TIRANË, 6 Qershor/ ATSH-Arbi Fortuzi/-. Kandidati i Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet, Halim Kosova u ndal në një takim me banorë të njësisë 3 në kryeqytet, ku u zotua për më shumë vëmendje ndaj shtresave në nevojë, si dhe për investime në infrastrukturë.
"Shtresat në nevojë kanë halle të paimagjinueshme dhe kanë nevojë për vëmendje speciale", tha Kosova, i cili bëri të ditur se ekipi i tij ka një program specifik për ta.
Ai gjithashtu tha se infrastruktura do të jetë një sfidë tjetër për të në bashki. "Infrastrutkura rrugore, furnizimi me ujë të pijshëm dhe krijimi i një mjedisi të përshtatshëm për bizneset është një tjetër objektiv kryesor i punës sonë. Do të ulim taksat e bashkisë me 30%, aq sa ia lejon ligji aktual, si dhe do të furnizojmë me ujë të pijshëm në 24 orë në ditë kryeqytetin, duke i dhënë fund tejmbushjes së pallateve me depozita", tha Kosova.
"Bashkia e Tiranës do të merret edhe me të gjithë sistemin parashkollor dhe parauniversitar, në mënyrë që të përmirësohet infrastruktura arsimore. Së dyti do të ulen taksat dhe çmimet, në mënyrë që të krijojmë mundësi për më shumë para për të shpenzuar në xhepat e njerëzve, sigurisht edhe për të hapur më shumë vende të reja pune nga bizneset. Sa për shtresat në nevojë, hallet e tyre janë të paimagjinueshme, ndaj dhe duan një vëmendje speciale", tha ndër të tjera kandidati Halimi, i cili më tej dëgjoi dhe problematikat e banorëve./m.m/










