EUROPOL me zyrë në Shqipëri/ Soreca: Një hap drejt hapjes së negociatave me BE

EUROPOL hedh një hap konkret drejt bashkëpunimit me Shqipërinë në fushën e rujatjes së rendit dhe sigurisë. Ajo hapi sot në Shqipëri zyrën e saj duke forcuar edhe më shumë bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe BE.

Të pranishëm në ceremoni ishin drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, drejtoresha Ekzekutive e EUROPOL, Catherina De Bolle dhe ambasadori i BE në Shqipëri Luigi Soreca.

Në fjalën e saj De Bolle deklaroi se ky nuk është fundi por vetëm fillimi i një bashkëpunimi në fushën e sigurisë ndërsa Soreca e quajti hapjen e zyrave të ERUPOL në Shqipëri një hap më shumë drejt BE.

Shqipëria është vendi i parë në rajon ku EUROPOL hap zyrën e saj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:30
Sandër Lleshaj: Pas FRONTEX edhe EUROPOL vjen në momentin e duhur (VIDEO)

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj se rezultatet e këtij viti në bashkëpunim me EUROPOL kanë qenë mjaft të mira. Ai shprehu bindjen se hapja e zyrave të EUROPOL në Tiranë do e intensifikojë akoma më shumë bashkëpunimin e vendit me BE.

"Rekomandimi i komisionit për hapjen e negociatave është një shpjegim i rëndësishëm për ne. Jemi të vetëdijshëm për të intensifikuar bashkëpunimin. Gjatë këtij viti operacionet janë bërë shumë të shpeshta duke dhënë edhe rezultate të mira. Bashkëpunimi në luftën kundër krimit të organizuar kërkon besim reciprok i cili mund të krijohet vetëm falë punës së përbashkët. Jam i bindur se hapja e zyrave do e intensifikojë më shumë bashkëpunimin me BE. Shqipëria është në një moment historik. Vetingu në policinë e shtetit është një tjetër zhvillim i cili garanton një strukturë policie për të përmbushur me sukses misionin e saj të rëndësishëm. Pas FRONTEX  edhe EUROPOL vjen në momentin e duhur. I garantoj stafit të EUROPOL mbështetjen e qeverisë shqiptare", tha Lleshaj.

Fjala e plotë 

Hapja e zyrës së EUROPOL në Tiranë është një ngjarje shumë e rëndësishme dhe pozitive në kronikën e gjatë të hapave të suksesshëm të integrimit europian të Shqipërisë. Falë bashkëpunimit tonë të forcuar rajonal dhe procesit të integrimit europian, ne po komunikojmë, vizitojmë dhe shkëmbejmë më shumë me njëri-tjetrin. Vetëm në 10 vitet e fundit, numri i njerëzve që kalojnë kufijtë e Republikës së Shqipërisë është rritur gati 160 %. Dhe kjo tendencë pozitive vazhdon me po të njëjtin ritëm rritjeje. Mjaftojnë vetëm kjo shifër për të treguar nivelin e jashtëzakonshëm që ka arritur lëvizja e njerëzve dhe mallrave. Kjo dinamikë e lartë shkëmbimesh është një lajm shumë i mirë, dhe pikërisht për këtë shoqërohet edhe nga një sfidë e madhe, si ta forcojmë nivelin e integrimit pa kompromentuar sigurinë? Në parim unë besoj se thellimi integrimit nuk e cenon sigurinë. Madje, e forcon atë. Por me një kusht: thellimi i integrimit duhet të shoqërohet nga rritja e pandalshme dhe shkëmbimi i vazhdueshëm i informacionit.

Ne na duhet të sigurojmë që angazhimi për të shkëmbyer informacion të mos ndodh thjesht në nivelin e deklaratave politike, por edhe në praktikën e përditshme. Në njëfarë mënyre, duhet një thyerje e murit të fjalëve, një thyerje e ‘sound barrier’, siç thuhet në gjuhën e aviacionit.

