Guvernatori i BSH, Meta: Duhet
emër bindës e i njohur publikisht

Guvernatori i BSH, Meta: Duhet<br />emër bindës e i njohur publikisht
TIRANË - Kreu i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta thotë se Guvernatori i Shqipërisë do të zgjidhet gjatë javëve të ardhshme, ndërsa thekson se për këtë pozitë kërkohet një emër bindës dhe një figurë e njohur publikisht. I ftuar në emisionin “5 Pyetjet nga Babaramo”, kreu i Kuvendit, njëherësh kryetar i LSI, tha se grup-lista e paraqitur deri më tani përmbante emra jo shumë bindës apo të njohur. Ndërkaq, Meta tha se është e drejta kushtetuese e Presidentit nisja e një procesi të tillë, duke theksuar se edhe në rast të rrëzimit të kandidaturës së Gent Sejkos, Kreu i Shtetit duhet të propozojë një tjetër emër që të mund të fitojë mbështetjen e Parlamentit për t’u votuar në krye të BSH.
 
Sa i takon bojkotit të opozitës, kreu i Kuvendit tha se çdo vendim i një partie është i lirë, por bojkoti nuk është zgjedhja e duhur, pasi le të papërfaqësuar përkrahësit e saj. Sipas Metës, bojkoti i PD ka mbaruar prej kohësh, ndërsa shton se i takon vetë opozitës për të zgjedhur kohën për t’u kthyer në Kuvend.
 
Meta tha se eurodeputetët janë të mirëpritur në Shqipëri, duke vlerësuar me rëndësi ndërmjetësimin e tyre për të bashkëpunuar me opozitën për kthimin e saj në Kuvend.
 
Pas dekretimit të datës së zgjedhjeve lokale më 21 qershor 2015, Meta tha se duke filluar nga janari do të fillojnë edhe përgatitjet e forcave politike, ndërsa u shpreh se është ende herët për të folur për kandidatë konkretë.
 
Sa i përket kërkesës së PD për inkriminimin e Parlamentit, Meta tha duhet të bëhen propozimet konkrete në mënyrë që çështjet të adresohen në mënyrën e duhur dhe të gjendet zgjidhje.

Sa i përket projektligjit të hapjes së dosjeve, Meta theksoi se, "ky projektligj është depozituar në Kuvend, dhe në fillim të janarit do të vendoset se kur do të përfshihet në kalendarin e punës. Unë besoj se është një çështje që përderisa është rihapur ia vlen të marrë një zgjidhje përfundimtare le të shpresojmë, pasi nuk është një çështje e re".

Sot dy kanë qenë lajmet më të rëndësishme të politikës shqiptare: dekretimi i datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës, si dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që hidhte poshtë pretendimin e PD-së për të kundërshtuar ndarjen e re territoriale. Kishte edhe një deklaratë të menjëhershme të zotit Basha, kryetar i PD-së, i cili u shpreh se këtë listë ata nuk do ta njohin kurrë, do të paraqesin firmat për një referendum dhe la qartë të kuptohet që me këtë ndarje elektorale dhe me këtë hartë PD-ja nuk hyn në zgjedhje. A do të ketë zgjedhje?
Sigurisht që më 21 qershor shqiptarët do të shkojnë drejt kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesit e tyre vendorë. Natyrisht, ne jemi vend demokratik, ku çdo forcë politike ka të drejtë të marrë vendimet e saj sovrane dhe të paraqitet në zgjedhje, apo edhe të mungojë në zgjedhje, që nuk është një veprim vërtet demokratik, sepse i lë përkrahësit e saj të papërfaqësuar. Absolutisht, 21 qershori tashmë u vendos dhe të gjithë, pak nga pak, do të përgatitemi për rastin e Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri, por edhe për zgjedhjet e reja vendore gjithashtu.

Gjithsesi, lëvizja që parashikon një referendum, a mendoni se, nëse votohet kundër kësaj harte nga sovrani, do të ndryshojë kjo tablo që ju sapo përshkruat?
Unë nuk dëshiroj të merrem me variantet e kryetarit të PD-së dhe me sjelljen jokonstruktive të tij e të partisë që përfaqëson, sepse të gjitha pretendimet e tyre janë absurde. Ata janë vetëpërjashtuar në një mënyrë kokëfortë nga reforma territoriale. Pra, kanë pasur hapësirën maksimale që mund të ketë një opozitë edhe në vendin më demokratik; janë ftuar të marrin pjesë në një komision të posaçëm; kanë pasur gjysmën e anëtarëve të këtij komisioni; pra tetë me tetë; kanë pasur të drejtën për të pasur një bashkëkryetar për të dhënë variantin e tyre. Atyre, edhe pasi kanë bojkotuar këtë komision, u janë dhënë pesë variante për të zgjedhur njërin prej tyre, nuk kanë pranuar asnjërin. Kanë organizuar një konventë të tyren, ku kanë thënë se në këtë konventë do të shpalosin platformën dhe variantin e tyre. Ata i kanë dërguar ftesë maxhorancës me mendimin se nuk do të shkonte në atë konventë, por ajo veproi ndryshe, u paraqit atje nëpërmjet zotit Fino, si bashkëkryetar i komisionit, dhe zotit Vasili, si anëtar i komisionit. Në atë konventë u sqaruan edhe një herë tjetër të gjitha hapat që ishin hedhur dhe të gjitha kriteret mbi të cilat po konfigurohej kjo reformë. Njëkohësisht iu kërkua opozitës që të sillte variantin e saj. Absolutisht çdo variant i bazuar në disa kritere të arsyeshme do të ishte pranuar, sepse konsensusi ishte një qëllim kryesor i kësaj reforme. Ndërkohë ajo ishte një reformë e pashmangshme për Shqipërinë. PD-ja vendosi të sillej ndryshe. Pse e bëri këtë? Sepse nuk donte të merrte asnjë përgjegjësi për këtë reformë. Në çdo rast kjo reformë do të sillte një reduktim të numrit të bashkive dhe të komunave aktuale, që është rreth 400...

