TIRANË- Grushti i dështuar i shtetit i 14 shtatorit 1998 i udhëhequr nga Sali Berisha, në atë kohë kryetar i PD, i mbetur në memorie si përpjekja e armatosur për përmbysjen me dhunë të pushtetit, tashmë ka përfunduar në dorën e SPAK. Një kallëzim penal është depozituar më 15 tetor në Prokurorinë e Posaçme nga avokat Idajet Beqiri që akuzon Berishën dhe 9 të tjerë për 4 vepra penale nga kryengritje të armatosur deri në organizatë kriminale.
"Në 14 shtator 1998, Partia Demokratike dhe kryetari i saj, Sali Berisha, kryen një Kryengritje të armatosur dhe disa akte terroriste. Një akt kriminal për ata që e përgatitën dhe e realizuan, traumatizues për shoqërinë shqiptare, i dhimbshëm për të gjithë ne që e përjetuam, i turpshëm për institucionet e shtetit tonë që nuk ishin në gjendje ta parandalonin dhe, kur ndodhi, ta shtypnin me forcën e ligjit", thuhet në kallëzim.
Avokati Idajet Beqiri ka risjellë në vëmendje një seri ngjarjesh që i paraprinë sulmi të armatosur të 14 shtatorit 1998, një përpjekje e dështuar për grusht shteti, një vit pasi Partia Demokratike kishte humbur pushtetin dhe, dy ditë pas vrasjes së ish-deputetit Azem Hajdari. PD pushtoi me grupe të armatosura për disa orë Kryeministrinë, RTSH, Gjykatën Kushtetuese, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Kulturës, ndërsa një granatë u hodh në zyrën e kryetarit të Kuvendit, Skënder Gjinushi. Beqiri i bën thirrje SPAK të hetojë, duke theksuar se grushti i shtetit nuk ishte një ngjarje spontante që u krijua vetëm 2 ditë pas vrasjes së Hajdarit, por ishte planifikuar në mënyrë perfekte nga Sali Berisha prej të paktën 1 viti me radhë.
“Grushti i Shtetit i 14 shtatorit 1998 nuk ishte akt spontan, një shpërthim emocional i revoltës së militantëve të Partisë Demokratike pas vrasjes së deputetit Azem Hajdari. Ai u përgatit me shumë kujdes e për një kohë të gjatë, në çdo detaj të tij”, shkruan në kallëzimin e tij avokati Beqiri sipas të cilit “një varg qëndrimesh e veprimesh destruktive të Partisë Demokratike dhe të liderit të saj, Sali Berisha, nga momenti i humbjes së pushtetit e deri në pragun e grushtit të shtetit, përbëjnë etapat e zhvillimit të tij”
Në kallëzim ai rendit disa nga këto etapa, që nga përpjekjet për destabilizim pak ditë pas fitores së zgjedhjeve nga socialistët në qershor të vitit 1997, tentativën e mëpasshme të Leka Zogut, i dalë i humbur nga referendumi për monarkinë, për të hyrë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që përfundoi në një përplasje me armë, apo dhe një seri aktesh kriminale në pjesë të ndryshme të vendit në muajt që pasuan.
“Në pasditen e datës 22 shkurt 1998, në Shkodër u bë një minigrusht shteti. Një grup i armatosur sulmoi Drejtorinë e Policisë së Shkodrës. Pasi liroi tridhjetë e pesë të burgosurit që ndodheshin në ambientet e saj, i vuri zjarrin ndërtesës”, dëshmon avokat Beqiri, sipas të cilit me ndihmën e kontingjenteve kriminale “ata vendosën kontrollin e tyre mbi institucionet dhe qytetin. Disa nga figurat kryesore të saj-aktivistë të njohur të Partisë Demokratike synuan që, pasi të merrnin në dorë Shkodrën, të kërkonin dorëheqjen e Qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme”, shkruhet në kallëzim.