Përpjekja jonë për integrim në Bashkimin Europian po konkretizohet përditë e më shumë në element konkretë dhe praktikë. Fillimi i operacionit të FRONTEX në kufijtë e Shqipërisë, përbën një hap të rëndësishëm, i cili ndodh për herë të parë në një vend jashtë BE. Edhe hapja e Zyrës së EUROPOL në Tiranë, është e para në rajon dhe siç tha dhe Drejtorja Ekzekutive e dyta në botë pas Uashingtonit, gjë që na bën të ndihemi mirë. Në njëfarë mënyre, ne po realizojmë hapa që shënjojnë njëfarë integrimi de facto. Dhe kjo qasje, ky integrim de facto në BE, besoj që është rruga më e drejtë për të arritur dalëngadalë e të sigurt drejt integrimit de jure.  

Hapja e Zyrës Ndërlidhëse të EUROPOL-it në Tiranë, është dëshmi e angazhimit tonë të vazhdueshëm për të parandaluar dhe luftuar krimin e organizuar dhe kërcënimet e tjera që rrjedhin prej tij.  

Shqipëria - siç nënvizohet dhe nga deklarata e Komisionit Europian - ka arritur padyshim rezultate të shkëlqyera në zbatimin e reformave transformuese dhe plotësimin e pesë prioriteteve kyçe. Rekomandimi i Komisionit për të hapur negociatat me Shqipërinë është një njohje e qartë e progresit të rëndësishëm në fushën e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, por edhe një obligim i rëndësishëm për ne për të vijuar dhe për të thelluar punën tonë në këtë drejtim. 

Duke qenë të vetëdijshëm për përgjegjësitë tona, ne kemi forcuar përpjekjet tona për:
• Të intensifikuar bashkëpunimin ndërkombëtar të policisë, veçanërisht me shtetet anëtare të BE-së, duke çuar në një numër operacionesh të suksesshme në shkallë të gjerë. Veçanërisht gjatë këtij viti, këto operacione janë bërë shumë të shpeshta dhe kanë shënuar rezultate impresionuese;

• Volumi i informacionit të shkëmbyer është rritur në mënyrë progresive dhe është përkthyer në rezultate operacionale shumë konkrete;

• Vetëm në gjysmën e parë të vitit 2019, ne kemi kryer më shumë operacione policore me EUROPOL dhe vendet e BE-së se sa në 2018, i cili në vetvete ishte i suksesshëm.

Bashkëpunimi në luftën kundër krimit të organizuar kërkon kapacitet profesionale, kapacitete teknike dhe organizative, kanale të sigurta komunikimi etj. Por mbi të gjitha ai kërkon besim. Besim reciprok, i cili mund të krijohet dhe të forcohet vetëm nëpërmjet punës së përbashkët si kjo që po nisim dhe sot me EUROPOL. Besimin duhet vetëm ta fitojmë. Atë as nuk mund ta blejmë, as nuk mund ta marrim donacion nga partnerët tanë. Duhet ta fitojmë vetë. 

Jam i bindur se hapja e Zyrës së EUROPOL-it në Tiranë do të intensifikojë më tej bashkëpunimin midis shteteve anëtare të BE-së dhe Shqipërisë si dhe do të kontribuojë për forcimi e besimit reciprok mes përfaqësuesve të agjencive tona ligj zbatuese.

Të nderuar të pranishëm,
Shqipëria është në një moment shumë të rëndësishëm, madje historik. Reforma historike e sistemit të drejtësisë po i afrohet finalizimit institucional të saj, përmes krijimit të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) apo Njësisë së Pavarur Hetimore (BKH).

Zhvillimi i procesit të Vetting-ut në Policinë e Shtetit është një tjetër zhvillim pozitiv që shkon në të njëjtën linjë me procesin e reformës në drejtësi. Gjithkush e ka të qartë se funksionimi i sistemit të ri të drejtësisë në vend, nuk mund të jetë kurrë i garantuar pa një strukturë policie me integritet, profesionale, të mbështetur dhe të motivuar për përmbushjen me sukses të misionit të saj të rëndësishëm.

Në një farë mënyre, pas FRONTEX, edhe EUROPOL vjen ekzaktësisht në momentin e duhur, në një moment kulmor të zbatimit të reformës në drejtësi, ku Policia e Shtetit dhe agjencitë e tjera ligj zbatuese janë pjesë e rëndësishme dhe integrale me një rol shumë të rëndësishëm.

