Ministri grek i Ekonomisë, Georges Stathakis u shpreh optimist për një marrëveshje deri në fillim të javës së ardhshme mes Greqisë dhe kreditorëve.
"Mendoj se deri në fillim të javës së ardhshme ne do të kemi një marrëveshje me kreditorët mbi listën e reformave të propozuara nga qeveria greke dhe mbi dhënien e fondeve", theksoi ministri për stacionin televiziv "Antenna".
Mbetur pa para, Greqia është nën presion për arritjen e një marrëveshjeje me kreditorët deri në muajin prill dhe për të siguruar një pjesë të këstit të kredisë prej 7,2 miliardë eurosh që i mbetet për të marrë nga Bashkimi Evropian para se arkat e shtetit të boshatisen plotësisht.
Kreditorët i kanë bërë të ditur qeverisë së re greke të të majtës radikale të Aleksis Cipras, se 7,2 miliardë eurot do të jepen vetëm pas angazhimit të Athinës për të ndërmarrë reforma konkrete./atsh/