Basha sot u shpreh që është një ndarje torte mes jush dhe zotit Rama dhe disa thërrime iu shpërndanë atyre që morën pjesë.
Zoti Basha deri dje thoshte që është antikushtetuese, tani ka mbetur që torta ishte kushtetuese, por ishte elektorale, ndërkohë e vërteta është një qëndrim i thjeshtë, një alibi për zhgënjimin e madh që kjo sjellje e PD-së ka sjellë te përkrahësit e saj.

Referendumi është i mundur, zoti Meta, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese?
Unë nuk e di se për çfarë referendumi e ka fjalën zoti Basha, por referendumi final për zgjedhjet vendore është më 21 qershor.

E qartë. Gjithsesi, nëse ata paraqesin një kërkesë, ajo do të shqyrtohet në KQZ. Kur do të konstituohet plotësisht KQZ-ja?
Edhe kjo nuk është gjëja më e rëndësishme. E rëndësishme është që Gjykata Kushtetuese ka vendosur sot në mënyrë bindëse dhe jo në mënyrë të diskutueshme për të rrëzuar kërkesën ose pretendimin bazë, që kishte të bënte me antikushtetutshmërinë gjoja të kësaj reformë dhe të mënyrës sesi ajo është realizuar. Tani çdo gjë shkon drejt 21 qershorit.

Tani që Presidenti e ka dekretuar datën e zgjedhjeve, besoj se do të nisin konsultimet midis PS-së dhe LSI-së për të përcaktuar kandidatët për 21 qershor. Në marrëveshjen që keni bërë para dy vjetve me zotin Rama është parashikuar që do të jeni bashkë në këto zgjedhje, në koalicion, apo ekziston mundësia që, nëse nuk merreni vesh, të kandidoni më vete?
Besoj se jemi ende herët për të folur për taktikat që do të ndiqen për zgjedhjet vendore, por natyrisht që nuk jemi herët për të filluar përgatitjet për to. Absolutisht që në gjykimin tim, së pari, zgjedhjet vendore nuk janë kaq të rëndësishme dhe determinante në planin e përgjithshëm politik, por janë tepër të rëndësishme në synimin ndaj qytetarëve, sepse, aq me tepër me reformën e re, parashikohet të fuqizohet ky dimension i rritjes së cilësisë dhe kapaciteteve.

Kur thoni që nuk janë kaq të rëndësishme politikisht, lini të kuptohet që koalicioni politik mundet të mos jetë bashkë në këto zgjedhje?
Nuk është kjo më e rëndësishmja, por nuk e meritojnë kurrsesi atë vëmendje dhe atë politizim që shpeshherë ndodh për to, sepse partitë kanë nevojë të mobilizojnë aktivistët, militantët e tyre, më tepër opozita, për t’i çuar drejt kutive të votimit, se përmes këtyre zgjedhjeve do të ndodhë diçka e re dhe kjo do të ndihmojë për të shpejtuar zgjedhjet e përgjithshme e kështu me radhë. Pra, unë i shikoj zgjedhjet lokale si një mundësi për të ndërtuar me themel një pushtet të ri vendor jo vetëm në formë, bazuar dhe në reformën e re, por në mënyrë të veçantë në standardin e cilësisë së shërbimeve që do të ofrojnë këshilltarët tanë, në mënyrë që ata t’i ndjejnë ato përmirësime dhe ato fuqizime që i sjell kapacitetit të pushtetit vendor reforma e re.

Keni fiksuar një datë kur do të nisni negociatat me Ramën për të përcaktuar kandidatët?
Jo, është shumë herët për të vendosur një datë. Zgjedhjet janë në qershor, nuk janë në janar.

Gazeta “Panorama” sot shkruante se zoti Rama është duke promovuar përmes faqes së tij të facebook-ut zonjën Kryemadhi si kandidate të përbashkët. Ka ndonjë të vërtetë në këtë apo është spekulim mediatik?
Nuk kam asnjë informacion të tillë. Natyrisht që gazeta “Panorama” ka të drejtën e saj të bëjë komentet e pavarura si gjithmonë.

Ndërkohë është dhe një faqe në Facebook ku thuhet se zonja Monika Kryemadhi për Tiranën, që e promovon, është një lloj fushate përmes rrjeteve sociale për zonjën Kryemadhi si kandidate për Tiranën.
Nuk jam shumë i apasionuar pas këtyre faqeve dhe nuk më duket se ia vlen të japim kaq shumë për këtë çështje, pasi është shumë herët për të diskutuar për kandidatët, ndërkohë që zonja në fjalë është deputete e qarkut të Lezhës.

Ju kur të uleni me zotin Rama, do të uleni mbi bazën e një kriteri? Si do të jetë ndarja mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim?
Në çdo rast interesi do të jetë për të mbështetur kandidatët më të përgjegjshëm, që ofrojnë atë standard të ri cilësie të shërbimeve ndaj qytetarëve. Mendoj se kjo është më e rëndësishme.

Nëse nuk arrini të merreni vesh, do të ketë dy kandidatë, një të PS-së dhe një të LSI-së?
Është jashtëzakonisht herët për të menduar këto gjëra, aq më tepër për të menduar dhe për vetë kandidatët.

E qartë. Flasim për bojkotin e Partisë Demokratike. A mendoni se ka ardhur duke u plotësuar periudha 6-mujore që parashikohet në Kushtetutë, që kaq mund të zgjasë bojkoti, sepse në të kundërt humbasin mandatin. A mendoni se në një rrethanë të tillë që brenda dhjetorit merr fund bojkoti i Partisë Demokratike?
Mendoj se bojkoti moralisht dhe politikisht ka marrë fund me kohë, sepse, edhe pse në një moment të caktuar Partia Demokratike diti të shfrytëzojë një incident krejtësisht të papranueshëm dhe të dënueshëm në Kuvend për të tërhequr vëmendjen dhe për të nisur një bojkotim të Kuvendit. Shumë shpejt, për arsye të të gjitha veprimeve që u realizuan edhe nga Kuvendi, apo qoftë edhe nga prokuroria, pretendimet e saj kanë rënë dhe i takon asaj të zgjedhë kohën për t’u rikthyer në Kuvend, i cili është edhe instrumenti kryesor i çdo partie të vërtetë demokratike në një sistem parlamentar.

Përse e shtytë zhvillimin e punimeve të parlamentit deri në datën 24 dhjetor? A ishte një oksigjen që i jepnit Partisë Demokratike për të mos djegur mandatet?
Më shumë kishte të bënte me axhendën e ngarkuar të parlamentit, sepse sesioni tjetër duhet të fillojë më 19 janar, por edhe në këtë aspekt që përmendët ju prapë pozitive është.

Ndërkohë u fol për një vizitë të Presidentes së Kosovës, zonjës Ahtifete Jahjaga, e cila do të vinte në Tiranë, në mos gaboj, në fund të dhjetorit, do të mbante një fjalim në parlamentin shqiptar dhe ky do të ishte një casus belli i Partisë Demokratike, që, për hir të respektit të jashtëzakonshëm që kanë për Presidenten e Kosovës, dhe për hir të çështjes kombëtare, ata do të merrnin pjesë në parlament. Nga pikëpamja teknike binte afati i 6 muajve të bojkotit. Si ka ndodhur? Si u organizua, si u sajua kjo vizitë e zonjës Jahjaga?
Nuk kam ndonjë informacion për mënyrën se si është konceptuar një vizitë e tillë. Di që Presidentja e Kosovës për një kohë të gjatë nuk ka realizuar një vizitë zyrtare në Shqipëri, që do të realizojë një vizitë të tillë, pra në datën 18 dhjetor, kur normalisht do të mbajë dhe një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë. Më pas jemi njoftuar që kjo vizitë është shtyrë për një kohë të dytë. Në çdo kohë që Presidentja e Kosovës do të vijë në Shqipëri, ajo është e mirëpritur në Kuvend.

Çfarë shpjegimesh janë dhënë?
Nuk është se kemi kërkuar ndonjë shpjegim plotësues për këtë çështje, sepse Presidentja është një institucion, e cila komunikimin kryesor e ka me Presidentin.

Pra, e ka ftuar Presidenti Nishani?
Normal.

E qartë. Kush negocioi që ajo të merrte pjesë në Kuvend? ... Bën pjesë në punimet e seancës parlamentare t’i drejtohej parlamentit shqiptar.

Nuk e kam të qartë, por e di që ka pasur një kërkesë, ndoshta nga ambasada jonë në Kosovë apo nga ambasada e Kosovës këtu, përmes protokollit të shtetit, i cili në këto raste vepron si një instrument i vetëm, por kjo nuk është e rëndësishme. Në çdo moment që do të vijë në Shqipëri do të jetë shumë e mirëpritur në Kuvend.

A mund ta konfirmoni që nesër në Tiranë mbërrijnë dy eurodeputetë, dy emisarë të Parlamentit Europian për të negociuar dhënien fund të bojkotit të Partisë Demokratike?
Nuk mund ta konfirmoj, por mund t’ju them se në çdo moment eurodeputetët janë të mirëpritur në Tiranë dhe ne gjithmonë kemi qenë dhe jemi të hapur për të dëgjuar edhe sugjerimet e tyre në kuadër të përmirësimit të mëtejshëm të raporteve të mirëbesimit midis mazhorancës dhe opozitës këtu për një funksionim sa më normal të Kuvendit.

Dhe kur vijnë?
Është e drejta e tyre. Në çdo moment që të vijnë ata janë të mirëpritur.

Por, gjithsesi, të njoftojnë paraprakisht para se të vijnë, kanë njoftuar?
Nuk mund t’ju them asnjë gjë më shumë, por në çdo moment që ata të vijnë do të jenë të mirëpritur dhe ne ndonjë punë më të rëndësishme nuk kemi, në kuptimin që do ta gjejmë kohën për t’u takuar dhe biseduar me ta.