Me këtë rast, bashkë me urimet e mija më të mira për punë të mbarë dhe suksese, i garantoj stafit të Zyrës së EUROPOL-it në Tiranë dhe EUROPOL përmes Drejtores Ekzekutive të saj, mbështetjen e plotë të Qeverisë shqiptare dhe të Ministrisë së Brendshme. Faleminderit!
 

Ora 11:13
Soreca: Bashkëpunimi me EUROPOL një hap drejt BE!

1562836919_soreca.jpg

Ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca e quajti bashkëpunimin me EUROPOL një hap drejt BE dhe hapjes së negociatave

"Numri i operacioneve dhe koordinimi i Shqipërisë me EUROPOLIN janë rritur, Ato kanë sjellë rezultate në rritjen e goditjes së grupeve kriminale. Policia e Shtetit shqiptar është e aftë për t'u angazhuar në shumë operacione policore me partnerët europian. Ky operacion ndihmon edhe në angazhimin e Shqipërisë në fushën e sigurisë por edhe në procesin e hapjes së negociatave me BE. Unë jam shumë krenar që po e shoh një gjë të tillë në Shqipëri dhe jam më shumë i bindur se puna e EUROPOL do jetë shumë e mirë në bashkëpunimin me policinë shqiptare. Ne do të ndihmojmë Shqipërinë për të pasur më shumë rezultat. Edhe mbështetja në aspektin teknologjik është mjaft e rëndësishme për të çuar në një tjetër nivel bashkëpunimin dhe sigurinë në vend. Rezultatet kanë qenë pozitive në ruajtjen e kufijve dhe parandalimin e emigracionit të paligjshëm. E gjitha kjo tregon se BE është duke aplikuar strategjinë e vet në Ballkanin Perëndimor", deklaroi Soreca.

Ora 11:11
EUROPOL në Shqipëri/ Ardi Veliu rendit sukeseset e bashkëpunimit (VIDEO)

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu vuri theksin në angazhimin e policisë së shtetit në zhvillimin e operacioneve ku është bashkëpunuar me EUROPOL. Ai tha se tashmë synohet pjesëmarrja në projekte të tjera ndërkombëtare të ruajtjes së rendit dhe sigurisë.

"Gjatë vitit 2018 nga EUROPOL janë zhvilluar 8 operacione ndërsa gjatë këtij gjashtë mujori janë zhvilluar 12 operacione, 3 prej të cilëve vetëm gjatë tre muajve të fundit. Në këto operacione edhe policia shqiptare ishte pjesëmarrëse njësoj si homologët e saj. Në kuadrin e bashkëpunimit me EUROPOL Shqipëria bën pjesë në 30 projekte analitike. Në të ardhmen synojmë të jemi pjesëmarrës edhe në pikat e tjera. Të gjitha rezultatet tregojnë angazhimin e policisë së shtetit në luftën kundër korrupsionit dhe shkeljes së ligjit. Të nderuar pjesëmarrës shpreh gatishmërinë e policisë shqiptare për rritjen dhe forcimin e bashkëpunimit me partnerët tanë strategjikë sidomos me EUROPOL", tha Veliu.

FJALA E PLOTË

Më lejoni t’i shpreh mirëseardhjen në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Shqiptare,  delegacionit të lartë të EUROPOL-it si dhe kënaqësinë për prezencën e ambasadorëve në këtë takim   Bashkëpunimi me partnerët dhe me agjencitë ligjzbatuese të vendeve partnere  për Policinë e Shtetit është një ndër tre prioritetet kryesore të punës së saj, pasi ne jemi të vetëdijshëm dhe të bindur se lufta kundër krimit të organizuar nuk mund të ketë sukses sado e zhvilluar të jetë një organizatë policore në rast se nuk bashkëpunon me partnerët.
 
Krimi i organizuar është i ndërlikuar, i shtrirë në hapësirë dhe s'njeh kufij, ngjyrë apo kombësi dhe për këtë, bashkëpunimi është domosdoshmëri për të përmbushur  detyrën më kryesore, krijimin e një mjedisi të sigurt për qytetarët, biznesin dhe turistë.Policia e Shtetit është e angazhuar për të kontribuuar në rritjen e parametrave të sigurisë publike rajonale dhe më gjerë, nëpërmjet bashkëpunimit me policitë homologe dhe agjencive ligjzbatuese partnere.

