TIRANE- Kuvendi miratoi dje me 84 vota pro ligjin e propozuar nga ministri Erion Veliaj “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Sipas këtij ligji të hartuar nga qeveria tashmë do të hapen dosjet e sistemit të shkuar por nuk do të ketë lustracion, sikundër ishte kërkuar nga deputetja Mesila Doda në projektligjin paralel, që u rrëzua dje nga Kuvendi.

Ky ligj ishte propozuar nga shoqëria civile, me mbështetjen e dy deputetëve Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizi. Ligji i ri u jep të drejtë edhe ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të informohen. Kështu në nenin 23 të ligjit thuhet se “Autoriteti iu jep bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të nenit 20, “informacion mbi dokumentat”.
Sipas tij, autoriteti do t’i mundësojë kopje të dubluara ish-sigurimsave, por në këto kopje do të jenë të fshira të gjitha informacionet personale që prekin palët e treta.