“Objektivi kryesor i Strategjisë së Partisë Demokratike ishte destabilizimi i vendit. Politika e saj e mosbindjes civile e kishte kthyer vendin në gjendje lufte. Partia Demokratike dhe lideri i saj, Sali Berisha, kërcënonin hapur shtetin me krahun e saj ushtarak”, shkruhet në kallëzim, sipas të cilit “hetuesit e grushtit të shtetit të 14 shtatorit 1998 konstatuan se në Partinë Demokratike ekzistonte një department i veçantë që quhej ”Departamenti i Sigurisë Kombëtare”, i cili përbëhej nga ish-drejtues të Gardës, SHIK-ut, të Rendit, të Ushtrisë”.
Ngjarjet e 14 shtatorit 1998 pasuan vrasjen dy ditë më parë, pranë selisë së partisë, në zemër të kryeqytetit, të Azem hajdarit, një prej figurave me peshë në Partinë Demokratike. Sipas avokatit Beqiri “vrasja e Azem Hajdarit nuk erdhi vetvetiu dhe papritur, por atë e solli i interesuari (Sali Berisha) për të gjetur "shkëndinë" e ndezjes së flakës së Kryegritjes së armatosur dhe grushtit të shtetit, që kishte kohë që kishte filluar nga rrethet, drejt Tiranës.
Në kallëzim jepet një përshkrim i detajuar i sulmit të armatosur të militantëve të Partisë Demokratike, të cilët zgjodhën të godisnin fillimisht kryeministrinë ndërsa mbanin mbi supe arkivolin e Azem Hajdarit. Një sulm që u përhap dhe përfshiu një numër të madh institucionesh, pushtimin e Radio Televizionit Publik, rrëmbimin e tankeve në Gardë. Sali Berisha tërhoqi grupet e armatosura mbrëmjen e 14 shtatorit 1998 pas një ultimatumi të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili dënoi grushtin e shtetit dhe deklaroi se nuk njihte pushtet që dilte nga dhuna.
“Fakte të shumta flasin se në pragun e grushtit të shtetit ka pasur një marrëveshje midis Partisë Demokratike dhe kuadrove drejtuese të policisë në qendër dhe drejtuesve të komisariateve të policies së Tiranës e të rretheve, Gardës së Republikës dhe SHIK-ut.”, shkruhet në kallëzimin dorëzuar SPAK-ut. Sipas avokatit Beqiri “me këtë shpjegohet që forcat e tyre, të ngarkuara për mbrojtjen e institucioneve, braktisën detyrën dhe nuk iu kundërvunë grushtit të shtetitdhe nxjerrjen e tyre në bulevard, për të përfunduar në bastisjen dhe grabitjen e bizneseve në Tiranë”.
Në tekstin e kallëzimit përshkruhet dhe dështimi i institucioneve të atëhershme të drejtësisë për ta hetuar grushtin e dështuar të shtetit, falë dhe trysnisë politike duke penguar përpjekjet e prokurorëve, dhe më pas duke bërë që dhe ajo që nisi me disa arrestime, të arkivohej pas disa vitesh.
Për 14 shtatorin, në të cilin u sulmuan institucionet nuk ka asnjë të shpallur fajtor, as për protestuesin e vrarë në datë 13 shtator dhe as për dëmet e shkaktuara nga djegia e dhjetëra makinave para Kryeministrisë, grabitjet e dhjetëra bizneseve, por edhe plagosjet e komandantit dhe zëvendëskomandantit të Gardës së Republikës.
“Në 14 shtator 1998, Partia Demokratike dhe kryetari i saj, Sali Berisha, kryen një Kryengritje të armatosur dhe disa akte terroriste”, shkruan në kallëzim avokati Beqiri, duke I bashkangjitur emrit të Berishës dhe 9 emra të tjerë si Genc Pollo, Ritvan Bode, Shaban Memia, Pal Dajci, Ekrem Spahia, Frrok Gjini, Dem Dollapi, Alfons Zeneli, Artur Bejzade etj të cilët thotë ai, duhet të hetohen për kryerjen e veprave penale të “Kryengritjes së armatosur”, “Vepra me qëllim terrorist”, “Organizata kriminale”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”
Avokati shkruan se “SPAK, megjithëse u krijua pikërisht për të hetuar dhe ngritur akuza ndaj krimeve të tilla të rënda që kishin ndodhur në Shqipëri, por që nuk ishin ndëshkuar nuk ka rregjistruar një procedim penal dhe nuk ka bërë hetime ndaj organizatorëve të veprave” duke shtuar se “autorët e tij nuk janë fantazma, por aktivë në politikën e sotme shqiptare. Ata vazhdojnë të flasin për marrjen e pushtetit me “revolucion”.

Kryengritja e armatosur e PD-së më 1998
Përmes kallëzimit penal të dorëzuar në SPAK, avokati Idajet Beqiri ka paraqitur me detaje kronologjinë e kryengritjes së 14 tetorit të udhëhequr nga Sali Berisha dhe zyrtarët e PD, për të cilët tashmë kërkon nisjen e hetimeve.
Më 14 shatator 1998, grupet e armatosura të Partisë Demokratike pushtuan të gjithë institucionet e shtetit shqiptar, me përjashtim të Ministrisë së Brendshme, e cila ishte sulmuar me armë në 13 shtator nga 40 persona të armatosur. U pushtuan dhe u plaçkitën Kryeministria, Kuvendi dhe ministritë e tjera. Një granatë u hodh në zyrën e Kryetarit të Kuvendit Skënder Gjinushit, u rrëmbyen disa tanke të Gardës, ndërsa atë ditë iu bë një atentat me armë ministrit të Brendshëm, Perikli Teta. Sali Berisha tërhoqi grupet e armatosura mbrëmjen e 14 shtatorit 1998 pas një ultimatumi të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili dënoi grushtin e shtetit dhe deklaroi se nuk njihte pushtet që dilte nga dhuna.
Më poshtë, Shqiptarja.com iu sjell të lexoni kronologjinë e plotë të grushtit të shtetit që përshkruhet në detaje në kallëzimin e avokatit Idajet Beqiri.
***
Pjesë nga kallëzimi në SPAK ku përshkruhet kronologjia e kryengritjes së armatosur së 14 shtatorit 1998
Në ora 00:30 të datës 13 shtator 1998 jep një konferencë shtypi në selinë e Partisë Demokratike, kryetari i saj, Sali Berisha. Akoma pa folur organet kompetente, pra, Ministria e Rendit dhe Prokuroria, ai u deklaron gazetarëve se “Azemin e vrau Nano dhe Sllobodani”.
Në mëngjesin e datës 13 shtator 1998 para selisë së Partisë Demokratike mblidhen me qindra simpatizantë të saj për të protestuar për vrasjen e deputetit Azem Hajdari. Partia Demokratike filloi që ta shfrytëzonte ngjarjen për të rritur zemërimin e militantëve kundër Qeverisë, me qëllim që ta përdorte për zhvillimin e grushtit të shtetit që kishte planifikuar. Azem Hajdari gëzonte autoritet tek anëtarët e militantët e Partisë Demokratike, për rolin në demonstratat e studentëve në dhjetor të vitit 1990, që çuan në rrëzimin e diktaturës.
Në ora 10.00 të datës 13 shtator 1998, Sali Berisha jep një konferencë tjetër shtypi në selinë e Partisë Demokratike. Këtë herë fjalët e tij në këtë konferencë më shumë se gazetarëve, i drejtoheshin militantëve të Partisë Demokratike që ishin mbledhur para selisë së saj. Për këtë qëllim një altoparlant që ishte vendosur në ballkonin e selisë së Partisë Demokratike transmetonte fjalët e tij në konferencën e shtypit. Sali Berisha iu drejtohet emocioneve të turmës, sentimenteve e jo mendjes së tyre, me fjalët : “Kemi të dhëna që zëdhënësi i kryeministrit Fatos Nano ka përgëzuar sot vrasësin në emër të Nanos. Vrasësi është Fatos Nano. Ai ka vetëm 24 orë kohë. Nëse nuk jep dorëheqjen, ne nuk mund t’i përmbajmë turmat”.
Turma e irrituar nga fjalët e Sali Berishës fillon në kor të bërtasë “Vdekje Fatos Nanos!” ... Vet Sali Berisha, pas konferencës së shtypit, kishte dalë në ballkonin e selisë së Partisë Demokratike, dhe brohoriste bashkë me turmën: “Vdekje Fatos Nanos!”.
Në datën 13 shtator 1998, aktin kriminal të vrasjes së deputetit Azem Hajdari e dënoi Partia Socialiste dhe partitë e Aleancës për Shtetin, si edhe gjithë spektri politik shqiptar.
Në ora 10.00 të mëngjesit të datës 13 shtator 1998 Këshilli i Ministrave zhvillon një mbledhje tjetër rreth ngjarjes, për t’u njohur me zhvillimet e reja dhe për të përcaktuar masat për përballimin e saj. Qeveria bëri thirrje për qetësi dhe siguronte anëtarët e Partisë Demokratike dhe popullin shqiptar se “organet e rendit e të Prokurorisë po bënin punën e tyre për identifikimin e vrasësve dhe vënien e tyre para drejtësisë”.
Turma e karikuar dhe e irrituar e militantëve të Partisë Demokratike nuk donin të dëgjonin asgjë tjetër përveç fjalëve të liderit të tyre, Sali Berisha, se “vrasësi i deputetit Azem Hajdari ishte Fatos Nano…”. Me thirrje lufte, turma e ndezur nga fjalët e liderit të saj Sali Berisha, duke brohoritur në kor “Poshtë Fatos Nano”, nisen për të protestuar para ndërtesës së Këshillit të Ministrave.
Në krye të protestës ishte njëri nga drejtuesit kryesor të Partisë Demokratike, anëtari i kryesisë së saj, ish kryetari i Kuvendit Popullor, Pjetër Arbnori. Rrugës demonstruesit sulmojnë Ministrinë e Rendit. Pasi dështojnë në përpjekjet e tyre për ta marrë, djegin e shkatërrojnë makinat që ndodheshin të parkuara para Ministrisë së Rendit dhe godasin me sende të forta xhamat e ndërtesës.
Më pas turma e militantve të Partisë Demokratike vazhdojnë rrugën drejt godinës së Kryeministrisë.
Kur turma arriti para godinës, duke bërtitur “Vdekje Fatos Nanos!”, mbledhja e Qeverisë, që vazhdonte akoma punimet, ndërpritet dhe ministrat largohen me ngut nga dalja anësore e godinës. Turma e armatosur e demonstruesve fillimisht iu vuri flakën makinave që ndodheshin të parkuara para godinës.
Më pas sulmojnë godinën e Kryeministrisë, duke përdorur armët dhe bëjnë përpjekje të futen në ambientet e saj. Ushtarët e Gardës së Republikës dhe policët që ndodheshin akoma në shërbim të saj, bëjnë përpjekje ta mbrojnë. Në këtë konfrontim vritet një nga demonstruesit dhe plagosen disa të tjerë nga të dy palët. Mbrojtësit e godinës tërhiqen.
Turma e militantëve, që sipas shtypit të kohës ishin rreth 1500-2000 vetë, arrin të futet në katin e parë të godinës, ku dhunojnë zyrat dhe ambientet e saj. Më pas, duke parë rezistencën e forcave të gardës dhe policisë që mbronin katet e sipërme të Kryeministrisë, u tërhoqën. Kjo ishte prova gjenerale para grushtit të shtetit që do të zhvillohej të nesërmen. Mbasditja e 13 shtatorit në përgjithësi ishte e qetë, por ndihej pezull tensioni i furtunës që po përgatitej për datën 14 shtator 1998.
Në mëngjesin e datës 14 shtator 1998 fillojnë të vijnë militantët e Partisë Demokratike nga rrethet.
Autobusët e tyre rrethojnë sheshin “Skënderbej”, ku do të zhvillohej ceremonia mortore e deputetit Azem Hajdari. Ceremonia filloi në ora 11. Në krye të saj lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Ajo u karakterizua nga thirrje lufte kundër Qeverisë dhe kryetarit të saj Fatos Nano, që edhe në këtë miting Berisha e quajti vrasësin e deputetit Azem Hajdari.
Pas ceremonisë mortore, turma e paramilitarëve dhe militantëve fanatikë të Partisë Demokratike, rreth 3000 vetë, pjesëmarrës në ceremoninë mortore, me arkivolin me trupin e Azem Hajdarit në supe, në vend që të shkonin në varrezat e Sharrës, ku do të prehej trupi i tij, marshojnë me të në krah, drejt selisë së Këshillit të Ministrave. Ishte pjesë e planit për realizimin e grushtit të shtetit. Lideri i tyre, Sali Berisha, i kishte dhënë vetëm 24 orë kohë Fatos Nanos dhe Qeverisë së tij për të dhënë dorëheqjen.
Në krye të paramilitarëve e turmës së militantëve fanatikë të Partisë Demokratike, ishin drejtuesit kryesorë të saj, me përjashtim të Berishës që pas ceremonisë u kthye në zyrë, ku ndodhej shtabi operativ që udhëhiqte sulmin kundër institucioneve të shtetit. Gjatë rrugës drejt godinës së Këshillit të Ministrave, kur iu afruan Ministrisë së Rendit, sulmuan repartin 324 pranë saj dhe grabitën 100 automatikë, mitraloza dhe granata, me të cilat u armatos pjesa tjetër e militantëve të Partisë Demokratike që po marshonin drejt Kryeministrisë.
Rreth orës 11.30, grupi i pararojës së turmës, me arkivolin e trupit të Azem Hajdarit në duar, arrijnë para godinës së Këshillit të Ministrave. Djegin e shkatërrojnë makinat që ishin të parkuara para saj. Më pas sulmojnë portën e godinës, duke përdorur të gjithë arsenalin e armëve, nga breshëritë e kallashnikovëve, mitralozët, antitanket, granatat e dorës dhe shishet me lëndë djegëse. Në mënyrë makabre përdorin arkivolin me trupin e pajetë të Azem Hajdarit si “dash” për të hapur portën, siç përdoreshin në luftërat mesjetare për hapjen e portave të kështjellave. Hipokrizi e madhe. Arkivoli me trupin pajetë të Azem Hajdarit u braktis nga turma e militantëve para shkallëve të kryeministrisë, sapo u hap dera për t’u futur në godinën e saj. E kishte kryer misionin. Nuk iu duhej më. Ai u varros në varrezat e Sharrës nga punëtorët e komunales dhe vetëm nga njerëzit e familjes.
Në ora 12.00, turma e armatosur e militantëve të Partisë Demokratike pushtojnë godinën e Këshillit të Ministrave. Ata nuk hasën asnjë rezistencë. Ushtarët e Gardës dhe forcat e rendit, të ngarkuara për mbrojtjen e selisë së Qeverisë, e kishin braktisur godinën. Edhe tanket që dërgoi Garda kundër turmës së armatosur, në të vërtetë ishin nisur për të kompletuar arsenalin e tyre në sulmin kundër institucioneve të shtetit. Ato u morën menjëherë, pa asnjë rezistencë nga turma e armatosur. Hetimet pas grushtit të shtetit treguan se tanket ishin nisur qëllimisht me kapakët të hapur për t’u marrë nga turma e armatosur. Në mënyrë vandale u dhunuan zyrat e ambientet e tjera të selisë së Këshillit të Ministrave. Pasi vodhën pajisjet e zyrave, shkatërruan e i vunë flakën gjithçkaje që gjendej brenda godinës, e cila nuk mund të merrej me vete.
Dhunohet në mënyrë të turpshme zyra e kryetarit të Qeverisë, Fatos Nano. Më pas sulmohet e bastiset Ministria e Financave, që në atë kohë ishte në pjesën e mbrapme të godinës së Këshillit të Ministrave.