EUROPOL-i si organizatë  e Bashkimit Europian për zbatimin e ligjit, synon të përmirësojë efektivitetin dhe bashkëpunimin ndërmjet agjencive ligjzbatuese  të shteteve anëtare, për parandalimin dhe luftën kundër krimeve të rënda, krimit të organizuar ndërkombëtar dhe terrorizmit.

Pjesëmarrja e Policisë së Shtetit në pikat fokale të EUROPOL-it, është prioritet kryesor i  Zyrës Kombëtare të EUROPOL-it në Tiranë,  pasi kjo ka një rëndësi të veçantë  në përmbushjen e detyrimeve  strategjike të Policisë së Shtetit, të cilat rrjedhin nga Prioritetet e Qeverisë Shqiptare dhe Ministrisë së Brendshme, në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian. 

Në këtë kontekst, asistenca e EUROPOL-it në përmirësimin e analizës së informacionit kriminal në përgjithësi, si edhe përfshirja e Policisë së Shtetit në hetimet dhe operacionet e përbashkëta, është një objektiv që ne jemi duke e ndjekur me vendosmëri dhe këmbëngulje, për të bërë të mundur luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit ndërkombëtar, trafikut të lëndëve narkotike dhe migracionit të paligjshëm.
Gjatë vitit 2018, nga  Zyra Kombëtare e EUROPOL-it janë zhvilluar 8 operacione, ndërsa gjatë këtij 6 mujori janë zhvilluar 12 operacione.

Vetëm muajit e fundit janë zhvilluar tre operacione ndërkombëtare të rëndësishme të koordinuara dhe drejtuara nga EUROPOL, ku Policia e Shtetit ishte pjesëmarrëse njësoj si homologët e saj, konkretisht:

Operacioni  “Viribus”, për goditjen e grupeve kriminale që merreshin me  trafikimit të ilaçeve falsifikuara;

Operacioni “OPSON VIII”, për goditjen e aktivitetit kriminal të prodhimit, tregtimit, trafikimit të produkteve ushqimore dhe pijeve nën/standarde dhe të falsifikuara;

Operacioni GOLDFINGER, i koordinuar nga EUROPOL për goditjen e një grupi të organizuar kriminal, i cili kishte kontrabanduar, shitur dhe shpërndarë armë dhe drogë në shtetet e BE-së.
 
Në kuadrin e bashkëpunimit me EUROPOL, Shqipëria bën pjesë në 11 Projekte Analitike nga 30 të tilla gjithsej. Në Prill 2019, Policia e Shtetit është anëtarësuar në projektin e EMPACT OPC (Platforma Europiane Multi disiplinare kundër Kërcënimeve Kriminale, për Krimin e Organizuar kundër Pronës) dhe në të ardhmen synojmë të jemi pjesëmarrës  në pikat e tjera fokale,  kryesisht ato që kanë të bëjnë me trafikun e drogës si “AP COLA”, “AP CANNABIS”, “AP HERIONE" .

Të gjitha këto rezultate tregojmë edhe njëherë  angazhimin, vendosmërinë dhe seriozitetin e Policisë së  Shtetit në luftë pa kompromis  kundër krimit të organizuar brenda edhe jashtë kufijve të vendit. Gjatë vitit 2018 dhe 2019 janë ndjekur të gjitha procedurat për përditësimin e marrëveshjes operacionale me EUROPOL-in si edhe për nënshkrimin e marrëveshjes për vendosjen e Oficerit Ndërlidhës të EUROPOL-it pranë Policisë Shqiptare për ta çuar më përpara bashkëpunimin dhe koordinimin e punës me Zyrën Ndërlidhëse të EUROPOL, inaugurimin  e së cilës, është kënaqësi ta bëjmë sot.

Të nderuar pjesëmarrës.
Përfitoj nga rasti t'ju shpreh edhe një herë, gatishmërinë e Policisë Shqiptare, për rritjen dhe forcimin e bashkëpunimit me partnerët tanë ndërkombëtarë strategjikë dhe në veçanti me EUROPOL-in.

B.K.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion