Nga motorët e ujit te muzika e lartë/ Xhafaj nga Vlora: Plani me 5 pika për këtë sezon turistik

VLORE-Nga Orikumi në çelje të sezonit turistik, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj deklaroi se janë marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen, pasi është një periudhë shumë e ngjeshur. Ai theksoi 5 pika që synojnë më shumë rend dhe siguri për qytetarët shqiptarë dhe turistët që do të zgjedhin Shqipërinë për të pushuar. Shtimi i forcave të policisë, menaxhimi i trafikut rrugor, kontrolli i rreptë i motorëve të ujit, masat kundër zhurmave dhe përdorimit pa orar të muzikës, por edhe lehtësimi i hyrje-daljeve në kufi janë disa nga masat që do të jenë në vëmendjen e policisë.

Kemi programuar shtesë të numrit të policisë, stacione të reja, përforcimin e shërbimeve policore, FNSH në vijën bregdetare me ngarkesë, shtim të sporteleve në të gjitha pikat e kalimit, përfshirë edhe lehtësimin e procedurave për njerëzit dhe rritjen e personave pa uniformë për të qenë më pranë pushuesve. 

5 MASAT E MINISTRISE SE BRENDSHME
Forcimin e rendit dhe sigurisë
Menaxhim të trafikut rrugor në zonat me ngarkesë
Kontroll të fortë ndaj përdorimit të mjeteve ujore
Masa të forta për zhurmat dhe përdorimin pa orar të muzikës
Vëmendje e shtuar për menaxhimin e kufirit dhe lehtësimin e kalimit

Fatmir Xhafaj

FJALA E PLOTE E MINISTRIT XHAFAJ NE VLORE

Për shumë njerëz në këtë vend, sezoni veror është një ripërtëritje, çlodhje, argëtim, por për disa është sigurisht edhe biznes.

Për Ministrinë e Brendshme, për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është një përgjegjësi e re e shtuar, një angazhim i veçantë. Kurse për punonjësit e Policisë së Shtetit është punë, shumë punë, por edhe sakrificë. Qindra edhe mijëra oficerë dhe punonjës të Policisë së Shtetit, edhe këtë verë nuk do t’u bashkohen familjeve të tyre, por do të shërbejnë shpesh me orë të zgjatura pune, edhe në kushte të vështira, nën diellin e nxehtë të verës.

Duke u dhënë atyre gjithë mbështetjen dhe respektin tim si Ministër, duke u kërkuar familjeve të tyre mirëkuptimin për këtë sakrificë familjare, do të dëshiroja t’i kërkoja çdo qytetari mirëkuptim, respekt dhe mbështetje ndaj punonjësve të Policisë në ushtrimin e detyrës së tyre.

Natyrisht unë jam këtu si ministër përgjegjës për këtë fushë, për rendin dhe sigurinë, për t’ju siguruar dhe në emër të tyre se ne do të bëjmë gjithçka për të garantuar qetësi, rend dhe siguri, pushime sa më të gëzuara për qytetarët shqiptarë, por edhe për të ofruar rend dhe siguri për të gjithë turistët dhe të gjitha bizneset që janë në mbështetje të aktivitetit të tyre në këtë sezon turistik.

Një analizë e plotë e sezonit turistik të vitit të kaluar, e bërë qysh në muajin nëntor 2017 me Ministrin e Turizmit, si dhe Plani i Veprimit i miratuar nga qeveria, e kanë fokusuar qysh në fillim të këtij viti dhe tani më intensivisht punën e Ministrisë dhe të Policisë në çështjet që lidhen me menaxhimin më të mirë të këtij sezoni turistik.

Disa akte nënligjore të Ministrisë, të Drejtorisë, të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit janë duke u zbatuar në territor për një menaxhim më të mirë të sezonit turistik, nën autoritetin e Drejtorit të Departamentit të Sigurisë Publike z.Gjovalin Loka, i cili do të jetë autoriteti kryesor i Policisë që do të menaxhojë trupat policore në këtë sezon dhe që është i pranishëm, së bashku me mua në këtë takim.

Ne kemi programuar shtesë të numrit të punonjësve të Policisë, mjeteve dhe pajisjeve në 31 zona plazhi dhe 7 zona turistike malore dhe kulturore; kemi parashikuar ngritjen e stacioneve të reja provizore të policisë në Theth, Valbonë, Tale, Gjirin e Lalzit, Ksamil etj.; kemi parashikuar përforcimin e shërbimeve policore të FNSH kryesisht duke rritur prezencën e tyre në zonat më me ngarkesë policore gjatë vijës bregdetare dhe në zonat e tjera turistike; shtim të punonjësve dhe të mjeteve të shërbimit të qarkullimit rrugor në zonat problematike; shtim të sporteleve dhe të punonjësve të policisë në të gjitha pikat e kalimit kufitar, përfshirë edhe lehtësimin e procedurave përkatëse për lëvizjen e njerëzve, gjithashtu edhe rritjen e numrit të personave të shërbimit pa uniformë policie dhe me mjete të përshtatshme për të qenë më pranë pushuesve dhe problematikave të tyre.

Ne jemi të fokusuar përmes një sërë masash institucionale dhe operacionale në disa aspekte dhe kryesisht do të përmendja 5 prej tyre.

Së pari, në çështjet që lidhen me forcimin e rendit dhe sigurisë në territor, me prioritet shërbimet e policisë kriminale në zonat turistike.

Së dyti, për një menaxhim më të mirë të trafikut rrugor në akset problematike dhe sidomos në zonat me ngarkesë, duke mbajtur këtu parasysh edhe nevojën për të forcuar gjatë kësaj periudhe edhe masat e Kodit Rrugor, për t’i ashpërsuar ato për disa lloj shkeljesh që janë problematike dhe që krijojnë kaos në trafik. Natyrisht jemi të vetëdijshëm që kjo kërkon edhe përmirësim të infrastrukturës dhe sinjalistikës në disa segmente të rrugëve turistike, si në nivel kombëtar ashtu edhe në nivel vendor.

Së treti, kemi forcuar masat për një kontroll shumë më të fortë ndaj përdorimit të mjeteve ujore, për zbatimin e rregullave përkatëse, sidomos për përdorimin e motorëve të ujit, deri në sekuestrimin e tyre. Po e theksoj këtë gjë, sepse në vitet e kaluara ka pasur jo pak shqetësime deri në humbje jetësh të njerëzve për këtë shkak. Ne kërkojmë një mirëkuptim më të mirë nga qytetarët në zbatimin e rregullave, por edhe bashkëpunimin më të mirë nga bashkitë dhe subjektet private që marrin përsipër të ushtrojnë veprimtari të kësaj natyre.

Së katërti, siç është bërë tashmë e njohur, do të ketë masa shumë më të forta lidhur me mjedisin në zonat turistike, për zhurmat sidomos, përshirë përdorimin pa orar të muzikës. Është përgjegjësi e bashkive dhe këtu duhet të jemi shumë të qartë, caktimi i orareve respektive në territor lidhur me këtë aspekt dhe është detyra jonë mbështetja për zbatimin strikt të këtyre rregullave.

Së pesti, një vëmendje e shtuar do të jetë krahas forcimit të rregullave për menaxhimin e kufirit edhe për lehtësimin e lëvizjes në Pikat e Kalimit Kufitar për qytetarët shqiptar dhe ata kosovar në radhë të parë, por edhe për turistët e huaj.

Po synojmë që krahas përmirësimit të shërbimit edhe aplikimin e një sërë masash lehtësuese që lidhen me operatorët turistik dhe në ditët në vijim, Departamenti përkatës i Kufirit do të kontaktojë me operatorët turistik për të parë mundësinë e lehtësimit të këtyre masave në pikat e kalimit kufitar.

Të gjitha këto masa kërkojnë më shumë mirëkuptim dhe bashkëpunim institucional.

Besoj se jemi të gjithë të qartë se nuk zgjidhet gjithçka me polici. Secili duhet të bëjë detyrën e vetë në zbatim të ligjit. Për strukturat tona policore, kjo do të jetë një periudhë shumë e ngjeshur pune krahas një sërë prioritetesh të tjera, por ne jemi të vendosur të ofrojmë gjatë këtij sezoni veror një shërbim më të mirë ndaj qytetarëve, më shumë rend dhe siguri në mjediset e pushuesve dhe për të gjithë pushuesit shqiptar dhe të gjithë turistët që do të preferojnë të përdorin bregdetin tonë.

Fjala e plotë e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Moska vendosi Zelenskyn në listën e të kërkuarve/ Ministria e Jashtme ruse: Putin të kujtojë se Gjykata e Hagës ka lëshuar urdhër-arresti për të

Moska vendosi Zelenskyn në listën e të kërkuarve/ Ministria e Jashtme ruse: Putin të kujtojë se Gjykata e Hagës ka lëshuar urdhër-arresti për të