TIRANE-Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se nëse kuvendi do të miratojë ndryshimet kushtetuese për hapjen e listave dhe ndalimin e koalicioneve nuk do të njohë kryeministrin që do të dalë nga zgjedhjet e vitit të ardhshëm. "Kushtetuta në nenin 96 njeh koalicionin e partive politike, kur sanksionon se presidenti në fillim të legjislaturës dhe kur vendi i kryeministrit mbetet vakant emëron kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive që ka shumicën në Kuvend. Ndryshimet e propozuara nëse vazhdojnë dhe miratohen do të krijojnë përplasje të fortë me këtë dispozitë që i njeh kompetencën presidentit për emërimin e kryeministrit që ta pranojë nga partia apo koalicioni që ka marrë shumicën e vendeve pas procesit zgjedhor" tha ai.

Ndryshimet që po tentohen që të bëhen në Kushtetutë, kreu i shtetit i cilësoi anti-kushtetuese, pasi nisma është ndërmarrë në periudhën që vendi ishte në gjendje të jashtëzakonshme. "Kushtetuta thotë se asnjë rishikim nuk mund të bëhet kur janë vendosur masat e jashtëzakonshme. Nisma është propozuar në Kuvend jo vetëm kundër rregullores por e kanë paraqitur në datë 15 qershor 2020, pikërisht në këtë datë Shqipëria ishte në gjendjen e fatkeqësisë natyrore të shpallur nga vetë Kuvendi, që përfundonte në datë 23 qershor. Ndërmarrja e nismës së këtyre deputetëve së frymëzuar nga kryeministri bie ndesh dhe është e pavlefshme".

Ilir Meta u shpreh se nuk e njeh nismën nëse do të miratohet dhe do të ndërmarrë të gjitha hapat për të frenuar. Por përveç atyre institucionale, ai kërcënoi se do i drejtohet sërish popullit si në datë 2 mars. "Që dikush të marrë guximin dhe të flasë në emër të popullit vjen nga marrëzia. Nuk ka asnjë diktator që nuk flet në emër të popullit, populli flet vetë. Cenohet Kushtetuta dhe integrimit. Nuk dëshiroj t'u them se cfarë do të bëj nëse të tjerët çmendem por unë do të bëj detyrën time me të gjithë popullin shqiptar, me të majtë, të djathtë dhe pa parti" tha ai.

Për të shmangur këto skenarë, Meta i kërkoi shumicës që të tërhiqet nga nisma dhe të miratojnë vetëm draftin e 5 Qershorit. "Shpresoj ta kuptojnë sot që të mos të jetë vonë për ata. Përmbyllja e reformës zgjedhore do të konsiderohej si kushti i parë i plotësuar. Iniciativa e shumicës për të ndryshuar kushtetutën e prish marrëveshjen e 5 qershorit dhe e zeron këtë arritje të Shqipërisë dhe dëmton edhe kredibilitetin e ministrit të jashtëm edhe si kryetar i OSBE-së (Edi Rama).

Propozimi për ndryshimet kushtetuese zeron përpjekjet. Palët t'i qëndrojnë marrëveshjes, kur për këtë janë investuar edhe SHBA, Britania dhe BE-ja. Këto ndryshime të njëanshme janë në kundërshtim me komisionin e Venecias. Ndryshime të sistemit duhet të nisin një vit para zgjedhjeve. Këtë qëndrim e ka mbajtur edhe zyra e OSBE-së që ka thënë se është shumë vonë" tha ai.

Një koment vlerësues, Meta e kishte edhe për n/ kryetarin e CDU-së, Wadephul, të cilin Edi Rama e cilësoi si mik të Lulzim Bashës dhe të njëanshëm që e nënçmon Kuvendin si të ishte noter. "Unë vetëm një herë e kam takuar, por nuk kam parë ndonjëherë ndonjë politikan europian të ketë aq shumë dokumente dhe materiale për Shqipërinë, është edhe jurist me profesion dhe ka disa kushtetuta të Shqipërisë në disa gjuhë. Nuk ka asnjë faj Bundestagu dhe as Europa. Është koha të heqim dorë nga provokimet dhe retorika shterpë, të reflektojmë" përfundoi Meta.

Ja përse rrëzohen dy argumentet kryesore të Ilir Metës
Neni 96 i Kushtetutës për koalicionet dhe momenti i ndërmarrjes së nismës për ndryshimet në ligjin themeltar të shtetit ishin dy argumentet kryesore tek të cilat Ilir Meta u mbështet sot për të kundërshtuar iniciativën për hapjen e listave.  Por cfarë thotë neni 96 pika 1? Në Kushtetutë thuhet se "Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend".

Ky përcaktim i referohet koalicionit paszgjedhjeve dhe jo atij parazgjedhjeve, sikur e interpreton kreu i shtetit. Një shembull, nëse pas mbarimit të zgjedhjeve parlamentare forca politike që ka marrë më shumë deputetë, por që nuk arrin që të formojë e vetme qeverinë është e detyruar për të gjetur formulën për koalicione për të siguruar numrin e mjaftueshëm të votave dhe më pas i drejtohet Presidentit për të dekretuar kabinetin e ri. Por Ilir Meta me apo pa qëllim sot e interpretoi ndryshe Kushtetutën. Por pavarësisht, kundërshtimeve të nismës nga opozita dhe Presidenti, partitë mund të grupohen dhe garojnë në koalicione, ashtu sikur ndodhi zgjedhjet parlamentare të 2017.

Argumenti i dytë i përdorur nga Ilir Meta ishte fakti që sipas tij nisma për ndryshimet Kushtetuese u ndërmorr (u dorëzua në 15 qershor) në momentin kur vendi ishte në gjendje të jashtëzakonshme nga COVID-i dhe për këtë shkak është e pavlefshme, pasi në të tilla rrethana nuk lejohet asnjë ndryshim i ligjit themeltar të shtetit.

"Gjatë gjendjeve që kërkojnë marrjen e masave të jashtëzakonshme, nuk mund të ndryshohet asnjë prej këtyre akteve: Kushtetuta, ligjet për zgjedhjet për Kuvendin dhe për organet e pushtetit vendor, si dhe ligjet për masat e jashtëzakonshme. Asnjë rishikim i Kushtetutës nuk mund të ndërmerret gjatë kohës kur janë vendosur masat e jashtëzakonshme" citoi Meta Kushtetutën.

Por, sërish interpretimi nuk është ashtu sikur e ka bërë Presidenti. Rëndësi nuk ka fakti kur është depozituar nisma në Kuvend, por momenti i votimit, pra që ndryshimet Kushtetuese të mos miratohen kur vendi ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme. Dhe aktualisht Shqipëria nuk është në gjendje të jashtëzakonshme. Pra dy argumentet e presidentit rrëzohen.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:49
Hapja e listave, Meta kërcënon Ramën: Nëse çmendet do bëj detyrën time me popullin (VIDEO)

Ilir Meta kërcënoi se nëse Kuvendi do të miratojë ndryshimet kushtetuese për hapjen e listave do i drejtohet popullit. "Mos u merrni me hapat e radhës së presidentit se për interesin e kushtetutës dhe vendit, cenohen rëndë, integrimi i vendit dhe garancia e unitetit kombëtar, që është kushtetuta, këto të dyja na bashkojnë ne sot. Nuk dëshiroj t'u them se cfarë do të bëj nëse të tjerët çmendem por unë do të bëjë detyrën time me të gjithë popullit shqiptar" tha ai.

Ora 13:38
Meta si opozita: Koalicionet të hiqen vetëm me referendum, thërritini mendjes

Ashtu si opozita, edhe Ilir Meta tha se vetëm me referendum mund të vendoset hapja e listave. "Duan ta heqin, ja ku është presidenti le të vijnë, edhe populli këtu është, më thonë nga 2 marsi shpërndaje, shpërndaje (parlamentin). Ti thërrasin mendjes, se koalicionet i ka vendosur populli shqiptar. Duan ta bëjnë pa koalicione ta vendosin në referendum. Nga ana ime nuk ka asnjë pengesë, por le të vendosë populli. Sovraniteti i takon popullit".

Ora 13:30
Meta: Hapja e listave tani e pavlefshme, nisma në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme (VIDEO)

Ilir Meta sqaroi se përse sipas tij ndryshimet kushtetuese për hapjen e listave dhe ndalimin e koalicioneve në këto momente janë të pavlefshme. "Iniciaitva në vetvete është antikushtetuese. Gjatë gjendjeve që kërkojnë marrjen e masave për gjendjen jashtëzakonshme nuk mund të ndryshohet kushtetuta. Asnjë rishikim nuk mund të merret kur janë vendosur masat e jashtëzakonshme. Nisma është propozuar në Kuvend jo vetëm në kundër rregullores por e kanë paraqitur në datë 15 qershor 2020, pikërisht në këtë datë Shqipëria ishte në gjendjen e fatkeqësisë natyrore të shpallur nga vetë Kuvendi, që përfundonte në datë 23 qershor. Ndërmarrja e nismës së këtyre deputetëve së frymëzuar nga kryeministri bie ndesh dhe është e pavlefshme".

Ora 13:30
Listat e hapura, Meta: S'i njoh, kanë dy vite që më provokojnë të lë Presidencën

Ilir Meta tha se nuk do të njohë ndryshimet kushtetuese për hapjen e listave dhe ndalimin e koalicioneve. "U bëj thirrje të gjithëve për reflektim, do të ushtroj të drejtat e mia për të zhvlerësuar një akt të tillë të paprecedentë, nuk do të njihet nga presidenti'. I pyetur se përse kërkon votimin e paktit të 5 qershorit me 84 vota, kur njeh vetëm 82, ai tha "Kuvendi ka vetëm 82 deputetë legjitimë. Ju kërkoni perfeksion kushtetues, ligjor, procedural nga presidenti që ka qenë dhe mbetet shembulli më i mirë i respektimit në frymë dhe gërmë të kushtetutës së Shqipërisë dhe kërkoni ta vendosni presidentin në një situatë jo perfekte, duke harruar se ka qenë kundër djegies së mandateve. Kam qenë në Gjermani, se po të ishte këtu nuk do të ishte ky parlamenti, bravo u qoftë e bënë fakt të kryer". "Ndryshimet mund të bëhen vetëm me dakordësi totale me 140 vota, sikur ishte presidenti kryetar Kuvendi' tha Meta. Gjithashtu ai u shpreh se "Presidenti ka dy vite që provokohet për ta lënë edhe këtë institucion".