Në prag të vitit të ri akademik, Universiteti i Vlorës “Ismail Qemali” prezantoi sot një nga risitë më ambicioze të tij: hapjen e programit të ri Master në Inxhinieri Armatimi, me profil në Aviacion dhe Naval programi i parë i këtij lloji në Shqipëri.

Ceremonia zyrtare u zhvillua në ambientet e jashtme të universitetit “Ismail Qemali”, në prani të figurave të rëndësishme të jetës akademike dhe politike, ndër to Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Mirela Kumbaro, Bruna Mersini, kandidate për Kryetare të Bashkisë Vlorë nga Partia Socialiste, Blendi Çuçi, drejtues politik i PS për qarkun Vlorë, Zamira Sina, ish-pedagoge dhe aktualisht deputete e Kuvendit të Shqipërisë, si dhe Rektorja e Universitetit të Vlorës, Aurela Saliaj.

Ky master është rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Universitetit “Ismail Qemali” dhe Akademisë së Forcave të Armatosura në Tiranë, me mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Arsimit. Programi synon të lidhë formimin universitar me nevojat strategjike të vendit, duke ndërtuar ura mes arsimit të lartë dhe fushës së sigurisë kombëtare.

Në fjalën e saj përshëndetëse, rektorja Aurela Saliaj theksoi rëndësinë e këtij programi si një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të arsimit të lartë dhe afrimit të tij me realitetin e tregut të punës.

Ndërsa ministrja e Arsimit dhe Sportit, Mirela Kumbaro, e vlerësoi nismën si një model bashkëpunimi institucional, që sipas saj duhet të ndiqet nga universitetet në mbarë vendin.

Nga ana tjetër, Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, e cilësoi hapjen e këtij masteri si një moment historik, që do të kontribuojë në formimin e specialistëve të rinj në fushat e mbrojtjes, aviacionit dhe sigurisë detare.

'Hapja e kësaj dege masteri më gëzoi shumë. Nuk është e lehtë që të çelësh një program dhe të ndërtosh kurrikula. Në këtë këndvështrim Univeristeti i Vlorë ishte universiteti ideal për këtë gjë', tha ai. 

Në aktivitet morën pjesë gjithashtu Bruna Mersini, Blendi Çuçi, Zamira Sina dhe përfaqësues të institucioneve vendore, të cilët përshëndetën nismën e universitetit si një shenjë të transformimit të arsimit të lartë në jug të vendit.

Ky master, përveçse hap një drejtim të ri studimi në Shqipëri, i jep Universitetit “Ismail Qemali” një rol strategjik në formimin e inxhinierëve të sigurisë së së nesërmes, duke e pozicionuar Vlorën si qendër të inovacionit akademik dhe teknologjik në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare.