Kreu i grupit parlamentar të LSI Petrit Vasili ka dalë në një konferencë të posaçme për shtyp në qendër të së cilës ka qenë arrestimi i Ramush Haradinajt.

Vasili e ka konsideruar arrestimin e kreut të AAK si një vendim absurd që ka ardhur në momentin e gabuar. Sipas tij, ky veprim  nuk ndihmon në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
 
"Ky ka qenë një veprim i gabuar në kohën e gabuar. Fitimi i momentit të humbur do të ishte vetëm një, lirimi i menjëhershëm i Haradinaj dhe sqarimi i këtyre procedurave të fosilizuara duke ndaluar praktikën e ndalimeve të tilla të paligjshme dhe provokative që shkojnë kundër frymës që të gjithë faktorët po përpiqen të ndërtojnë mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një vlerësim tërësor, e tërë kjo ngjarje ishte një zhvillim negativ, që në qendër pati për fat të keq një person që ka demonstruar raportin më luajal si zoti Haradinaj që është përballur me gjykatën e Hagës në dy raste. Është përballur me drejtësinë 2 herë dhe nuk e ka bishtnuar. Zgjidhja e vetme, lirimi i tij i menjëhershëm dhe ndalimi njëherë e përgjithmonë i praktikave të tilla”
", u shpreh Vasili.

Përsa i përket situatës në të cilën gjendet vendi ynë për shkak të reshjeve të shumta të dëborës, Vasili ka kërkuar bashkëpunimin  e plotë nga të gjithë si dhe kjo situatë të mos përdoret politikisht. Primare për të dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim është përballimi i situatës, e më pas do të analizohet situata se si mund të ishte vepruar më mirë që të mos përsëritet.
 
"Situata me të cilën po përballet vendi është e jashtëzakonshme. I tërë mobilizimi i agjencive shtetërore është i plotë. Kërkohet një bashkëpunim i plotë pa asnjë lloj paragjykimi politik duke minimizuar komentet negative. Të gjithë së bashku të përballojmë këtë situatë dhe mbas përballimit ka vend për analiza si mund të bëhet më mirë", u shpreh ai.

Gjithashtu Vasili gjatë konferencës për shtyp ka cekur edhe problematikën me epideminë e gripit. Ai shprehet se përveç Ministrisë së Shëndetësisë, e cila e ka detyrë kryesore, kërkohet edhe angazhim i të gjithëve.   
 
"Karakteri epidemik është i qartë, jemi para një epidemie. Përballimi i saj nuk është vetëm detyrë e MSH, por secili mund të kontribuojë. Secili në momentet e epidemive ka ç’të bëjë dhe ka ç’të ndihmojë”, Qendrat janë të hapura në çdo kohë  dhe kanë kapacitete për ta përballuar", përfundon deklaratën Vasili.


Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)