekzekutorit. Në këtë rol,dyshohet të ketë dhe persona të tjerë. Pra, i gjithë grupi paraqitet me një nivel të lartë organizimi, duke patur mes anëtarëve të tij një ndarje të qartë detyrash dhe rolesh, atë të organizatorit, ekzekutorit dhe ndihmësit.
 


dy.b/shqiptarja.com