Flitet që ka një draft-marrëveshjeje, që po negociohet nga këta të dërguar të Parlamentit të Europian. Çfarë parashikon ajo?
Nuk kam ndonjë njohuri të imtë për një çështje të tillë, por gjithçka që bazohet në to, parime që ne kemi bërë të njohura në respektimin e Kushtetutës, të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, të të drejtave të opozitës, për ne është e vlerësuar dhe e mirëpritur.

Ka ndonjë pikë, që palët nuk kanë rënë dakord?
Ne nuk mund të themi ndonjë gjë.

Po pse në media është aluduar se e vetmja pikë që ka ngelur pezull është ajo që Partia Demokratike këmbëngul që në parlament të garantohet që të mos ketë njerëz të inkriminuar dhe të...
Partia Demokratike duhet të bëjë propozime konkrete. Deri tani nuk është se kam parë ndonjë propozim konkret, por në çdo moment që do të bëjë propozim konkret dhe publik ai do të vlerësohet dhe të marrë një përgjigje plot vëmendje.

Zoti Meta, në qoftë se flasim me termat e Rilindjes, në parlamentin aktual ka jo vetëm njerëz të penës, por ka edhe njerëz të pushkës.
Mu kujtua se çfarë po përmendim nga Rilindja.

Si do të shmanget që njerëz me një të kaluar të errët, të mos jenë në parlamentin shqiptar, sepse është edhe ajo që kërkon opozita?
Opozita duhet të bëjë propozime konkrete, në mënyrë që të ketë një adresim të qartë të këtyre çështjeve dhe të gjithë janë të hapur që parlamenti në të ardhmen të ketë një standard më të sigurt të përfaqësimit dhe të personalitetit të deputetëve.

A keni pasur ju komunikime të paktën që nuk janë bërë publike qoftë me të dërguarit e Parlamentit Europian, qoftë edhe me drejtues të Partisë Demokratike?
Me drejtues të Partisë Demokratike jo, por me përfaqësues të Partive Popullore kam pasur mundësi të shkëmbej mendime të ndryshme.

Cili ka qenë reagimi i tyre, ose më saktë, çfarë ju kanë kërkuar?
Në radhë të parë, ne duhet të jemi të qartë që ata janë të përcaktuar për rrugën parlamentare të të bërit politikë edhe nga Partia Demokratike. Së dyti, natyrisht një mirëkuptim dhe fleksibilitet sa më të gjerë.

A ka pasur ndonjë nga pikat, ndonjë nga kërkesat e opozitës shqiptare që ata jua kanë parashtruar dhe nga socialistët e Ramës nuk po plotësohet?
Unë kam pasur disa komunikime ku i kam informuar për plotësimin e atyre pretendimeve të Partisë Demokratike nga ana e Kuvendit, gjë që ata e kanë vlerësuar. Natyrisht që unë nuk kam hyrë në negociata dhe as më janë paraqitur pretendime të caktuara apo konkrete.

A ka negociata Ruçi-Paloka për këtë çështje?
Unë nuk kam ndonjë dijeni të veçantë për çdo lloj negociate dhe komunikimi është pozitiv.

Kur mendoni se merr fund bojkoti para Krishtlindjeve apo do të presim?
Mos kërkoni nga unë përgjigje që ekskluzivisht varen nga Doktori.

Ju jeni Kryetar i parlamentit dhe sinjalet nga të gjitha drejtimet konvergojnë te ju, në zyrën tuaj?
Unë këtë gjë e kuptoj, por ajo që varet nga ne është disponibiliteti maksimal për të plotësuar dhe respektuar çdo kërkesë të mundshme. Mendoj që keni vajtur në ekstrem në aspektin pozitiv të hapësirës dhe tolerancës ndaj opozitës. Jemi i vetmi parlament mendoj në Europë ose në unitetin e vendeve demokratike në botë, ku përfaqësuesi i opozitës ose një i caktuar prej tij në parlament, që në çdo rast, në rastin tonë nuk është kryetari i opozitës, ai është kryetar bashkie, ka të drejtë të flasë gjithmonë mbas Kryeministrit aq kohë sa ai flet, ai ose një i caktuar prej tij. Nuk ka asnjë parlament demokratik, po themi që shkon deri këtu, megjithatë ne nuk kemi frikë, përkundrazi, kemi respekt për fjalën e opozitës dhe kemi krijuar hapësirën më maksimale.

Në fakt, Doktori ju ka munguar gjatë këtyre 6 muajve, ju ka marrë...
Shumë. Po shyqyr Zotit, që jep ndonjë intervistë herë pas here...

Po për atë doja t’ju pyesja. Kur ishit në koalicion me të, i kërkuat postin e Presidentit të Republikës dhe ai refuzoi?
Do të ketë parë ndonjë ëndërr se e ka thënë për herë të dytë a për herë të tretë këtë gjë ..... pasi nuk mendoj se kujtesa, që ka qenë arma e tij më e fortë, ta ketë braktisur kaq me rrëmbim. Do të ketë qenë ndonjë ëndërr, sepse unë asnjëherë nuk i kam kërkuar as atij dhe askujt një gjë të tillë. Është e vërtetë se, kur ka qenë çështja e Presidentit, unë gjithmonë kam kërkuar një zgjidhje sa më të gjerë, sepse kjo ishte një zgjidhje që e kërkonte BE-ja, me konsensus.

Gjithsesi në koalicion parashikohet edhe ndarja e posteve kryesore të drejtuesve të shtetit. Edhe nëse do të kishte negociata, nuk do të kishte ndonjë gjë të keqe, por, gjithsesi, aktualisht, ajo është ...
Jo, absolutisht. Do të jetë ndonjë ëndërr, ndonjë fiction.

Gjithsesi, ajo tashmë është e tejkaluar, sepse...
Sigurisht.

Zoti Nishani ka kaluar gjysmën e mandatit dhe në marrëveshjen me zotin Rama a parashikohet mënyra si do të zgjidhet Presidenti?
Nuk është se kemi ndonjë parashikim. Presidenti do të zgjidhet sipas Kushtetutës.

E qartë. Do të jetë njëri nga ju të dy, ose ju, ose zoti Rama?
Absolutisht besoj se në çdo rast do të jetë një qytetar i denjë i Shqipërisë, që i plotëson kushtet për të qenë President.

Ju e keni kaluar moshën 40- vjeçare, kështu që...
Në qoftë se ky është kushti i vetëm, atëherë kemi një probabilitet të jashtëzakonshëm, pasi janë gati një milion e ca shqiptarë që i plotësojnë këto kushte.

Në marrëveshjen tuaj, përtej batutës, parashikohet...
Në marrëveshjen tonë nuk parashikohet asgjë konkrete për të gjitha institucionet, përveç qeverisë dhe do të respektohet Kushtetuta e vendit.

Jam sërish në studio me Kryetarin e Parlamentit zotin Ilir Meta. Zoti Meta kur do të zgjidhet Guvernatori i ri i Bankës së Shqipërisë?
Besoj se do të zgjidhet në javët e ardhshme. Është një proces, pra tashmë dekreti i Presidentit do të bëjë rrugën e tij, ku moment i rëndësishëm do të jetë prezantimi i kandidatit në Komisionin e Ekonomisë përpara se parlamenti të shprehet për dekretin.

Jeni konsultuar me zotin Rama sesi do të reagoni, si do të votoni për këtë kandidaturë?
Ka qenë parim i mirëkuptuar se do të konsumohen të gjitha elementet e këtij procesi dhe më pas, natyrisht, do të ketë një koordinim përpara se të shprehen grupet parlamentare. Ideja është të mos jemi me paragjykime në këtë proces.

Në fakt, ka pasur disa deklarata të deputetëve socialistë, përfshirë edhe kryetarin e Komisionit të Ekonomisë, zotin Braçe, i cili është shprehur kundër, madje që në procedurë, kundër kandidaturës së paraqitur nga Presidenti i Republikës, duke thënë se Presidenti duhet të zgjedhë një nga anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës. Ju si e gjykoni këtë deklaratë të zotit Braçe?
Ka një debat, sepse kemi Kushtetutën, kemi ligjin, i cili i ka edhe më të përcaktuara rrugët që mund të ndiqen, por në çdo rast parlamenti duhet ta shqyrtojë dekretin dhe duhet të japë një vlerësim për këtë dekret, pavarësisht nga diskutimi për rrugën e ndjekur. Rruga më e mirë do të kishte qenë ajo që të kishim pasur Këshillin Mbikëqyrës të plotë dhe Presidenti të kishte bërë një zgjedhje brenda...

Përse nuk e keni plotësuar Këshillin Mbikëqyrës? Parlamentit i takon ta bëjë këtë.
Për arsye të mosveprimit në kohë nga ana e grupeve parlamentare që besoj se kanë kërkuar kohën e duhur për të bërë zgjedhje më të goditura.

Nuk kanë rënë dakord për emra konkretë?
Parlamenti ka për të zhvilluar një procedurë të caktuar. Tani është në fazën finale të konkludimit për emrat. Është bërë një shortlistim i deritanishëm dhe besoj se do të ecet më shpejt.

Kemi edhe një kërkesë tjetër nga disa deputetë socialistë që kërkojnë largimin nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës të dy anëtarëve të tjerë, zotit Petraq Milo dhe zotit Dhori Kule si të përfshirë në struktura partiake. A do të shqyrtohet një kërkesë e tillë?
Mendoj se gjithçka duhet të ecë në raport me ligjin. Opinionet e deputetëve janë të ndryshme, janë të respektuara, por parlamenti vepron në bazë të procedurave.

Si janë procedurat? Për të qenë më konkretë, ju cituat ligjin, po këta janë konform ligjit?
Për të qenë më konkretë, nuk do të doja të merresha me komente apo vlerësime politike, sepse është drejta e deputetëve të bëjnë vlerësime të ndryshme edhe për të njëjtën çështje.

Ju keni pasur konsulta me Presidentin përpara se ai të dërgonte emrin që përzgjodhi, të zotit Sejko?
Ne kemi pasur disa takime me Presidentin për këtë çështje, ku na ka informuar për procedurën që do të ndiqej dhe që është ndjekur për të nxitur sa më shumë aplikime për detyrën e Guvernatorit, me qëllim që të kishim mundësi zgjedhjeje. Më pas jemi njohur me 6 emra, në mos gaboj, të përzgjedhur, të cilët kishin aplikuar vullnetarisht te Presidenti i Republikës. Presidenti kaq qenë i hapur që ne të zgjidhnim një nga këta 6 emra. Më pas ai ka dërguar dekretin për kandidatin aktual zotin Genti Sejko. Ky është procesi.

Ai ju ka dhënë 6 emrat dhe ju kërkoi të zgjidhni një nga këta 6 emra, ndërkohë ju zgjodhët një nga këta 6 emra?
Ne nuk kemi zgjedhur asnjë nga 6 emra, për arsye sepse nuk kemi qenë plotësisht të bindur për një emër tepër bindës për këtë pozitë. Në rastin konkret, e theksoj, nuk është momenti për t’u nisur me paragjykime. Është një proces që duhet të bëjë rrugën e tij.

Ky bënte pjesë te kjo gjashtëshe? Bënte pjesë te lista që juve nuk ju duk fort bindëse?
Sigurisht, sepse një pjesë e mirë e tyre nuk kanë qenë shumë të njohur në publik në të kaluarën.

Kjo është e tejkaluar tashmë. Po flasim për atë që ka dekretuar Presidenti. Ju kur keni parë atë emër, ju duk bindës apo jo?
Jua thashë, të gjithë emrat patën një vlerësim që nuk ishin emra shumë bindës për këtë detyrë, pavarësisht se mund ta bëjnë të gjashtë në mënyrë të shkëlqyer, për arsye të mosnjohjes së duhur, ndoshta nga ana jonë të figurës së tyre, të performancës së tyre, të personalitetit të tyre, sepse kuptohet që sistemi bankar është një sistem ku punojnë shumë bankierë, shumë personalitete në fushën e tyre, por jo të gjithë janë të njohur në publik.

Në këtë qëndrim që mbajtët ndaj Presidentit të Republikës për Guvernatorin, u konsultuat me Kryeministrin apo gjithkush shfaqi në mënyrë të pavarur opinionin e vet?
Kemi pasur një konsultim të herëpashershëm me Kryeministrin. Besoj që pak a shumë të njëjtin qëndrim apo vlerësim kemi marrë.

Ju ose Kryeministri, a i keni paraqitur një kundërpropozim apo një emër tjetër Presidentit?
Sigurisht, mund të kemi paraqitur opinione të caktuara për emra të caktuar, por kjo nuk është shumë e rëndësishme. Në fund të fundit, është e drejta e Presidentit për të nisur këtë proces nga ana kushtetuese.

Dhe presidenti jua ka refuzuar?
S’mund të them se e ka refuzuar, por ai ka të drejtën për të nisur këtë proces kushtetues.

Ju e mbështetët kandidaturën që kishte zoti Rama, të ish- guvernatorit të bankës së Argjentinës?
Për mua çdo zgjidhje e shpejtë do të ishte mjaft pozitive, sidomos në këtë rast, kur bëhet fjalë për një personalitet të njohur në nivel ndërkombëtar dhe botëror, por në çdo rast një zgjidhje sa më e shpejtë dhe sa më konsensuale e çështjes së guvernatorit, është pozitive.

Kur hyn guvernatori në votim, kur parashikohet?
Këtë nuk mund ta them, sepse do të duhet që kjo të vendoset mbasi ai të jetë dëgjuar në Komisionin e Ekonomisë.

Vendimi për guvernatorin do të jetë i koordinuar me PS-në apo çdo deputet i maxhorancës mund të votojë, sipas bindjes së tij?
E keni fjalën për zotin Braho apo e keni më të përgjithshme?

E kam për zotin Braho dhe më gjerë.
Mund të them se në këtë rast sigurisht, që do të ketë një votim të konsultuar dhe të koordinuar dhe kuptohet që një vendim i tillë duhet të ketë një konsensus sa më të plotë brenda maxhorancës, në çdo rast.

Mund të themi, një vendim të unifikuar politikisht?
Diçka e tillë.

E qartë, ju kuptova. Po nëse parlamenti e rrëzon kandidaturën e Presidentit, si veprohet?
Natyrisht, në këtë rast rruga është e qartë: Presidenti do të bëjë një propozim tjetër që të ketë mundësi të fitojë mbështetje.

Shumë zhurmë është bërë gjatë javës së parë të dhjetorit për një projektligj që është paraqitur, i cili ka të bëjë me hapjen e dosjeve. A ka ardhur në kryesinë e parlamentit? A po shqyrtohet në byro?
Ky projektligj është depozituar në Kuvend dhe në fillim të janarit, para se të fillojë Kuvendi, më 19 janar do të vendoset se kur do të përfshihet në programin dhe në kalendarin e punës së Kuvendit, sipas procedurave normale parlamentare.

Ju jeni për hapjen e dosjeve? Keni thënë që duhet ta sqarojë zoti Braho nëse shkelet apo jo Kushtetuta, shkelet apo jo siguria kombëtare me këtë ligj. Besoj se keni pasur kohën e mjaftueshme për ta pyetur zotin Braho.
Patjetër. Besoj se kjo është një çështje, që, përderisa është rihapur, ia vlen të marrë një zgjidhje përfundimtare. Shpresojmë, sepse nuk është një çështje e re, por është një çështje që është hapur dhe vetë procesi i dosjeve është një proces që nuk ka nisur sot, por ka nisur me kohë, që me ndryshimet e vitit ’90 dhe me ligjin e Berishës, që u njoh si “ligji i gjenocidit” në vitin 1996 dhe më pas me ligjin tjetër me të cilin u krijua “Komisioni Bezhani” e kështu me radhë, por asnjë herë nuk pati një konsensus dhe asnjëherë nuk pati një model evropian, që të ndiqej, por pati vlera tipike bizantine shqiptare për ta përdorur këtë çështje për qëllime të ngushta politike dhe prandaj ky mbeti një proces i bezdisshëm dhe i lodhshëm dhe jo i besueshëm. Mbetet vetëm një rrugëzgjidhje: të merret një model i qartë evropian (më duket se kanë zgjedhur një model gjerman apo një model hungarez) dhe mundësisht me konsensus, për t’i dhënë këtij procesi një mbyllje përfundimtare dhe transparente.

Çfarë sinjalesh keni nga PD-ja, a është e gatshme ta votojë këtë nismë?
Normalisht po, përderisa iniciativën e ka marrë Mesila. Përse jo?

E qartë. Kam përshtypjen se qe një zë i izoluar nga PD-ja, madje ishte gati të dorëzonte dhe mandatin dhe t’i jepte fund bojkotit, për të hyrë dhe për ta mbrojtur me forcë këtë ligj. Ka pasur reagime nga PD-ja. Po citoj: kjo është një lojë e dyshes Rama- Meta për të tërhequr vëmendjen.
Mendoj se kjo nuk është aspak një lojë, por një çështje që meriton një zgjidhje dhe zgjidhja për mendimin tim, është ndjekja e një modeli evropian dhe jo modele shqiptare, merr diçka këtu e diçka aty.

Pra, ligji nuk e cenon sigurinë kombëtare?
Sigurisht, modelet evropiane nuk e kanë cenuar sigurinë kombëtare.

E qartë. Flasim për ekonominë.
Nuk besoj se Gjermania apo Hungaria janë më të pasigurta.

Sigurisht. Flasim për ekonominë. Ka një perceptim të përgjithshëm, sikur mungojnë investimet në ekonominë shqiptare. Në qoftë se do të citojmë deklaratën ose më saktë sloganin e një mikut tonë të përbashkët, të Nikollë Lesit...
Arrestime dhe investime?

 ...investime dhe arrestime. Më duket se kjo maxhorancë po realizon gjysmën e këtij slogani, të arrestimeve, kurse investime nuk po shikojmë ende.
Absolutisht, edhe në fushën e investimeve po bëhet punë dhe progres, por të mos harrojmë se kjo maxhorancë, për arsye të një trashëgimie mjaft të rënduar financiare, pra të një borxhi tërësisht jashtë kontrollit dhe me një rritje marramendëse të deficitit buxhetor, ishte e detyruar të realizonte një program në marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar për të stabilizuar parametrat makroekonomikë dhe ku i duhej të ishte e përmbajtur për sa u takon investimeve publike në mënyrë të veçantë, por absolutisht ato nuk kanë munguar, ashtu sikurse besoj se investimet private dhe të huaja do të fillojnë shumë shpejt të japin një impakt më të dukshëm për qytetarin dhe për publikun, sepse gjatë kësaj kohe besoj se është punuar, është negociuar për fillimin e shumë projekteve të mëdha dhe të vogla në të gjithë vendin.

Dy javë më parë kaloi projektbuxheti i vitit 2015 dhe paketa fiskale. Çfarë do të donit të ishte ndryshe në këto dy nisma ligjore, që duhet të ishte më mirë, që nuk duhej të ishte kështu, por në këtë formë tjetër?
Gjithmonë ka hapësirë, ka vend për përmirësime, sepse buxhetet të themi të drejtën gjithmonë janë të kufizuara, edhe kur rritja ekonomike është më e madhe, por e rëndësishme është që gjithmonë të vihet theksi tek ato investime, të cilat japin mundësi për të pasur një rritje ekonomike të vazhdueshme. Pra, nuk janë investime të cilat ngurtësohen dhe nuk prodhojnë të mira...

Për cilat lloj investimesh e keni fjalën?
Flas gjithmonë për investime, të cilat krijojnë mundësi për të hapur vende të reja dhe të qëndrueshme të punës, sidomos, për shembull, të gjithë do të donin të kishin më shumë investime dhe mbështetje për bujqësinë, por absolutisht gjithmonë ka alternativa plotësuese dhe mendoj se është një moment shumë i veçantë për t’i nxitur dhe për t’i orientuar të gjithë sipërmarrësit shqiptarë, që deri tani kanë qenë të përqendruar në fushën e ndërtimeve, për të investuar në bujqësi, ku fitimet janë të shpejta, të sigurta dhe mjaft të konsiderueshme. Kjo kërkon edhe një fushatë më të madhe promovuese të lehtësive dhe të avantazheve nga ana e Ministrisë së Bujqësisë.

Kërkon edhe incentiva, kërkon edhe lehtësi.
Patjetër, janë bërë shumë lehtësi, sidomos në paketën e sivjetme fiskale për stimulimin e blegtorisë, për stimulimin e industrisë përpunuese në këtë fushë dhe të peshkimit. Janë bërë mjaft incentiva.

Nëse do të bënim një bilanc të ministrive këto 15-16 muajt e parë, cilat janë ministritë që sipas jush kanë performuar, kanë punuar më mirë?
Edhe nëse do të kisha një opinion të qartë dhe të përcaktuar, natyrisht nuk do të bëja këtu një bilanc, sepse për mua, në radhë të parë, qeveria është një ekip, është një skuadër si e tërë dhe në ekip duhet vlerësuar gjithmonë ai që punon më shumë për shpirtin e ekipit, jo thjesht për pozicionin e vet.

Kush ka punuar më shumë për shpirtin e ekipit?
Edi Rama.

(Të qeshura mes tyre.)

Cilin do të donit të veçonit nga ministrat e LSI-së?
Nuk kam ndër mend të veçoj asnjë ministër, sepse për mua ata janë të gjithë të ekspozuar në sy të opinionit të qytetarëve. Kështu që nuk ka asnjë arsye që unë të bëj diferencime.

A mendoni se kjo shumicë qeverisëse duhet të shkojë në zgjedhje me këtë ekip qeveritar, apo para kësaj duhet të ketë disa ndryshime, disa korrigjime?
Kjo nuk është më e rëndësishmja. E rëndësishme është që qeveria të forcojë ritmin e ndryshimit, të aksionit të pandërprerë, të përpjekjes për të rritur standardet europiane në çdo institucion për t’u përgatitur për hapjen e negociatave hap pas hapi dhe mbi të gjitha është e rëndësishme që e gjithë qeveria, si e tërë, të punojë për tërheqjen e sa më shumë investimeve të huaja.

Cilat janë marrëdhëniet e Partisë Socialiste dhe Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim? A ka fërkime, a ka mosmarrëveshje? Për shembull, sot disa medie bënë publike mosmarrëveshjet te hipotekat, që është shkarkuar drejtori i Hipotekës së Tiranës, ndërkohë që një zëvendësues të tij e emëroi ministri i Drejtësisë, zoti Naço, kurse një tjetër e emëroi Kryeministri, zoti Rama. A mendoni që është një gjë që nuk shkon dhe duhet korrigjuar?
Nuk di të ketë ndonjë problem të tillë dhe nuk ka përse të ketë probleme të tilla, aq më tepër në administratë, përkundrazi, të gjithë duhet të respektojnë ligjin. Unë mendoj që më shumë kemi të bëjmë me probleme midis individëve sesa me probleme PS-LSI apo parti të tjera.

Pra, nuk ka mosmarrëveshje në ndarjen e funksioneve, të posteve, sepse gjithsesi ka një marrëveshje mes dy palëve. A funksionon ajo marrëveshje?
Në dijeninë time, marrëveshja është respektuar dhe respektohet në përgjithësi. Natyrisht, ka raste të caktuara apo raste të veçanta, por këto, do të thosha, nuk kanë të bëjnë me raportet midis dy forcave politike. Ato mund të kenë të bëjnë me përgjegjshmërinë e individëve të caktuar.

Në rastin konkret, kush ka qenë i papërgjegjshëm?
Nuk e kam parasysh një rast të tillë.

Ndryshojmë argument. Çfarë po ndodh me këto lëvizjet, le t’i quajmë, pak tektonike ose fluide, pasi shumë deputetë të PS-së, madje nga ata më të vjetrit, i shohim që konsultohen më shpesh me ju, sesa me zotin Rama.
Në çfarë kuptimi? E para, është detyra ime të konsultohem me deputetët. Si Kryetar i Kuvendit, tërë kohën jam në raport me ta.

E kisha fjalën, për shembull, për zotin Ruçi. Në debatin apo replikat që u zhvilluan mes tij dhe zotit Fino, mes jush dhe Kryeministrit, a ka diçka që nuk shkon? A ka deputetë të pakënaqur të PS-së, që po trokasin në dyert e LSI-së?
Nuk i shikoj kështu këto raporte. Parlamenti është një vend i debatit dhe i mendimeve të ndryshme. Shpesh ndodh që edhe brenda një force politike, brenda PS-së, për shembull, deputetë të caktuar të kenë qëndrime të ndryshme. E njëjta gjë ndodh edhe brenda LSI-së. Kur flasim për rastin Braho, flasim se është bërë një rast deri-diku “problematik”, pasi jo rrallëherë ka qëndrime, le të themi, pak si të pavarura.

Të pavarura nga kush?
Ndonjëherë, të pavarura nga vendimet politike. Në fund të fundit, ky është parlamenti. Ky është Kuvendi. Më mirë të jetë kështu, sesa të jenë të gjithë në unison, grushtbashkuar rreth partisë apo rreth partive, sepse atëherë do të jetë më problematike edhe për ju, pasi do të ishte më e vështirë për të bërë lajme.

Në legjislaturën e kaluar, ju treguat se i respektoni marrëveshjet. Pak a shumë, opinioni politik e ka të qartë se deri në vitin 2017 do të kemi koalicionin PS-LSI. A keni filluar ta kristalizoni se në vitin 2017 mundet...? Më saktë, deri kur është në fuqi kjo marrëveshje? Sepse çdo kontratë apo marrëveshje ka një afat kohor.
Kjo është një marrëveshje strategjike, që do të thotë se nuk ka qenë thjesht në funksion të një termi legjislativ. Në këtë drejtim, besoj se mund të kontribuojmë që kjo të jetë një marrëveshje sa më e gjatë, gjithmonë, me qëllimin që t’i shërbejë sa më shumë vendit. Në fund të fundit, jetëgjatësia dhe dobia e saj duhen parë se sa i kontribuojnë realitetit të vendit dhe modernizimit të tij.

Zoti Meta, ju falënderoj që ishit në emisionin “5 Pyetjet”!
Ishte kënaqësia ime. Faleminderit juve dhe teleshikuesve tuaj!
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë