Një greke 54-vjeçare ka sjellë në jetë një bebe nga një embrion i ngrirë prej 22 vitesh, pasi kishte humbur djalin 21-vjeçar që e kishte lindur falë fekondimit artificial.
“Për Christina Rapti-Tzelepi, kjo lindje ka sot një domethënie të fortë emocionale”, deklaroi në Facebook gjinekologu Konstantinos Pantos i një klinike private në Athinë.
“Në vitin 2004, pas transferimit të një embrioni, ajo solli në jetë një djalë krejtësisht të shëndetshëm që në përpjekjen e parë”, shpjegoi ai. Por në tetor 2025, djali i saj vdiq në një aksident rrugor në moshën 21-vjeçare.
“Një dhimbje dhe një gëzim”
Të mërkurën, Rapti-Tzelepi solli në jetë një vajzë pas transferimit, në dhjetor të vitit të kaluar, të një embrioni nga e njëjta seri embrionesh të ruajtura si ai që ishte përdorur për lindjen e djalit të saj, tha mjeku. Nëna është 54 vjeçe, që është mosha maksimale e lejuar në Greqi për t’iu nënshtruar fekondimit in vitro.
“Pati njëkohësisht edhe dhimbje edhe gëzim, por gjithçka u zhduk këtë mëngjes kur mbajtëm mrekullinë tonë në krahë”, deklaroi zonja Rapti-Tzelepi për televizionin ERT.
Bashkëshorti i saj shpjegoi se familja ishte përfshirë në “një garë të vërtetë me kohën” për ta çuar shtatzëninë deri në fund. Ai bëri thirrje për heqjen e kufirit kombëtar të moshës për IVF.
“Gratë më të mëdha në moshë kanë një aftësi të paçmuar për të ofruar një dashuri të pjekur, të ndërgjegjshme dhe të pakushtëzuar, si edhe një stabilitet që asnjë statistikë nuk do të mund ta masë kurrë plotësisht”, u shpreh ai në një deklaratë.











Komente
Komento