Unë, kallëzuesi, si dhe kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, Neritan Ceka, Gramos Ruçi, Namik Dokle, dhe disa prej punonjësve të shërbimit, ishim në zyrën e Kryetarit të Kuvendit. Situatën në derën e Kryeministrisë me arkivolin e Azem Hajdarit në duarë të kryengritësve si dhe kryengritësit e armatosur që nuk i ndanin breshëritë e armëve, i shikonim nga dritaret e Zyrës së Skënder Gjinushit. Mesa duket kryengritësit n’a dalluan në dritare dhe prej platformës së derës hyrëse për në Këshillin e Ministrave dhe pasi godasin me antitank zyrën e kryetarit të Kuvendit, Skënder Gjinushi, lëshojnë më pas breshëritë e plumbave në drejtimin tonë që ishim në dritaret e zyrës. Xhamat e zyrës u thyen dhe zyra u mbushë më plumba. Ne u shtrim brakas dhe ashtu dolëm te koridori i Zyrës së zyrës së Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, të ruajtur me armë prej punonjsëve të sigurisë.
Rreth orës 12.30 largohen nga ambjentet e Kuvendit të Republikës Skënder Gjinushi etj. Mbeta unë dhe disa punonjës shërbimi te koridori i Zyrës së Skënder Gjinushit. Në këtë moment është shfaqur në koridor ish kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit Mustafa Kërçuku. Ai më ka marrë dhe më ka futur tek ashensori i emergjencës që dilte nga hyrja mbrapa e Kuvendit të Shqipërisë dhe pasi dolëm në ambjentin e jashtëm të Kuvendit, jemi ndarë. Në këtë moment turrmat kryengritëse vërshuan mbi zyrat e Kuvendit të Shqipërisë.
Në ora 13:00 plaçkitet ndërtesa e Kuvendit dhe selia e Kryesisë së Kuvendit.
Në ora 13.30 sulmohen Gjykata Kushtetuese, Ministria e Drejtësisë, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Ministria e Kulturës që ndodheshin në ish godinën e KQ të PPSH. Plaçkitin e shkatërrojnë gjithçka që gjejnë në zyrat e ambientet e tyre. I vetmi institucion që nuk u sulmua ishte Presidenca, megjithëse ndodhej brenda perimetrit të institucioneve kryesore të shtetit. Jo se ajo u harrua, por ishte porosi e Berishës për të mos u prekur.
Siç do të shohim më vonë, ishte brenda planeve të tij. Në ora 14 grupi i paramilitarëve të Partisë Demokratike, i drejtuar nga Izet Haxhia dhe turma e armatosur e militantëve të saj me në krye kryetarin e partisë së Legalitetit, Ekrem Spahiu, sulmojnë dhe pushtojnë RTSH. Dhunohen punonjësit e saj e merren peng drejtori i televizionit, Edi Mazi, dhe drejtori i radios, Martin Leka. Ekrem Spahiu deklaroi në televizion: ”qeveria dhe të gjithë institucionet e shtetit kishin rënë dhe se demokracia kishte triumfuar në Shqipëri”.
Ne ora 14.00 turmat e armatosura të militantëve të Partisë Demokratike, pasi kishin pushtuar institucionet kryesore të shtetit, si në kohën e pushtimeve barbare, sulmuan për të ”bërë plaçkë” qendrën e Tiranës, duke grabitur e djegur dyqanet, ambientet e Pallatit të Kulturës dhe institucionet e tjera që ndodheshin atje. Më pas fillojnë gjuetinë e bizneseve të Tiranës dhe plaçkitjet e bastisjet e tyre.
Një pjesë e bandës së grushtit të shtetit sulmuan dhe grabitën rezervat e shtetit në Lundër. Të tjerë sulmuan për të pushtuar e grabitur Aeroportin e Tiranës, por tentativa e tyre përfundoi pa sukses.
Dukej se grushti i shtetit kishte përfunduar me sukses. Asnjë rezistencë nga ana e policisë dhe forcave të tjera të rendit e të sigurisë së shtetit. Ato u dorëzuan para grushtit të shtetit, ose u bënë pjesë e tij.
Lidhur me këtë moment të “ngadhënjimit” të grushtit të shtetit, gazeta “Tema” do të shkruante më vonë me ironi se: “...teksa Berisha po bëhej gati për të mbajtur fjalimin e përgatitur që më parë se populli shqiptar mori në dorë fatet e tij përballë kësaj klike të korruptuar të Fatos Nanos, një telefonatë e ardhur nga Ëashingtoni bëri që Berisha të hiqte dorë nga deklarimi i ardhjes në pushtet”.
Faktori ndërkombëtar nuk e pranoi grushtin e shtetit të Partisë Demokratike. Departamenti i Shtetit I Shteteve të Bashkuara të Amerikës deklaroi prerazi, fill pas konsumimit të grushtit të shtetit, se : “nuk njeh asnjë pushtet që del nga dhuna”. Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Kinkel, deklaroi: “Unë dënoj ashpër çdo përpjekje për të rrëzuar me anë të përdorimit të dhunës qeverinë shqiptare të zgjedhur në mënyrë demokratike”.
Qeveria italiane zhvilloi një mbledhje urgjente për ngjarjet në Shqipëri. Kryeministri Romano Prodi deklaroi: “Të ndalet dhuna në Shqipëri”. Në këto kushte Berisha urdhëron tërheqjen e paramilitarëve dhe grupeve të militantëve të armatosur të Partisë Demokratike nga institucionet e pushtuara. Pas kësaj fillojnë të dalin rreth orës 16 në rrugët e Tiranës policët e parë. Më pas prania e tyre filloi të shtohet dhe nisin të çlirojnë një pjesë të institucioneve. Forcat e RENE -as marrin tanket.
Në ora 17.00 policia filloi të dalë masivisht në Tiranë dhe nisin ndjekjen e turmave të armatosura që morën pjesë në grushtin e shtetit, të cilat vazhdonin grabitjen e dyqaneve e të bizneseve. Gazetat e kohës shkruanin: “...për herë të parë pas dy ditëve, organet e rendit u aktivizuan”.
Ndërkohë, vazhdonte të rezistonte grupimi i armatosur i paramilitarëve të Partisë Demokratike që komandohej nga Izet Haxhia. Mjeti kryesor audioviziv publik i shtetit, me të cilin komunikonte me popullin, vazhdonte të ishte në duart e paramilitarëve të Partisë Demokratike. Në ora 19 ministri i Rendit, Perikli Teta, u jep ultimatum për dorëzimin e RTSH. Në ora 19.30, me ndërhyrjen e OSBE, grupi i paramilitarëve dhe militantëve të armatosur që mbanin akoma të pushtuar RTSH tërhiqen nga institucioni. Ministri Perikli Teta deklaron: “Dështoi tentativa për grusht shteti”.
Megjithatë, një nga ditët më të zeza të historisë së popullit tonë do të mbyllej me dy episode tipike për një grusht shteti. Në orët e vona të mbrëmjes, ministrit të Rendit, Perikli Teta, teksa largohej nga dikasteri, i bëhet atentat, por që dështoi falë ndërhyrjes së shpejtë të eskortës së tij. Gjithashtu, sipas gazetës “KJ”, në orët e vona të natës të 14 shtatorit, u bë një tentativë për atentat edhe ndaj kryeministrit Nano, në momentin kur ai po kthehej në Tiranë, i shoqëruar nga eskorta e tij.
Komente













U rijap edhe një dosje tjetër KRIMI kundër PËRBINDSHIT PLANETAR,e cila ishte mykur në SIRTAR,nga frika e tij.POR AJO DO QËNDROI ATY DERI NË VDEKJEN POLITIKE TË NON GRATËS.PASI NUK KA LINDUR AKOMA DREJTËSIA E RE.KJO QË ËSHTË..ËSHTË TREDHUR NGA SALIU 1992. Populli po pret gjykimin e GËRDECIT & 21 JANARIT PREJ 15-17 VITESH ME 31 TË VRARË PO ME VKM E URDHËR TË SB.! Nga E.LALAJ-Nemws Albania
PërgjigjuBravo, Beqir!! Neser gati kallzimin per Ramen per 21 Janarin.
Përgjigju